Shansi i fundit për Sinisa Mihajloviç

Përballja me Juventusin në “San Siro” në kuadër të javës së 31-të të Serisë A, mund të jetë e fundit për trajnerin e Milanit, Sinisa Mihajloviç, i cili ka qenë disa herë “në fije të perit” gjatë këtij sezoni futbollistik. Presidentit Silvio Berlusconi duket se i ka sosur durimi dhe nuk do të presë finalen e Kupës së Italisë për ta shkarkuar serbin në rast se humbet ndaj bardhezinjve në fundjavë.
“Cavalieri” duket se e ka vendosur: një tjetër rezultat negativ, që me shumë mundësi do ta zbriste “Djallin” në vendin e 7-të do të thoshte shkarkim i menjëhershëm i trajnerit. Tekniku i ri pret te dera. Cristian Brocchi, i promovuar me skuadrën e të rinjve të Milanit, do të merrte menjëherë frenat e skuadrës. Ndeshjet e mbetura do t’i shërbenin për të krijuar një ide sa më të qartë për organikën kuqezi për sezonit e ri.
Është ai zgjedhja e Berluskonit për të ardhmen. Pas ndeshjes së radhës me Juventusin apo në fund të sezonit, largimi i Mihajloviç është vendosur. Milani edhe në rast se do të bëjë mrekullinë në Kupën e Italisë, duke siguruar pjesëmarrjen në Europa League, do të ketë një emër të ri në pankinë.
Silvio Berluskoni duket se e ka humbur durimin me skuadrën e tij. Presidenti i Milanit nuk e priti aspak mirë humbjen me Atalantën dhe tashmë paralajmëron trajnerin Sinisha Mihajloviç, për të cilin sfida me Juventusin bëhet jetikë. Sipas asaj që publikohet në median italiane, Berluskoni tashmë e ka marrë vendimin e tij, në rast se Milani humbet, atëherë Mihajloviç do të largohet nga pankina për t’u zëvendësuar nga Kristian Broki, për të cilin kjo fazë e sezonit mund të jetë një përgatitje për atë që do të vijë më pas, pasi është pikërisht ai emri i parë në listën e Berluskonit për të drejtuar “kuqezinjtë”.
Megjithatë te Milani që jo të gjithë mendojnë si Berluskoni. Adriano Galiani në të vërtetë thekson se zgjidhja më e mirë për skuadrën është vazhdimësia dhe se përgjegjësia më e madhe për rezultatet e ndeshjeve të fundit është pikërisht e lojtarëve. Por problemi qëndron se, Galiani këtë mbështetje ndaj Mihajloviç e shpreh vetëm me fjalë dhe jo me fakte.

Artikulli paraprakConte drejt Chelsea, por rrezikon 6 muaj pezullim
Artikulli tjetërTrump fiton mbështetje edhe në Moskën e Putinit