Shqiptarët shpenzojnë për shëndetin 10 herë më pak se Europa Lindore

Shpenzimet shëndetësore për frymë në Shqipëri arritën në 272 dollarë për frymë, sipas Indikatorëve të Zhvillimit Njerëzor, publikuar nga Banka Botërore, që i takojnë vitit 2014. Kjo shifër është 10 herë më e ulët se në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore (ECA), ku mesatarja e shpenzimeve shëndetësore për frymë është 2577 dollarë në vit. Banka raporton se shpenzimet për shëndetin në Shqipëri janë sa 5.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga të cilat 49.9% u financua nga sektori publik, 49.9% nga sektori privat dhe 0.6% e shumës u financua nga burime të jashtme. Në Shqipëri, shpenzimet për shëndetin janë sa gjysma e këtij zëri në vendet e Europës dhe Azisë Qendrore, ku shpenzimet për shëndetin arrijnë në 9.5% e PBB. Gjithashtu vendi ynë ka numër të ulët shtretërish për 1 mijë banorë në vetëm 2.4 të tilla, teksa rajoni i Europës dhe Azisë Qendrore ka 7.5 shtretër për mijë banorë. Vendi ynë ka numrin e mjekëve për banorë shumë më të ulët se mesatarja e rajonit. Sipas raportimit të Bankës Botërore, Shqipëria ka 1.1 mjekë për 1000 banorë teksa mesatarja e Europës dhe Azisë Qendrore është 3.4 mjekë për 1000 banorë. Edhe financimet publike janë shumë më të ulëta se rajoni marrë në studim. Nga 66% që është financimi në rajonin ECA, në Shqipëri është 49.9%. Popullsia e Shqipërisë, e përfshirë tashmë në procesin e plakjes dhe rënies së lindshmërisë, po përjeton edhe një barrë sëmundjesh në rritje.

Artikulli paraprakOKB vlerëson lirinë fetare në Shqipëri
Artikulli tjetërLeipzig “shënjestron” Maximilian Philipp