Shkupi-Ramës: Do sherr me fqinjët për problemet e veta

Një ditë pas reagimit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për vendimin e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka reaguar kryeministri teknik, Emil Dimitriev, duke e porositur Ramën se ndërhyrja e vazhdueshme e Tiranës në punët e brendshme të Maqedonisë shkakton dëm të madh në marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe është kundër vlerave evropiane.
“Besoni, ajo nuk i ndihmon askujt. Nuk i ndihmon Shqipërisë, qytetarët e së cilës presin nga ju të angazhoheni në dobësitë e qeverisjes dhe ato ekonomike. Nuk i ndihmon BE-së sepse ato e kanë të qartë që ju kërkoni vetëm arsye për t’u zënë me fqinjët që të mos flitet për atë që e keni bërë apo nuk e keni bërë në shtëpi. Nuk i ndihmon as Maqedonisë, qytetarët e së cilës duan shtet sovran dhe të pavarur në kufijtë ekzistues. Ata qytetarë e paguajnë çmimin e ambicieve tuaja për ridefinimin e Maqedonisë, në vend se ta reformoni Shqipërinë në kufijtë ekzistues. Nuk u ndihmon as partive në Maqedoni kundrejt të cilave silleni si mbrojtës në mënyrë nënçmuese”, ka thënë Dimitriev në reagimin e tij.
Ai ka shtuar se është i bindur që edhe pa ndërhyrjen e Tiranës zyrtare Maqedonia do të gjejë zgjidhje për sfidat.
“Së fundmi, është shumë jokorrekte të ndizni zjarrin nacionalist. Gjuha shqipe është e përfaqësuar gjerësisht në Maqedoni. Gjuha shqipe, po ashtu edhe turke, serbe, vllehe, boshnjake dhe rome, bashkë me gjuhën maqedonase është pjesë e kulturës dhe pasurisë së Maqedonisë. Angazhojmë resurse të mëdha për promovimin e gjuhës dhe kulturës të bashkësive tona etnike. Do të ishte mirë të na ndiqni në këtë drejtim. Në Shqipëri, jo shumë kohë më parë, patjetër të mbylleshin dritaret nëse nëpër shtëpi është folur gjuha amtare, që të mos dëgjojë dikush. Ne këtë përvojë nuk e kemi pasur asnjëherë. Qytetarët maqedonas, pa dallim të përkatësisë etnike dhe fetare, vetë kanë tejkaluar shumë kriza në histori, do ta tejkalojnë edhe këtë. Qëllimi ynë i përbashkët është që edhe në të ardhmen të vazhdojmë në ndërtimin e shoqërisë së fortë qytetare, e cila do të jetë pjesë e familjes euroatlantike”, përfundon Dimitriev.

VMRO- DPMNE: Zaev ke votat tona, hiq dorë nga shqiptarët

Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së në seancën e djeshme e riafirmoi pozitën dhe qëndrimin e partisë “se në rastin konkret, çmimi është më i vogël që të kënaqë dëshirën e LSDM-së, e cila dëshiron të marrë pushtetin edhe krahas humbjes, të cilën e përjetoi në zgjedhjet e fundit”. VMRO-DPMNE-ja do ta mbështesë qeverinë e tyre të ardhshme, vetëm nëse heqin dorë nga shantazhet dhe tërësisht e hedhin poshtë platformën nga Tirana, bënë të ditur nga kjo parti.
Sipas VMRO-DPMNE-së, realizimi i platformës nga Tirana do të thotë ridefinim i plotë i Republikës së Maqedonisë, shndërrimi i saj nga shteti multietnik në binacional, i cili në fazat e vona do të federalizohet, kantonizohet dhe ndahet.
“VMRO-DPMNE-ja nuk do të lejojë realizim të skenarit të tillë, i cili është në kundërshtim me interesat shtetërore dhe nacionale dhe do të qëndrojë në anën e popullit, i cili në zgjedhje votoi për platformën nga Tirana. Në të kundërtën, shumica e qytetarëve e mbështetën programin e VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni ‘Për një Maqedoni më të mirë’ dhe VMRO-ja ka për obligim ndaj votuesve ta respektojë dëshirën e tyre”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.
Riafirmimi i qëndrimit të KE të VMRO-DPMNE-së për mbështetje të qeverisë së LSDM-së, përderisa partia e hedh poshtë platformën e partive shqiptare, është sjellë në seancën e djeshme pas analizës së bërë të gjendjes politike pas arritjes së marrëveshjes midis LSDM-së dhe BDI-së me të cilën janë siguruar nënshkrimet për kërkesën e mandatit për përbërje të koalicionit të ardhshëm qeveritar.
“Jotransparenca e tërë procesit dhe krijimi i marrëveshjes, lë dyshim të madh për rreziqet, të cilat i përmban e njëjta. Sipas KZH-së arritja e marrëveshjes me të cilën vendoset për ardhmërinë e një Maqedonie të bashkuar, sovrane dhe multientike pas dyerve të mbyllura, krijon tensione në vend dhe e zgjon urrejtjen midis qytetarëve. Dëmet e shkaktuara nga veprimi i tillë mund të jenë të mëdha dhe largpamëse”, shtohet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Artikulli paraprakTirana dhe Prishtina nuk na dëgjuan
Artikulli tjetërNishani-Calaverës: Kushtetuta e detyrueshme për t’u zbatuar