SHBA, plane për rikthimin e njeriut në hapësirë

Presidenti Donald Trump i kërkoi Administratës Kombëtare të Hapësirës të rigjallërojë programin e eksplorimit të hapësirës, që synon dërgimin e astronautëve amerikanë në Hënë dhe përfundimisht në Mars.
Presidenti Trump e nënshkroi direktivën e re për agjencinë e hapësirës të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
“Presidenti ka vendosur të ndryshojë politikën e fluturimeve me njerëz në hapësirë, që Amerika të bëhet forca lëvizëse për industrinë e hapësirës, të fitojë njohuri të reja mbi kozmosin dhe të krijojë teknologji të papara”, tha në një deklaratë të hënën zëvendës/sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley.
“Që nga fillimi i administratës së tij, Presidenti Trump ka ndërmarrë hapa për ta përqendruar NASA-n te misioni i saj kryesor i eksplorimit të hapësirës”, tha ai.
Zoti Trump e ka bërë të qartë se, ai dëshiron që Shtetet e Bashkuara t’i rikthehen në përmasa të mëdha eksplorimit të hapësirës.
Zëvendëspresidenti Mike Pence, që është kreu i Këshillit Kombëtar të Hapësirës, tha në tetor se qëllimi i programit do të ishte rikthimi i rolit udhëheqës të Amerikës në eksplorimet me njerëz në hapësirë.
“Ne do t’i kthejmë astronautët amerikanë në Hënë, jo vetëm për të lënë atje gjurmët e këmbëve dhe flamuj, por për të ndërtuar bazat që na nevojiten për të dërguar amerikanët në Mars dhe më gjerë”, tha zëvendëspresidenti.

Artikulli paraprakPse Trump është i vetmi në gjendje që të sfidojë të majtën dhe median
Artikulli tjetërGjermani: 13 milionë euro ndihma për Kosovën