Shtyrja e datës, Ministria e Brendshme udhëzim të ri për listat e zgjedhësve

Ministria e Brendshme ka publikuar udhëzimin për listat e zgjedhjeve. Udhëzimi është firmosur nga ministri në largim Fatmir Xhafaj, i cili ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, përgjegjësit e zyrave të Gjendjes Civile në Njësitë Administrative, si dhe institucionet e tjera shtetërore që parashikohen në Kodin Zgjedhor. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Sipas vendimit, çdo zyrë e gjendjes civile në Bashki më datë 24 maj duhet të printojë nga Regjistri kombëtar i Gjendjes Civile tre formatet e listave të zgjedhësve për çdo qendër votimi, duke përfshirë edhe institucionet e posaçme nën juridiksionin territorial të saj. Vendimi vjen pas ndryshimit të datës së zgjedhjeve nga 18 qershor në 25 qershor. E njëjta situatë ndodh dhe me zgjedhjet në Kavajë, ku listat do të duhen të rifreskohen sërish, pasi dhe atje ka ndryshuar data e zgjedhjeve, që duhet të mbaheshin më datë 7 maj. Në fakt urdhri i ministrit është formal, pasi kodi e parashikon që 15 ditë nga dita e dekretetit të Presidentit, të publikohen lista e zgjedhësve, ndërsa hartimi i tyre fillon pesë ditë pas publikimit të tyre. “Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, jo më vonë se 5 ditë nga dita e dekretimit të datës së zgjedhjeve, urdhëron zyrat e Gjendjes Civile të fillojnë procesin e hartimit të ekstraktit të përbërësve zgjedhorë, në përputhje me këtë Kod. Jo më vonë se 15 ditë nga dita e dekretimit, zyra e Gjendjes Civile nxjerr në format elektronik ekstraktin me përbërësit zgjedhorë të të gjithë shtetasve me të drejtë vote në datën e zgjedhjeve, me përjashtim të shtetasve që kanë mbushur 100 vjeç deri në këtë datë” shprehet ligji. Por situata,  e krijuar me shtyrjen e datës së zgjedhjeve detyron Gjendjet Civile të ripublikojnë dhe një herë listat e publikuara më parë, dhe të bëjnë një rifreskim të tyre, pasi mund të ketë persona që brenda afatit kohor prej një javë kur është shtyrë data e zgjedhjeve të kenë mbushur moshën për të votuar dhe që s’mund të lihen jashtë listave. Të gjithë ata që se gjejnë veten në listë duhet të bëjnë kërkesë me shkrim pranë zyrave të Gjendjeve Civile ose në KZAZ-të përkatëse, me qëllim që të  regjistrohen si votues datën e zgjedhjeve. Por nga ana e tyre dhe vetë subjektet politike, është bërë zakon që të ngrenë shtabet e tyre për verifikimin e personave që se kanë emrin në listë. Gjithsesi, të gjithë ata që janë të interesuar për të votuar në datën 25 qershor, pas datës 24 duhet të rishohin dhe një herë për emrin e tyre në listën e zgjedhësve

Artikulli paraprakMediat e huaja jehonë marrëveshjes politike për zgjedhjet e lira në Shqipëri
Artikulli tjetërNgrihen Komisionet e Vetingut, ja kush janë emrat e opozitës