Gashi: Goli me Armeninë, më i rëndësishmi

Colorado Rapids organizoi një komunikim pyetje-përgjigje në adresën e saj në Twitter mes tifozëve të kësaj skuadre dhe Shkëlzen Gashit. Fansat e skuadrës amerikane shuan kuriozitetin duke marrë informacione për karrierën futbollistike, por edhe rreth jetës private të sulmuesit kuqezi. Mes tifozëve të Rapids që i drejtuan pyetje 27-vjeçarit ishin edhe disa shqiptarë. Edhe pse vetë është futbollist, Gashi i tregoi fansave se i pëlqen shumë tenisi dhe basketbolli, sporte që do t’i ndjekë më shumë gjatë Olimpiadës së Rios. Interesante përgjigjja e Gashit për pyetjen se çfarë profesioni do të kishte zgjedhur nëse nuk do të ishte bërë futbollist. Ai theksoi se ndoshta do të ishte diplomuar në jurisprudencë ose do të bëhej pilot.
Çdo futbollist ka preferencat e tij përsa u përket kolegëve që luajnë me skuadrat më të mira në botë. Gashi, nëse do të kishte patur mundësinë e zgjedhjes, do të preferonte të luante përkrah Ronaldos. Nga ushqimi i preferuar, që është flija tradicionale shqiptare, te goli më i buku në karrierë. Shkëlzen Gashit veçon finalizimin në fitoren 2-1 me Armeninë në “Elbasan Arena”, shumë i rëndësishëm për kualifikimin e Shqipërisë në finalet e Europianit. Nga eksperienca e deritanishme në MLS, Gashi veçon si atmosferën më të bukur në futbollin amerikan atë që krijohet në impiantin e skuadrës së New York City-t, por sigurisht stadiumi i Colorado Rapids mbetet unik për të.

Artikulli paraprakSeria B, duel për Migjen Bashën
Artikulli tjetërAliji debuton me humbje në Bundesligën 2