Seria B, duel për Migjen Bashën

Ka një duel mes Avellinos dhe Barit për shërbimet e Migjen Bashës. Dy skuadrat e Serisë B në futbollin italian e pëlqejnë shumë 29-vjeçarin e kombëtares shqiptare, të cilin e konsiderojnë një element mjaft cilësor për përforcimin e mesfushës. Gjatë të premtes fillimisht u fol për interesimin e Avellinos, ndërsa në orët e fundit “Gazzetta dello Sport” ka zbuluar se është Bari më i avantazhuar për të siguruar firmën me lojtarin kuqezi. Basha është një emër i njohur në futbollin italian, ku ka luajtur me disa skuadra në kategori të ndryshme. Gjatë fazës së dytë të sezonit të kaluar ishte pjesë e Comos, por pa mundur ta ndihmojë skuadrën nga rënia një kategori më poshtë.
Grumbullimi dhe aktivizimi në radhët e kuqezinjve në Euro 2016 ishte një tjetër bonus për Bashën për të mbetur në tregun e lojtarëve cilësorë. Si Avellino ashtu edhe Bari synojnë të ngjiten në Serinë A sezonin e ardhshëm, për këtë arsye po kërkojnë një mesfushor që ka dhënë prova në futbollin italian. Futbollisti shqiptar i plotëson këto kushte, por para se të marrë një vendim përfundimtar do t’i vlerësojë me qetësi të gjitha ofertat në drejtim të tij.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërGashi: Goli me Armeninë, më i rëndësishmi