Si mashtroi qeveria me rritjen e pagave

Qeveria shqiptare trumbetoi për dy muaj me radhë rritjen e rrogave këtë vit duke e cilësuar atë si rritjen më të madhe në histori. “Falë reformave, që kemi ndërmarrë sot Qeveria është gati të zhvendosë 100 milionë dollarë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, që është shuma më e madhe e vënë ndonjëherë në dispozicion,” deklaroi publikisht kryeministri Edi Rama në fund të vitit të kaluar. Por në një letër zyrtare që i ka dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar para pak ditësh ministri i Financave, Arben Ahmetaj, pranon zyrtarisht se rritja e pagave është modeste. “Buxheti ka lejuar një rritje modeste të rrogave dhe pensioneve, respektivisht me 7 për qind dhe 3 për qind duke ruajtur faturën e pagave ndaj Prodhimit Kombëtar në të njëjtin nivel me vitin e kaluar,”- shkruan Ministri i Financave Arben Ahmetaj në letrën dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuar tre ditë më parë. Letra zyrtare që ministri i financave i ka dërguar FMN zbulon se rritja e rrogave që qeveria e ka trumbetuar si më të madhen në histori është në të vërtetë një farsë. Rrogat në sektorin publik nuk janë rritur që nga viti 2014 kur qeveria aktuale erdhi në pushtet. Të dhënat zyrtare tregojnë se rritja e pagave këtë vit nuk mjafton as për të kompensuar rritjen e çmimeve gjatë tre viteve të fundit. Si rezultat, Fondi Monetar e klasifikoi Shqipërinë si një nga tre vendet e vetme në Europë ku paga mesatare është ulur gjatë tre viteve të fundit duke çuar në varfërimin e qytetarëve. Hileja me rritjen e rrogave Por edhe rritja me 7 për qind e rrogave që qeveria akordoi pas tre vjetësh ngrirje nuk është e plotë. Në fillim kur lajmëroi rritjen e kryeministri tha se ajo do të jetë efektive nga 1 janari i këtij viti. Por plani u ndryshua dhe rritja e pagave dhe pensioneve u shty për në 1 Mars. Përmes këtij marifeti qeveria e uli fondin për rritjen e pagave të paktën me 30 milionë dollarë, para të cilat ja u mori punonjësve të sektorit publik. Në fillim kryeministri Rama deklaroi se rritja e pagave dhe pensioneve do të shtonte të ardhurat e punonjësve të sektorit publik dhe pensionistëve me 100 milionë dollarë. Por për shkak të hyrjes në fuqi në datën 1 mars shtesa që u akordua nga qeveria për rritjen e pagave dhe pensioneve këtë vit u rrudh në vetëm 70 milionë dollarë. Kjo është hera e para që nga ardhja e saj në pushtet që qeveria rrit rrogat dhe pensionet, por siç pranon para FMN edhe kjo rritje ishte me hile, pasi të punësuarit në shtet dhe pensionistët morën vetëm një pjesë të shtesës që ishte premtuar, e cila nuk kompenson dot as rritjen e çmimeve.

Artikulli paraprakRritet çmimi i naftës, po shkon drejt rekordit
Artikulli tjetërPS në minorancë, bllokohet Komisioni i Ekonomisë