Si u ekzekutua në banesën e tij, gjyshi i ministres së Ramës, i vëllai: Punonte për UDB nga vitit 1975

Alishan Kllokoqi rrëfeu për mbrëmjen e 6 gushtit 1999, kur kishte ndodhur vrasja e vëllait të tij Ibushit, ish-punëtor i sigurimit serb. Ai tregoi se si dikush kishte pyetur: “A është Ibushi atu?” Dëshmitari e theksoi se ai që ishte te porta dhe po e kërkonte vëllain e tij nuk kishte thënë “ATY” por “ATU”, shprehje karakteristike për disa rajone të Kosovës. “E kam dëgjuar vëllain tim të thoshte: ‘A bash kështu a’”, tregoi dëshmitari fjalët e fundit të vëllait. “U dëgjuan 5 të shtëna dhe ata ikën shumë shpejt”.

Në seancën e fundit në çështjen gjyqësore kundër Sadik Abazit, Shpresim Ukës, Shaban Sylës, Driton Hajdarit dhe Bekim Sylës, i njohur si rasti Bllaca II, u propozua që të dëgjohet si dëshmitar Alishan Kllokoqi, vëllai i të vrarit Ibush Kllokoqi.

Kllokoqi ka punuar në sigurimin e shtetit serb dhe është vrarë në gusht 1999, pak ditë pas largimit të forcave serbe nga Kosova, shkruan “Gazeta Jeta në Kosovë”.

Nazim Bllaca në deklarimin e tij para gjykatës, në seancat e kaluara, ka thënë se ai e kishte vrarë me dorën e tij Ibush Kllokoqin. Bllaca ka treguar se si ai, bashkë me Sadik Abazin, Shpresim Ukën, Bekim Sylën dhe Fahredin Gashin kishin shkuar tek shtëpia e Ibush Kllokoqit dhe pasi që i kishin thënë gruas së tashmë të ndjerit se e kërkojnë për disa pasaporta, ai kishte dalë në derë.

Bllaca ka treguar se ai kishte shtënë disa herë në Kllokoqin dhe më pas ishin larguar. Nga plagët e marra, Kllokoqi kishte vdekur. Lidhur me këtë çështje tani po gjykohen të gjithë ta pandehurit, pos Nazim Bllacës, i cili do të gjykohet pas përfundimit të këtij procesi.

Alishan Kllokoqi rrëfeu për mbrëmjen e 6 gushtit të 1999-së, kur kishte ndodhur edhe vrasja e vëllai të tij Ibushit.

Ai tregoi se si kishte qenë duke pirë çaj me dajën në tarracën e shtëpisë së tij, që ishte në të njëjtin oborr me atë të Ibush Kllokoqit, kur kishte parë që kunata e tij (Drita Kllokoqi) kishte dalë jashtë në oborr dhe kishte pyetur “kush është”.

Dikush kishte pyetur: “a është Ibushi atu”?. Dëshmitari e theksoi se ai që ishte te porta dhe po e kërkonte vëllain e tij nuk kishte thënë “ATY” por “ATU”, shprehje karakteristike për disa rajone të Kosovës.

Dëshmitari vazhdoi dëshminë e tij duke treguar se ai ishte larg nga dera e hyrjes vetëm 9,5 metra dhe se i kishte dëgjuar ato fjalë.

Para ngjarjes kritike tha se Ibushin e kishin kërkuar Musa Ballata dhe Bajram Krasniqi, por nuk e dinte pse e kërkonin pasi që Ibushi, tha se nuk ka treguar asgjë dhe ka qenë tip i mbyllur. Më vonë gjatë seancës dëshmitari tregoi se të dy personat dy herë kishin qenë tek ai për Ibushin.

Musa Ballata kishte thënë se “ku është ai, pse nuk po vjen, pse nuk po e thirr ne kemi punë me të”. E dëshmitari ishte përgjigjur “nuk e di ku është, nuk kam ku ta thërras”.

Dëshmitari Alishan Kllokoqi, tregoi se si disa ditë para vrasjes, Ibushi kishte shkuar në Shkup, për t’u kthyer më vonë. Pasi që ishte kthyer familjarisht ishin marrë vesh që ta shesin autobusin “Zastava” dhe këtë e kishin përhapur te shokët e tyre.

Ai më pas tregoi se “diku rreth orës 21 ishte kur ata erdhën… Unë vetë e dëgjova se kanë ardhur për ‘Zastavën’”.

“Nga hapja e derës deri tek vrasja nuk ka shkuar më shumë se 5 – 6 minuta”. “E kam dëgjuar vëllain tim të thoshte: ‘A bash kështu a’”, tregonte dëshmitari fjalët e fundit që kishte dëgjuar nga vëllai i tij i vrarë.

