Godelli shpallet kampion Europe

Daniel Godelli shkruan historinë. Peshëngritësi shqiptar i rikthyer në këtë sport pas një pezullimi 2-vjecar fitoi medaljen e Artë në stilin e shkëputjes në kampionatin europian që po zhvillohet aktualisht në Split të Kroacisë, duke ngritur në mënyrë të pabesueshme në provën e tretë peshën 161 kg. Pasi gaboi në dy provat e para me 156 dhe 158, Godelli u shfaq me i guximshëm se kurrë duke rritur shtangën me 3kg  të tjera dhe falë një prove force arriti ta kalonte sukses provën e fundit për të fituar medaljen e artë në shkëputje. Vetëm vendi i 6-sht për Erkand Qerimajn në shkëputje me shkodranin që ngriti vetëm 155 kg në provën e parë.
Daniel Godelli më në fund i ka hedhur pas krahëve shumë vështirësi duke i rikthyer si kampion në majën e Evropës.
Peshëngritësi Daniel Godelli ka marrë medaljen e artë në stilin e shkëputjes në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Split të Kroacisë. Ishin dy peshëngritës shqiptarë që garonin paralelisht në peshën deri në 77 kg, pikërisht Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj. Shkodrani e nisi me 155 kg stilin e shkëputjes dhe e ngriti me sukses në provën e parë. Godelli starton me 156 kg, por në provën e parë ka dështuar.
Në provën e dytë, Qerimaj ka tentuar të ngrejë 158 kg, por nuk ia ka dalë dot. Të njëjtën peshë ka provuar edhe Godelli, por sërish ka dështuar dhe u duk sikur ai u tërhoq fare në stilin e shkëputjes. Erkandi edhe në provën e tretë kërkon të ngrejë po 158 kg, por sërish nuk mundet dhe e mbyll garën në vendin e gjashtë me këtë peshë. Në fund fare ishte radha e Godellit, që me 161 kg tentoi gjithçka për gjithçka. Me vështirësi arrin ta ngrejë, por një triumf i padiskutueshëm. Flamujt kuqezi në sallë filluan të valëviteshin. Medalje ari në shkëputje, kampion Europe.

Çalja, medalje bronzi në Europian

Briken Çalja shpresonte të kthehej me medaljen e kampionit të Europës për peshën deri në 69 kilogramë nga aktiviteti që po zhvillohet në Kroaci. Por shtangisti shqiptar ka gabuar në shkëputje në të tre provat e tij dhe është detyruar të kënaqet vetëm me një të bronztë në shtytje, në një aktivitet ku mund të ishte përfaqësuar edhe më mirë.
Çalja kishte pretendime për medalje të artë, ndaj që në fillim të garës kishte caktuar pesha të larta për të filluar si në stilin e shkëputjes, ashtu edhe në shtytje, duke vendosur përkatësisht peshat 145 kg dhe 175 kg, të njëjtat me të cilat kishte filluar garën në Rio 2016, ku zuri vendin e 6-të.
Por shtangisti shqiptar duket se nuk i kishte bërë mirë llogaritë me peshën fillestare në shkëputje, pasi nuk arriti të realizonte asnjërën nga provat me 145 kilogram dhe humbi mundësinë për medalje si në këtë stil, ashtu edhe në dygarësh.
Shpresa e vetme e tij për sukses mbetej shtytja dhe Çalja vendosi që të ulte peshën fillestare me 5 kilogramë, duke realizuar provën e parë me peshën 170 kilogram. Ai u pozicionua menjëherë mes medalistëve në këtë stil me realizimin e peshës 175 kilogramë në provën e dytë, por më pas nuk ngriti të tretën me 178 kilogramë dhe mbylli aktivitetin me medaljen e bronztë.

Artikulli paraprakProtesta në Serbi: Vuçiç është gënjeshtar!
Artikulli tjetërSi epitaf mbi varrin e konsensusit vullnetmirë