12 të ardhurat që nuk tatohen

Kudo në botë të ardhurat tatohen, por ka disa burime të ardhurash për disa kategori që nuk i nënshtrohen tatimit. Në Shqipëri sipas një udhëzuesi të posaçëm të tatimeve janë 12 zëra të ardhurash që nuk i nënshtrohen tatimeve, si më poshtë:
1- Të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe ndihmat ekonomike për individët pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta.
2- Bursat e nxënësve dhe të studentëve.
3- Shpërblimet e marra në raste sëmundjesh, fatkeqësish, në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës në fuqi.
4- Të ardhurat e përfituara, përfshirë të ardhurat në formë monetare ose në natyrë, nga pronarët si shpërblim për shpronësimet që i bëhen nga shteti për interesa publike.
5- Të ardhurat që përjashtohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë.
6- Të ardhurat e përfituara si rezultat i kompensimit financiar, për ish-pronarët dhe ish-të dënuarit politikë.
7- Kontributet e bëra nga punëdhënësi për sigurimin e jetës dhe të shëndetit të punëmarrësve.
8- Përfitimet për dëmshpërblime, të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore.
9- Të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritjet në shkencë, sport, kulturë.
10- Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer i regjistruar te një fermer apo person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor.
11- Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi të pensionit vullnetar deri në masën e përcaktuar në ligjin për fondet e pensionit vullnetar.
12- Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensioneve, gjatë administrimit nga shoqëria administruese.

Artikulli paraprakShkurtojnë ndihmën ekonomike dhe rrisin pagat e njerëzve pranë tyre
Artikulli tjetërArlind Ajeti në “provë”