Si u zbulua lidhja e Avdulajve të Shijakut me Ndokat e Lezhës

Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, lexoi mekanikisht para medias rezultatet e një hetimi thuajse dy-vjeçar, të cilin e kanë zhvilluar prokurorët që ajo i ka penalizuar apo ka ndikuar të largohen së fundmi nga institucioni që ajo drejton.
Në hetimet, të cilat Prela i prezantoi si arritje të saj, janë zbuluar, ndër të tjera edhe bashkëpunimi i grupit të Avdulajve të Shijakut me Ndoka nga Lezha për trafikun e narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë.
“Boldnews.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive detaje nga dosja hetimore e Prokurorisë për Krime të Rënda, ku identifikohen lidhjet e Astrit Balliut (Avdulaj) me Danjan dhe Vilson Ndoka. Prokurorët shkruajnë se: “
Nga hetimet proaktive, të filluara prej vitit 2016, evidentohet se shtetasi Astrit Balliu ka komunikime me persona të ndryshëm, biseda të cilat, megjithëse me mesazhe të koduara, janë në funksion të aktivitetit të trafikimit, mbajtjes, tregtimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Rezulton se shtetasit Altin Avdyli dhe Astrit Balliu, nga Shijaku, në muajin Maj 2017, kanë pasur biseda me Danjan Ndoka dhe ky i fundit me Gertjan Ndoka. Më 28 maj 2017, nisur nga të dhënat e këtij hetimi, Policia e Shtetit ka arrestuar Danjan Ndokën, i cili ishte në kërkim, ndërkohë që ka arrestuar në flagrancë edhe Gertjan Ndoka, të cilit iu sekuestruan 236 gr marijuanë.

Në vijim, në qershor 2017, janë evidentuar biseda ndërmjet Astrit Avdylit dhe një shtetasi tjetër, Elton Gjini. Në bazë të të dhënave të këtij hetimi, Policia e Shtetit organizon një post-bllok dhe arreston në flagrancë shtetasin Gjini, të cilit iu gjetën 47 gr lëndë narkotike kokainë.
Po në të njëjtën datë, nga të dhënat e siguruara nga ky hetim proaktiv, Policia e Shtetit orientohet të kryejë operacionin “Streha”, ku gjatë kontrollit në automjetin dhe banesën e shtetasit Saimir Gjepali u gjetën 149 gr lëndë narkotike kokainë, si edhe një pistoletë e një automatik pa leje.
Këto raste, megjithëse kanë lidhje me vëllezërit Avdulaj, prokurorët kanë vlerësuar që të mos i bashkojnë Çështjet, por t’i trajtojnë si “flagrancë policore” për të mos u kuptuar se po hetohej për një aktivitet më të gjerë kriminal, i cili lidhej me trafikimin e sasive të mëdha të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë dhe në vende të tjera të Bashkimit Europian.
Në bazë të këtyre përgjimeve, prokuroria për Krime të Rënda arriti të identifikonte edhe disa raste, ku familjarët e ish-deputetit Arben Ndoka, ishin përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të fallsifikimit të dokumentave dhe tjetërsimit të pronës. Në bazë të këtij hetimi të derivuar, pasditen e së Dielës u arrestua edhe ish-deputeti Ndoka, së bashku me disa persona të tjerë.

“Boldnews.al”

Artikulli paraprakTrafiku i drogës/ Si u zbulua lidhja e Avdulajve të Shijakut me ish-deputetin e Ramës
Artikulli tjetërÇfarë fshihet prapa aferës Khashoggi?