Shqipëria, i vetmi vend në rajon me rritje të kredive të këqija

Shqipëria është vendi i vetëm në rajon, ku kreditë e këqija vazhdojnë të rriten. Konstatimi vjen nga Banka Botërore. Në raportin e fundit rajonal, për ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore, Banka raporton se kreditë më probleme janë ulur në të gjitha vendet gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërsa në Shqipëri ato u rritën. “Ne rekomandojmë zbatimin e planit kombëtar për kreditë e këqija, veçanërisht dy pikave; ndryshimin e ligjit për përmbarimin privat dhe zgjidhjen e çështjes së 35 kreditorëve të këqij më të mëdhenj,” deklaroi shefja e zyrës së BB në Tiranë, Taseen Sayed. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kreditë e këqija u rritën me  2.9 pikë përqindje në gjashtë muajt e parë të vitit. Sipas BSH, nga 18.2 për qind e totalit që ishin në fund të dhjetorit, kreditë e këqija u rritën në 21.1 për qind në korrik. Banka e Shqipërisë paralajmëroi se sistemi bankar po përballet me një valë të re të kredive të këqija. “Brenda strukturës së kredive me probleme, zgjerimi i konsiderueshëm i klasës nënstandard tregon se ka një fluks të ri në klasat e kredisë me probleme,” – deklaroi BSH në raportin e fundit të sistemit financiar. Sipas Bankës Botërore, sistemi përmbarimor nuk ka incentivat e duhura për të ekzekutuar garancitë bankare, ndërsa 35 kreditorët e këqij më të mëdhenj vazhdojnë të kenë mbi gjysmën e kredive të këqija. Banka Botërore thotë se gjetja e një zgjidhje për këto dy çështje është kritike për uljen e kredive me probleme.

Artikulli paraprakEksportet në pikiatë, bien 5.8 për qind si 8-mujor
Artikulli tjetërFutbollistët më në formë se kurrë