Shënim/ 2024 do jetë viti i Partisë Demokratike të Shqipërisë

Politikisht kjo klasë politike ka arritur t’i vrasë shpresat e njerëzve dhe të induktojë tek ata idenë e mospasjes së forcës për të ndryshuar.

Ne nuk jemi më të mirët, thotë Edi Rama, por më të mirë se ne nuk ka dhe tregon me gisht nga Berisha dhe Meta.

Madje, fushatën e 2021 me këtë slogan e bëri: Votoni Bashën, të merrni Berishën dhe Metën.

Mirëpo, politika është një rrobë që tripset tmerrësisht shpejt dhe në kohën kur Berisha dhe Meta janë duke u përballur me hallet e tyre penale, dëshpërimi më i madh është në paradhomën e Edi Ramës.

Ai e di se pas tyre është radha e tij.

Kjo nuk do të thotë një fitore dhe një mundësi a priori e Partisë Demokratike, që ta vendosë atë në gjumë dhe të pres të bien kokrrat nga pema.

Përkundrazi!

Kjo është një periudhë e artë për Partinë Demokratike, për t’u ringritur, për t’u bashkuar, për t’u forcuar, për të hedhur pas dekurajimin, plogështinë dhe angështinë, për të mos u marrë me veten, por duke përmirësuar vetveten për t’u shndërruar në forcë konkurruese, që emeton besim, shpresë dhe dritë te shqiptarët.

Nuk është e lehtë, por as e pamundur.

Është e vëshitrë, por e vetmja rrugë.

Ky vit që na pret, i ka të gjithë mundësitë për ta ringritur dhe forcuar Partinë Demokratike.

Sigurisht që nuk mund të pritet vetëm nga Lulzim Basha, edhe pse ai e ka peshën më të madhe, por gjithsekush duhet të japë kontributin e tij, duke e parë PD-në se një organizatë ku secili ka kreditet e veta.

Partia Demokratike është e vetmja shpresë në këtë situatë të pashpresë, është e vetmja anije që lundron në ujra të kthejllta në një det të trazuar dhe të bërë pis, është partia që jo me dëshirën e saj në një periudhë dyvjeçare bëri një kullim të të gjithë llumrave të trancizionit dhe të korrupsionit, duke u distancuar prej atyre që deri më dje shqiptarët i tregonin me gisht dhe i kishin motiv dhe arsye për të mos e votuar PD-së.

Sot nuk ka as justifikim, as arsye për të mos u votuar!

Ajo duhet të ringrihet, të forcohet dhe të ecë përpara.

Koha punon për të, por PD-ja duhet të punojë për shqiptarët, që të bëhet zëri i tyre, shqetësimi dhe halli i tyre, të ngrejë lartësinë e aksionit të saj në nivelin e kërkesave të njerëzve.

Nuk është e paarritshme.

Partia Demokratike i ka të gjithë potencialet njerëzore, intelektuale, kulturore, profesionale, për t’ia arritur një gjëje të tillë.

2024 do jetë viti i Partisë Demokratike të Shqipërisë./ NL

Artikulli paraprakUrimi i gazetës “RD”/ 2024 qoftë vit i ndryshimit, i ringritjes dhe i paqëtimit!
Artikulli tjetërOrët e fundit të ndërrimit të viteve, kreu i PD, Lulzim Basha, uron familjarisht Vitin e Ri