Futbollistët më në formë se kurrë

Java e ardhshme do të sjellë emocionet e eliminatoreve të botërorit Rusi 2018, teksa kombëtarja shqiptare ka përpara dy sfida krejt të ndryshme. Të enjten e 6 tetorit kuqezinjtë luajnë në Vaduz ndaj Lichtenshtejnit, ndërsa 3 ditë më pas në “Loro Boriçi” ndaj Spanjës. Trajneri Giani de Biasi ka marrë lajme të mira në javët e fundit nga futbollistët e tij, për vetë gjendjen dhe minutazhin e tyre. Etrit Berisha u largua nga Lacio drejt Atalantës për të fituar më shumë minuta, teksa në Bergamo është kthyer në titullar në 3 sfidat e fundit të kampionatit.
Në gjurmët e tij po ecën edhe Thomas Strakosha që në dy takimet e fundit është aktivizuar si titullar tek Lacio pas dëmtimit të Marchetti-t. Të dy gardianët kuqezi janë vlerësuar me nota të mira në ndeshjet e aktivizuara. Në mbrojtje Mërgim Mavraj tashmë është kthyer në një pikë referimi për Këlnin, duke qenë një titullar fiks për skuadrën e Bundesligës. 5 ndeshje, 450 minuta për Mavrajn në startin e këtij sezoni, që sheh aktualisht Këlnin të renditet e 3 pas dy gjigantëve Bayern Mynih dhe Borusia Dortmund.
Kalimi tek Avellino në Serinë B i ka shërbyer Berat Gjimshitit që është aktivizuar si titullar në 4 sfidat e fundit të skuadrës së tij. Mbrojtësi 23-vjeçar ka lënë përshtypje të mirë pavarësisht se Avellino nuk ka gjetur ende fitoren e parë duke qenë në vendin e fundit në Serie B. Për Ansi Agollin fjalët janë të pakta, pasi Qarabag duket se nuk mund të bëjë pa kapitenin e përfaqësueses tonë. Në 6 ndeshjet e kampionatit Agolli është aktivizuar në dy prej tyre, teksa nuk ka munguar në asnjë nga sfidat e kompeticioneve të UEFA-s, 4 në Champions League dhe 3 në Europa League.
Frederik Veseli më në fund ka marrë lejen për t’u aktivizuar me Empolin dhe pritet debutimi i tij në Serinë A, teksa ka qenë i gatshëm në stol për duelin me Lacion. Ç’mund të thuhet për Elseid Hysajn që është titullar fiks tek Napoli, teksa në ditët e fundit ka zgjatur më tej kontratën duke patur dhe një klauzolë rekord për futbollin shqiptar, plot 50 milionë euro për kartonin e tij. Me shiritin në krah ka luajtur në sfidën e fundit Andi Lila që tek Pas Janina është kthyer në një lider, ku ka luajtur edhe 4 takimet e Europa League. Migjen Basha ka nisur të aktivizohet tek Bari ku në sfidën e fundit ndaj Ternanës u aktivizua për 90 minuta.
Ergys Kaçe duket si i çliruar nga hekurat, pasi nuk po ndalet tek Viktoria Plzen. Korçari ka luajtur 3 ndeshje në kampionat, një në Europa League dhe në 46 minuta aktivizim në kupë ka gjetur golin e parë në Çeki. Amir Abrashi është një titullar fiks tek Freiburgu në Bundesligë, ku në 5 javë kampionat është aktivizuar në 4 prej tyre, si dhe në të vetmen sfidë të kupës së Gjermanisë. Burim Kukeli është një pikë fikse në formacionin e Zyrihut si në kampionat ashtu edhe në Europë, teksa formë të mirë po kalon edhe Jahmir Hyka që në 9 javë e ka nisur si titullar duke shënuar edhe 3 gola.
Gjithnjë lider në fushë është Taulant Xhaka për Bazelin, që nuk heq dorë nga mesfushori, i cili është aktivizuar si titullar në 9 sfidat e kampionatit duke u zëvendësuar vetëm dy herë, teksa në Champions League ka mbyllur të plota 90 minutat ndaj Ludogorets. Në Serinë A moment të mirë po përjetojnë dy futbollistët e Peskarës, Ledian Memushaj dhe Rei Manaj. Mesfushori është titullar i padiskutueshëm dhe kapiten i ekipit, teksa sulmuesi lushnjar po aktivizohet nga stoli, ku në 133 minuta ka shënuar 2 gola. 19-vjeçari po fiton dita-ditës pikë si në skuadrën e tij të re ashtu edhe në përfaqësuese.
Në Rusi Balaj dhe Roshi kanë gjetur veten tek Terek Grozny. Shkodrani është aktivizuar në 7 takime duke shënuar 2 gola, teksa mesfushori ka 5 ndeshje me skuadrën ruse 2 prej të cilave si titullar. Shkëlzen Gashi po kalon një moment të mirë me Koloradon ku golat e tij nuk mungojnë në kampionatin amerikan, teksa nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Sokol Cikalleshin.
Lajmi mirë për De Biasin është se Armando Sadiku nuk ka probleme serioze dhe për sfidat ndaj Lichtenshtejnit e Spanjës do të jetë i gatshëm. Me këtë formë të lojtarëve, shpresat që Shqipëria të marrë rezultate të mira nga dy ndeshjet e tetorit janë të mëdha, pasi rrallë herë përfaqësuesja kuqezi ka patur kaq shumë futbollistë në gjendjen optimale.

Artikulli paraprakShqipëria, i vetmi vend në rajon me rritje të kredive të këqija
Artikulli tjetërLila merr çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes