Nishani-Calaverës: Kushtetuta e detyrueshme për t’u zbatuar

Presidenti Bujar Nishani i ka shprehur dje Drejtoreshës për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz-Calavera rëndësinë që ka zbatimi i Kushtetutës në lidhje me Reformën në Drejtësi. Gjatë një takimi të zhvilluar dje në Presidencë, Nishani ka vlerësuar  punën e madhe që është bërë deri tani në lidhje me Reformën në Drejtësi, ndërsa ka evidentuar se dy elementët që kanë qenë dhe mbeten thelbësorë për suksesin e Reformës në Drejtësi janë konsensusi dhe besueshmëria. Kreu i Shtetit inkurajoi zonjën Calavera, dhe nëpërmjet saj institucionet e Bashkimit Evropian, që të nxisin më tej procesin në këtë trajektore, me qëllim rritjen e besimit ndërmjet palëve dhe tek qytetarët shqiptarë.
Kreu i Shtetit gjithashtu theksoi se ftesa e drejtuar ndaj partnerëve ndërkombëtarë për të ndihmuar në realizimin e Reformës në Drejtësi ka qenë shumë e sinqertë, ndaj përfshirja e tyre edhe në Kushtetutën e vendit, edhe pse përbën një rast unik, është gjykuar si thelbësore për zbatimin efikas të reformës.
Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës informoi se në cilësinë e Kreut të Shtetit ka kërkuar zbatimin rigoroz të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit nga të gjitha palët përfshirë dhe partnerët ndërkombëtarë, siç janë miratuar konsensualisht në Kuvendin e Shqipërisë dhe dekretuar nga Presidenti i Republikës, duke besuar në suksesin e këtij procesi të pakthim. Gjatë takimit, Presidenti Nishani vuri në dukje edhe domosdoshmërinë e shmangies së çdo tentative për politizimin e procesit, duke inkurajuar transparencën, paanshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tij në çdo etapë.
Presidenti Nishani falënderoi Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian, përfshirë në reformën aq jetike për vendin, atë të drejtësisë.

Vasili denoncoi bordin e OMN si antikushtetues

Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili e ka cilësuar si antikushtetues Bordin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ndërsa ka deklaruar publikisht se ky bord cënon besueshmërinë e Reformës në Drejtësi. Ai ka sqaruar se kjo strukturë nuk është parashikuar as në Kushtetutë dhe as në paketën ligjore që lindi nga ndryshimet e ligjit themeltar të shtetit. Ministri Vasili thotë se nuk pret përgjigje për këtë shqetësim, por nga institucionet që i ka vënë në dijeni me anë të një shkrese zyrtare, kërkon reagim për këtë shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve shqiptare ende pa u tharë boja e ndryshimeve për Reformën në Drejtësi. Kreu i ri i dikasterit të Drejtësisë ka një përgjigje edhe për zërat nga radhët e mazhorancës që mendojnë se kur bëhet fjalë për ndërkombëtaret shkelja e Kushtetutës mund të tolerohet. Veç Bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Reformës në Drejtësi janë vërejtur edhe në përzgjedhjen me short të Anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, debat që u rindez nga një letër e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili gjithashtu shprehet se Këshilli është në kundërshtim me Kushtetutën. Por a e cenon Reformën në Drejtësi fakti që ngritja e 2 institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë ka nisur me shkelje kushtetuese? Dy institucionet e para të Reformës në Drejtësi kanë nisur kështu në shkelje të hapur të Kushtetutës.

Peticioni për Vetingun në Kuvend, firmat u hodhën pa asnjë verifikim

31 mijë e 700 firma thuhet se janë mbledhur në çadrat që ngriti një pjesë e shoqërisë civile, e frymëzuar nga qëndrimi i Partisë Socialiste për Vetingun. “Nisma e peticionit synon t’i japë zë qytetarëve dhe jo politikanëve”, tha një aktiviste e angazhuar në mbledhjen e firmave, ndërsa e dorëzoi peticionin në dyert e Parlamentit. Por mënyra si procedohet për firmosjen e peticionit, duket se eliminon zërin e qytetarëve dhe e kthen procesin në një mjet të politikës. “Lapsi.al” raportoi më herët se peticioni mund të nënshkruhej nga çdo person që afrohej tek çadrat, pa paraqitur asnjë dokument që vërteton identitetin e tij. Kjo precedurë e dyshimtë lë hapësira për abuzime, pasi një person mund të firmosë disa herë me emra të ndryshëm. Firmën e hodhën edhe drejtues të Partisë Socialiste. Një nga këta ishte Erjon Veliaj që kërkoi që peticionin ta nënshkruanin 1 milion shqiptarë. Këtu nuk ka asgjë të çuditshme. Ashtu siç është organizuar puna, shifra mund të shkojë në disa milionë.

Arben Shahini

Artikulli paraprakShkupi-Ramës: Do sherr me fqinjët për problemet e veta
Artikulli tjetërÇdo sakrificë për votën do ta mbrojmë me çdo çmim