Si duhet riorganizuar e djathta

Fatmir MEDIU

Sot bëhen votimet në PD. Pa dashur të hyj në polemikat e PD-së, por dhe si aleat i Partisë Demokratike do uroja që PD të jetë sa më e fortë dhe e bashkuar.
Jo vetëm procesi i bashkimit dhe forcimit të PD-së si forca kryesore e opozitës, por dhe riorganizimi i të djathtës është vendimtar.
Partitë tradicionale si Legaliteti dhe Balli Kombëtar (të dy partitë) duhet të jenë pjesë e rëndësishme e këtij riorganizimi.
Të përndjekurit politik dhe pronarët janë jo vetëm historia e të djathtës për të cilët duhet të krenohemi të gjithë, por dhe një forcë e jashtëzakonshme politike dhe elektorale injorimi i të cilëve ka sjellë pasoja të mëdha në peshën politike të së djathtës. Marrëdhënia me ta duhet të ridimensionohet dhe ata duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe konkurrimit elektoral.
Po ashtu njëherë e mirë profili ynë në mbështetje të biznesit duhet jo vetëm të shpjegohet si mundësia e vetme e zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe si një marrëdhënie e përditshme shumë solide që duhet të synojë në një angazhim të përditshëm për të fituar besimin dhe mbështetjen e tyre.
Rinia ka qenë forca e të djathtës dhe luftëtarët e lirisë, pragmatizmi i së majtës, duke e kushtëzuar të ardhmen e tyre me pushtetin dhe punën e shtetit ka krijuar dhe do krijojë një hendek të madh në demokracinë tonë të manipuluar nga Etatizmi i së majtës, prandaj angazhimi i tyre si forcë lëvizje drejtuese dhe jo skalion mbështetës është domosdoshmëri.
Pushtetit i marrë i së majtës që po shkatërron çdo vlerë tradicionale dhe konkurruese, me blerjen e votës, varfërinë dhe largimin masiv nga Shqipëria kërkon një gjykim dhe politikë krejt ndryshe të së djathtës.
Rama po shkatërron çdo vlerë pozitive të shoqërisë sonë, duke tentuar që korrupsionin e qeverisë dhe të majtës ta kthejë në një korrupsion të pranueshëm të shoqërisë.
E djathta duhet të jetë një strukturë politike dhe organizative vendimmarrëse ndoshta në një organizim federativ ku gjithë faktorët e saj të jenë pjesë e gjykimit dhe vendimmarrjes.
E djathta është një mozaik vlerash që bazohet tek Liria dhe Besimi, në luftë me pushtetin që kufizon lirinë dhe vendimmarrjen tonë.

Artikulli paraprakSfida nis nga sot, 60 mijë demokratë flasin me votë
Artikulli tjetërFaqja e pare