Indeksi i Çmimeve të Ushqimit, FAO: Çmimet u rritën me 1.4% gjatë qershorit

Çmimet e produkteve ushqimore në bursë në nivel botëror regjistruan rritje, gjatë muajit qershor, kryesuar nga çmimet e grurit dhe mishit. Sipas organizatës ndërkombëtare për bujqësinë dhe ushqimin, FAO, indeksi mujor i tregut, që vëzhgon çmimet në tregun ndërkombëtar për pesë grupe kryesore të produkteve ushqimore ishte mesatarisht 175.2 pikë në qershor. Sipas të dhënave rezulton se, Indeksi i Çmimeve të Ushqimit u rrit me 1.4% në qershor, krahasuar me majin, ndërsa në nivel vjetor rritje rezultoi me 7%. Indeksi i çmimeve të drithërave i FAO-s u rrit me 4.2 për qind gjatë muajit qershor, për shkak të rritjes së çmimit të grurit me nivel të lartë proteinash, për shkak të përkeqësimit të kushteve të bimëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çmimet e misrit, nga ana tjetër, u ulën pas të korrave rekord në Amerikën e Jugut. Sipas FAO, edhe mishi dhe produktet e qumështit shënuan rritje, ndërsa vajrat bimore dhe sheqeri ranë. FAO rishikoi me ulje parashikimin e qershorit për prodhimin botëror të grurit në vitin 2017, duke rritur prodhimin e misrit dhe orizit. Prodhimi në nivel botëror i drithërave për këtë vit ka të ngjarë të arrijë në 2.5 miliardë tonë, rreth 0.6 për qind më pak se në vitin 2016. Stoku i drithërave në nivel botëror pritet të zgjerohet më tej në një rekord të ri prej rreth 704 milionë tonë.

Artikulli paraprakSHBA: Qytetarët përgjegjës që votojnë të korruptuarit
Artikulli tjetërAutoriteti Bankar europian paralajmëron për vjedhjen e parave nën logon e saj