Shkurtojnë ndihmën ekonomike dhe rrisin pagat e njerëzve pranë tyre

E ndërsa listat e personave që duhet të përfitojnë ndihmë ekonomike, ashtu si edhe listat e personave me aftësi të kufizuara shkurtohen nga viti në vit, si Kryeministria ashtu edhe bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës, kujdesen që të trajtojnë me paga të majme njerëzit e punësuar pranë tyre. Pak ditë më parë, përmes një vendimi të posaçëm Rama firmosi për rritjen e pagave me rreth 200 mijë lekë të vjetra të zyrtarëve të lartë në Kryeministri, kryesisht njerëzit e stafeve politike. E njëjta gjë po ndodh edhe në Bashkinë Tiranë, Veliaj ka propozuar një vendim sipas të cilit pagat e punonjësve në prag fushate rriten deri në 36%. Ky vendim vjen në një kohë kur masa dërrmuese e popullsisë po vuan nga varfëria ekstreme, papunësia dhe niveli i ulët i cilësisë së jetesës.
Ashtu si administrata, edhe punonjësit e Bashkisë do të përfitojnë këtë muaj rritje të pagës mujore. Bëhet fjalë për një shtesë mesatare 7 për qind për nëpunësit, ndërsa punonjësit e Bashkisë do të përfitojnë 30 deri në 36% rritje mbi pagën që kishin. Gjithçka do të vendoset të mërkurën e javës që vjen, më datë 5 prill, në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak. Përveç kryetarëve që janë vetëpërjashtuar nga shtesa mbi pagë, të gjithë funksionarët dhe nëpunësit civilë në Bashkinë e Tiranës do të paguhen 10% më shumë. Pagën më të ulët e kanë pastrueset, të cilat do të përfitojnë një rritje të konsiderueshme që e çon pagesën mujore në 30 mijë lekë për të gjitha institucionet (32 mijë për pastrueset e bashkisë).
Ndërkaq, strukturat e Policisë Bashkiake do të përfitojnë shtesë page prej 15%. Kështu, kryeinspektori do të paguhet 97 mijë lekë, nga 86.850 që merrte deri më tani, një inspektor i thjeshtë 76.500 dhe punonjësi i Policisë Bashkiake do të paguhet 58.850 lekë, nga 52.500 që merrte më herët. Me vendimin e ri, 24 administratorët e njësive bashkiake do të përfitojnë një shtesë prej 10%, duke marrë një pagë që shkon minimalisht 60 mijë për njësitë me më pak se 5 mijë banorë e 115 mijë lekë/muaj për administratorin e njësive që i kalojnë 50 mijë banorët.
Në të njëjtin nivel shkon masa e rritjes edhe për përgjegjësit e sektorëve, të zyrave e specialistët. Një rritje jo e vogël është vendosur edhe për drejtoritë e punëtorëve të qytetit 1, 2 dhe 3, pagat e të cilëve variojnë nga 30 mijë për pastruesit e deri në 115 mijë për drejtuesit.

Artikulli paraprakTenderat dhe QSUT, renditja e 10 kompanive fituese me vlerën më të lartë
Artikulli tjetër12 të ardhurat që nuk tatohen