Si epitaf mbi varrin e konsensusit vullnetmirë

Oerd BYLYKBASHI

Mbushen 15 vjet nga marrëveshja historike politike Berisha-Nano e 5 prillit 2002, e cila pati për dëshmitarë edhe dy ambasadorë që lanë gjurmën e tyre në vendosjen e konsensualitetit politik në Shqipëri, gjermanin Geert Ahrens i OSBE dhe danezin Jorgen Grunnet i Këshillit të Europës.
Me atë marrëveshje që u parapri nga 5 muaj negociata konfidenciale dhe publike (22 shkurt 2002 dhe 17 mars 2002) ku kam patur fatin të marr pjesë, mori fund kriza politike e zgjedhjeve të masakruara e të vjedhura të viteve 2000 dhe 2001 dhe kriza e zgjedhjes së presidentit me vota të një mazhorance të vjedhur dhe u vendos fillimi i reformës konsensuale zgjedhore, zgjedhja konsensuale e presidentit, ndryshimi i Prokurorit të Përgjithshëm dhe shefit të SHISH.
‎Ajo ishte marrëveshja që shtroi rrugën për një dekadë reformash dhe politike, kushtetuese dhe ligjore konsensuale, e cila u mbyll për fat të keq me miratimin me konsensus të Kodit Zgjedhor në 2012. Ishin ato reforma kushtetuese dhe ligjore që stabilizuan vendin dhe mundësuan MSA, anëtarësimin në NATO, pranimin e aplikimit për anëtarësim në BE, liberalizimin e vizave, siguroi rotacionin politik paqësor të 2005 dhe atë të 2013‎. Ky i fundit siguroi edhe statusin e vendit kandidat.
Rama nuk arriti kurrë të prodhonte konsensus të tillë. Mbeti një lojtar i kësaj loje, maksimumi një mesfushor, por nuk arriti kurrë të ishte protagonisti i barabartë i një konsensusi politik. Asnjëherë nuk pati kurajën të nënshkruante një marrëveshje politike me kundërshtarin e tij. Por ta linte me kaq, përsëri do të ishte mirë.
Përkundrazi, në katër vitet e fundit ‎bëri ç’mos që ta shkatërronte konsensualitetin në politikë.‎ E nisi në 2013 me prishjen e paktit kushtetues për të mos futur kriminelë në Parlament e politikë vetëm e vetëm që të merrte pushtet. Vazhdoi me reformën e njëanshme territoriale që kishte vetëm qëllim elektoral për kapjen e pushtetit dhe me të cilën shkatërroi një nga themelet e stabilitetit politik e demokratik, vazhdoi më tej me reformën e njëanshme të drejtësisë ku theu edhe konsensusin kushtetues të 22 korrikut 2016, dhe e përmbylli me mosbërjen e një reforme konsensuale zgjedhore, për herë të parë pas 15 vitesh.
Ndokush mund të thotë se këto reforma patën bekim ndërkombëtar. Po, e mbështetur, asistuar dhe bekuar nga ndërkombëtarët ishte edhe reforma e njëanshme zgjedhore e 2000 që ishte po aq e rëndësishme sa ç’është sot Reforma në Drejtësi e 2016. Ajo reformë i dha të gjithë kontrollin e zgjedhjeve qeverisë socialiste, prodhoi katastrofat e zgjedhjeve lokale të 2000 dhe Dushkun dhe masakrën e zgjedhjeve të 2001. Më pas iu deshën 10 vjet ndërkombëtarëve të tjerë të stabilizonin gabimin e reformës së vitit 2000. Nëse nuk mësojmë vetë nga historia, historia ta jep leksionin me forma të tjera.
Kjo është trashëgimia politike e Ramës që e sheh veten reformator me kazëm dhe qysqi në dorë. Ky përvjetor e nxjerr zbuluar këtë kazmaxhi që bën marrëveshje vetëm kur është i dobët ose në hall, përndryshe i vë kazmën çdo gjëje të arritur me besim e konsensus. Ky përvjetor e tmerron Ramën sot kur Opozita dhe aleatët e tij po i kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme‎ të bëra nga një qeveri teknike, ku ai nuk do të jetë kryeministër.
Sot është gjithmonë e më i vetmuar, dhe duke i mbyllur derën arsyes, i ka mbyllur derën edhe konsensusit të gjerë që do risjellë normalitetin, stabilitetin dhe rikthimin në rrugën e integrimit si vend pa krim, drogë e pa korrupsion. E kujt i duhet një kryeministër i tillë, që krihet në “pasqyrën magjike” të 1 milion votave të shkuara e të konsumuara dhe pyet pasqyrën kush është më e bukura e mbretërisë?
Marrëveshja Berisha-Nano e 2002 sot e ka mbaruar funksionin e saj. Madje trashëgimia e saj është vrarë nga Rama dhe të gjithë ata që e bënë mbret, e mbajtën mbret dhe e sollën deri në këtë derexhe, pavarësisht pendesave. ‎Sot më shumë se kurrë, është nevoja për një konsensus të ri që bazohet mbi moral dhe parime. Atij që konsensusi i duket antivlerë apo diçka e keqe dhe e dëmshme, duke perifrazuar Oscar Wild, bën mirë të riekzaminojë ndërgjegjen e tij, sepse me siguri diçka i është qelbur në shpirt!
Të gjitha këto “pseudoreforma” të Ramës në 4 vitet e fundit, të cilat kanë dërrmuar apo rrënuar kolonat dhe themelet e Kushtetutës dhe kanë deformuar përfundimisht arkitekturën e saj, bashkë me vrasjen e politikës konsensuale, bëjnë të nevojshme një ngrehinë kushtetuese të re, krejt të re, që Opozita e ka pagëzuar Republika e Re. Por që në çdo rast në themel duhet të ketë parimin europian të konsensusit për vlerat dhe çështjet themelore.

Artikulli paraprakGodelli shpallet kampion Europe
Artikulli tjetërÇadra si simbol i shtëpisë së lirisë