Rritet çmimi i naftës, po shkon drejt rekordit

Çmimet e naftës kanë shënuar rritje ditët e fundit me 4-5 lekë për litër tek operatorët më të mëdhenj, duke reflektuar shtrenjtimin e naftës në tregjet ndërkombëtare.
Kastrati, operatori më i madh në treg, e shet naftën me 172 lekë dhe benzinën me 173 lekë, me një rritje prej 4 lekë për litër. Edhe Eida, tregtuesi i dytë më i madh e tregton naftën me 171 lekë dhe benzinën me 172 lekë, sërish 4 lekë më shumë se më parë.
Në tendencë rritjeje ka qenë dhe Gega Oil, që e shet naftën me 169 lekë.
Në fillim të janarit ishin operatorët e tjerë që i kishin rritur çmimet, ku Alpet e shtrenjtoi karburantin deri në 173 lekë. Edhe Gulf e reflektoi shtrenjtimin që në janar.
Sipas operatorëve, arsyeja kryesore e kësaj lëvizjeje rritet me ecurinë e naftës në bursa. Që prej dhjetorit, Brent -treguesi referencë i naftës europiane i ka kaluar 50 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që prej prillit 2016. Në fund të javës së kaluar, Brent u mbyll në nivelin e 55.9 USD/fuçi.
Kjo është hera e tretë që ka një valë të shtrenjtimit të çmimeve, që nga janari 2016 kur ato zbritën nën 160 lekë për litër.
Shqipëria ka karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtët në Europë. Sipas Global Petrol Price, në Shqipëri, nafta, sipas të dhënave të 27 shkurtit ishte 1.31 USD për litër (me rritjen e fundit ka arritur në 1.35), ndërsa në Maqedoni çmimi është 1.13 USD; në Mal të Zi 1.35 USD; në Serbi 1.23 USD; në Bosnjë, 0.96 USD për litër; në Bullgari 1.09 USD; në Rumani 1.14 USD. Shqipëria ka nivele të krahasueshme me Italinë, Zvicrën, Spanjën, Kroacinë, Irlandën, Gjermaninë etj.
Operatorët pohojnë se shkak për këtë është barra e lartë e taksave, që llogaritet në 67-70% të kostos.

Artikulli paraprakDhoma e Tregtisë kundër draftit të faljes
Artikulli tjetërSi mashtroi qeveria me rritjen e pagave