“U dëgjuan 5 të shtëna dhe ata ikën shumë shpejt… Nuk e kisha mendjen tek ata, por te vëllai im. Shkova sa më shpejt dhe e shtriva kokën e tij”, vazhdoi dëshmitari.

Ai shtoi se më pas kishte shkuar së bashku me dajën e tij, Hasim Maliqin, në bazën e KFOR-it që ishte në afërsi të shtëpisë dhe aty e kishte dërguar edhe Ibush Kllokoqin. Kur ishte kthyer në shtëpi aty kishte gjetur oborrin përplot me ushtarë të KFOR-it, duke fotografuar skenën e krimit.

Sipas dëshmitarit, tashmë i ndjeri Ibush i kishte marrë 4 plagë; tre ishin në pjesën e gjoksit, ndërsa një të katërt në dorën e majtë të tij.

Alishan Kllokoqi, pas pyetjeve të mbrojtjes, tregoi se vëllai i tij kishte punuar në sigurimin e shtetit nga vitit 1975, ndërsa ata së bashku ishin marrë me autobus që nga 1995-ta.

Ai tha se pas luftës, në një rast, Ibush Kllokoqi i kishte thënë: “Ndoshta do të shkoj në UÇK”. Sipas Alishanit, i vëllai nuk kishte frikë nga UÇK-ja.

Mbrojtja e pyeti edhe për të shtënat. E dëshmitari kujtoi se ato kishin qenë të shpejta e jo rafalë, porse arma që ishte përdorur, sipas tij, ka pasur një zhurmë tjetër nga një TT ose një 48-she. Ai nuk beson që arma të ketë pasur zhurmëshues.

Në fund, dëshmitari e konfirmoi se fqinji i tij i quajtur Gazmend, i kishte thënë se ata (kryesit) kishin ikur me një makinë, porse dëshmitari tha se nuk bazohej në fjalë të njerëzve.

Adem Salihaj, ish-kryetari i Ferizajt dhe i dëmtuari në këtë çështje, u riparaqit para gjykatës me kërkesë të prokurores Emma Rizzato. Prokurorja kishte kërkuar që ai të ftohet që të sqarohen disa çështje të ngritura nga alibia e të pandehurve, me theks të veçantë fotografia e Shaban Sylës.

Në seancat paraprake Hysri Rama, dëshmitar i alibisë për Shaban Sylën, kishte deklaruar para gjykatës se ishte ai që ia kishte dërguar fotografinë e Shaban Sylës dhe i kishte marrë 300 euro nga Adem Salihaj. Në fotografi shihej Shaban Syla në makinë BMW X5. Këtë fotografi Rama deklaronte se e kishte dërguar me kërkesë të Nazim Bllacës.

Por, Adem Salihaj në seancë deklaroi se nuk ka pranuar ndonjë fotografi nga askush dhe se nuk ka parë asnjëherë fotografi të Shaban Sylës. Ai shtoi se edhe fotografitë që i kishte parë në polici në fazën e hetimeve kishin qenë aq të dobëta, saqë nuk kishte arritur të identifikonte atë që kishte dashur të shtinte në të.

Salihaj e konfirmoi edhe një herë se data kur ishte tentuar të vritej ishte 12 qershori i 2000-së, rreth orës 14 deri në 14 e 20.

Mbrojtja u interesua edhe një herë për kontaktet e dëshmitarit – të dëmtuarit, me Nazim Bllacës. E dëshmitari nuk hezitoi të tregonte për kontaktet me e-maila, telefonata e mesazhe telefonike.

Në fund të seancës, prokurorja Rizzato njoftoi kolegjin se ajo pas hetimeve që kishte bërë lidhur me kërkesën e mbrojtjes që të sigurohen shiritat filmikë të xhirimeve të festimit të përvjetorit të hyrjes së NATO-së në Kosovë.

Prokurorja Rizzato kishte gjetur se në gazetën e 12 qershorit 2000 ishte shkruar se manifestimi në Prishtinë ishte mbajtur me datën 11 qershor dhe se aty kishin marrë pjesë mira njerëz. Po ashtu prokurorja tregoi se gazeta e datës 13 qershor tregon për tentimvrasjen e Adem Salihajt.

Të gjitha këto prokurorja kërkoi që të merren si prova materiale në shkresat të lëndës.

Deri më tani, mbrojtja është munduar përmes shumë dëshmitarëve të alibisë që të tregoi se me 12 qershor 2000, të pandehurit Shaban Syla dhe Shpresim Uka, kanë qenë në stadium duke festuar, e jo në Ferizaj siç pretendonte Nazim Bllaca në deklarimet e tij.

“Telegrafi-2010”

Artikulli paraprakPas denoncimit të Berishës, Policia pranon përdhunimin në grup të 33-vjeçares me të meta mendore
Artikulli tjetërKëto janë shenjat që tregojnë se mund ta keni kaluar Covid-19 pa e ditur