Përse Trump ka të drejtë për NATO-n

Jonathan EYAL

Më 17 dhe 19 shkurt, liderët e NATO-s u mblodhën në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih për të rideklaruar angazhimet dhe zotimet e tyre për mbrojtjen e përbashkët. Për europianët, konferenca solli për herë të parë një perspektivë më të qartë lidhur me politikat e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara nën presidencën e Donald Trump, i cili më parë e kishte etiketuar NATO-n si një institucion “të padobishëm” dhe kishte shprehur dyshime serioze lidhur me rëndësinë e së ardhmes së Europës për Shtetet e Bashkuara. Konferenca u zhvillua pak pasi sekretari i Mbrojtjes, James Mattis i tha liderëve europianë se, “Shtetet e Bashkuara nuk mund të kujdesen më shumë se vetë ju për sigurinë e fëmijëve tuaj”.
Pavarësisht një situate disi të tensionuar, amerikanët dhe europianët u sollën mjaft mirë gjatë Konferencës së Mynihut. Zëvendëspresidenti Mike Pence rikujtoi edhe një herë zotimin e Washingtonit për të qëndruar “përkrah Europës sot dhe çdo ditë në të ardhmen” dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përsëriti edhe një herë se, “Europa ka nevojë për Amerikën Veriore dhe Amerika Veriore ka nevojë për Europën”.
Megjithatë, e vërteta është se pavarësisht rifreskimit të zotimeve të përbashkëta, marrëdhëniet transatlantike ndodhen përballë sfidave më të vështira të dekadave të fundit, me sjelljen agresive të Rusisë në Lindje, me Bashkimin Europian që ndodhet në mes të krizës së brendshme të madhe të viteve të fundit dhe me administratën e Shteteve të Bashkuara që kërkon më shumë përkushtim nga aleatët.
NATO ka padyshim nevojë për reformim. Receta e Washingtonit për atë që duhet të bëhet, që konsiston kryesisht në detyrimin e europianëve për të respektuar detyrimet e tyre buxhetore, është një strategji e fokusuar kryesisht tek inputi, jo tek outputi. Është e vërtetë se barra e shpenzimeve duhet të ndahet nga të gjithë partnerët e NATO-s, siç ka kërkuar edhe presidenti Trump, megjithatë kjo nuk mjafton për ta bërë aleancën më efektive dhe për të zhvilluar marrëdhënie më të shëndetshme ndërmjet SHBA-ve dhe Europës gjatë procesit.

Nevojitet më shumë
Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të detyruar europianët të paguajnë më shumë për mbrojtjen e përbashkët nuk është një kërkesë e re. Në vitin 2011, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates e paralajmëroi NATO-n se ndodhet përballë një të ardhmeje aspak të begatë dhe se rrezikon që ushtria e përbashkët të bëhet e padobishme në rast se anëtarë europianë nuk do të rrisin kontributet e tyre financiare. Kështu, ankesat e shprehura nga administrata Trump janë mëse legjitime pasi europianët munden dhe duhet të kontribuojnë më shumë për të mbështetur aleancën atlantike.
Në vitin 2014, për shembull, vendet anëtare të NATO-s u zotuan të rrisnin shpenzimet për mbrojtjen me 2 për qind të GDP-së deri në vitin 2024, por deri tani vetëm Estonia, Greqia, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar e kanë arritur këtë nivel. Administrata Trump është përqendruar kështu në përmbushjen e këtij detyrimi buxhetor nga të gjithë shtetet anëtare, por vetëm kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për ta bërë aleancën më efektive.
Edhe se kërkesat për shpërndarje më të drejtë të barrës financiare identifikojnë një problem real dhe madhor, ato rrezikojnë ta çojnë aleancën edhe drejt një diskutimi steril, i cili në fund mund të mos ofrojë asgjë më shumë se sa të stresojë planifikuesit e mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut. Europianët, për shembull, janë duke bërë diçka më shumë. Vendet e reja anëtare të NATO-s si Polonia dhe Rumania janë duke e rritur shpenzimin e tyre buxhetor me 3,5 dhe 7,5 për qind, respektivisht, normat më të larta të rritjes në Europë.
Vitin e kaluar, Gjermania dhe Franca gjithashtu u zotuan të ofronin më shumë fonde, duke premtuar të dyja një rritje modeste prej 5 për qind për shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2019. Por edhe atëherë kur shtetet euriopiane arrijnë të sigurojnë vullnetin e mjaftueshëm politik, sektorët e tyre të mbrojtjes shpesh nuk kanë kapacitetin të absorbojnë sasi të mëdha parash në një periudhë të shkurtër kohore, duke qenë se inputet më të mëdha financiare kërkojnë kohë më të gjatë për t’u përkthyer në kapacitete reale. Kjo vendos një kufizim shumë të rëndë kohor në riformatimin e deficitit të mbrojtjes europiane, gjë që në Washington nuk ndodh për shkak se struktura e mbrojtjes është mjaftueshëm e pasur sa për të thithur rritje gjithmonë e më të mëdha të kapacitetit.
Le të marrim si shembull Gjermaninë, ekonomia më e madhe e Europës. Që të përmbushë targetin e shpenzimit buxhetor, Berlini do të duhet të rrisë shpenzimet kombëtare të mbrojtjes deri në 65.8 miliardë dollarë, shifër shumë e lartë krahasuar me 41.6 miliardë në vit që planifikon të shpenzojë deri në vitin 2020. Arritja e konsensusit politik për të autorizuar një hap të tillë madhor do të kërkonte shumë kohë, njëlloj si edhe ngritja e infrastrukturës së nevojshme për të absorbuar këtë ekspansion financiar – zyra e prokurimeve të Ministrisë së Mbrojtjes gjermane, për shembull, aktualisht ka një mungesë stafi prej 1,400 punonjësish.
Edhe nëse fondet do të mund të autorizoheshin, më shumë se sasia e parave të shpenzuara, ka rëndësi mënyra se si shpenzohen ato. Sipas të njëjtës marrëveshje që imponon rregullin e shpenzimit prej 2 për qind të GDP-së, shtetet anëtare të NATO-s duhet të dedikojnë edhe 20 për qind të buxhetit të tyre ushtarak për prokurimin e armëve, por mesatarisht ata shpenzojnë vetëm 11 për qind.
Greqia, për shembull, arrin ta plotësojë rregullin e shpenzimeve në vlerën 2 për qind, por shumicën e këtyre parave e shfrytëzon për mirëmbajtje, paga dhe pensione, në vend që të ndërtojë një forcë të vërtetë ushtarake në vend. Me pak fjalë, këmbëngulja e rritjes së shpenzimeve ushtarake nuk do të sillte detyrimisht transformimin ushtarak që kërkohet dhe nevojitet në Europë. Ajo që i nevojitet Europës dhe Amerikës është një qasje më e gjerë dhe më e pjekur e ndarjes së barrës së shpenzimit. Megjithatë, liderët europianë kanë dëgjuar deri tani fjalë qetësuese nga administrata e Trump në Konferencën e Mynihut. Hapi tjetër do të duhet të jetë forcimi i mëtejshëm i marrëdhënies ndërmjet vendeve anëtare me administratën e re amerikane, duke u siguruar që të gjithë të kontribuojnë për sigurinë e përbashkët.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakSergej Lavrov, Kisingeri i Rusisë?
Artikulli tjetërGardianët e pasurisë