Rrjeti i influencës së Trumpit

“Forbes”

Përpara se Donald Trump të bëhej president, përpara se të bëhej i famshëm në të gjithë botën dhe përpara se të përfundonte ndërtimin e kullës që mban emrin e tij në New York, ai ishte një gjeni i pasurive të patundshme, një talent i lindur dhe me vetëvlerësim të madh. Për këtë mund të pyesni redaktorët e Forbes 400, të cilët vlerësuan pasurinë e Trumpit dhe babait të tij, Fred Trump, me 200 milionë dollarë dhe më pas theksuan: “Donald pretendon se janë 500 milionë dollarë”.
Sot, vlera e pasurisë së Trumpit arrin deri në 3,5 miliardë dollarë dhe si presidenti i Shteteve të Bashkuara, influenca e tij shtrihet në të gjithë globin – që nga partnerët e biznesit në Indonezi deri në zemrën e botës së teknologjisë, Silicon Valley. Para publikimit të speciales “Forbes On Trump” diskutova me redaktorin e revistës, Randall Lane, zëvendësredaktorin Abram Brown dhe shkrimtarin e stafit Matt Drange për të gërmuar në historinë dhe rrjetin e influencës së presidentit. Çfarë na thotë Trumpi i së shkuarës për Trumpin si president? Çfarë duhet të dimë për partnerët e tij të biznesit në të gjithë globin? Kush është miliarderi në Indonezi, i cili ngjan me Trumpin që nga mënyra se si e nis ditën e tij e deri tek ambiciet për t’u bërë president? Përse Silicon Valley është kthyer në armikun kryesor të Trumpit?

Randall Lane për partnerët e biznesit të Trump në të gjithë botën dhe çfarë mund të përfitojnë ata nga ngjitja e tij në Shtëpinë e Bardhë:
Të gjithë këto partnerë kanë gjetur biletën fituese të lotarisë. Ata janë partnerë të fushës së pasurive të patundshme dhe janë të lidhur me dikë që është personi më i famshëm dhe më i diskutuar në të gjithë botën. Pyetja që i drejtojmë vetes tani është: Çfarë mund të bësh kur partneri yt i biznesit ose emri i tij është jashtëzakonisht i famshëm? Do të ishte tërësisht jo e logjikshme po të mos mendoje: “E kam bërë marrëveshjen me të që para 5 viteve. Tani ai është shumë i famshëm, më i famshmi dhe më i diskutuari në botë. Si mund të përfitoj para nga kjo?”. Nëse nuk je duke e menduar këtë dhe nuk e sheh si mundësinë më të madhe të jetës, atëherë duhet të heqësh dorë së qenuri miliarder.

Zëvendësredaktori Abe Brown në lidhje me Donald Trumpin e Indonezisë, miliarderi Hary Tanoesoedibjo, për mënyrën se si ngjan aq shumë me Trumpin:
Mund ta nisim që me mënyrën se si ai fillon ditën e tij, zakonisht në 4 ose 5 të mëngjesit. Njëlloj si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, ai nuk fle shumë. Njëlloj si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, ai është tërësisht i ngjitur pas telefonit në çdo sekondë të mundshëm. Profili i tij në Twitter me mbi një milion ndjekës, është vazhndimisht i përditësuar me fotografi të tij që bën gjëra të ndryshme apo shkon diku. Është një ditar virtual. Ngjashmëritë e tjera janë ato të biznesit të tij: ai drejton një media dhe një perandori të pasurive të patundshme në Indonezi, është partner i Donald Trumpit për hotelet luksoze në Indonezi, organizon konkurse bukurie dhe ka shumë ngjashmëri të tjera me presidentin amerikan, si për shembull që është i fiksuar pas pastërtisë. Ka gjithmonë me vete higjenizues duarsh, njëlloj si Donald Trump dhe madje ka fobi nga bakteret.

Matt Drange, përse Silicon Valley është shfaqur si industria që ka nxjerrë kundërshtime të mëdha për politikat e propozuara të Trumpit?
Shumë kompani të Silicon Valley kanë folur kundër Donald Trump gjatë fushatës së tij. Jo vetëm me deklaratat publike, por edhe përmes portofoleve të tyre. Pjesa më e madhe e donacioneve për fushatë i kanë shkuar kundërshtares së tij demokrate Hillary Clinton. Një nga arsyet përse ka kaq shumë tension është që presidenti Trump ka mbajtur një qëndrim të egër kundër emigracionit dhe globalizimit, qëndrime që kundërshtojnë vlerat kryesore të Silicon Valley që mbështet sipërmarrjen përtej kufijve. Kur flitet për ndërtimin e mureve dhe programeve të egra të vizave, atëherë bëhet e vështirë që sipërmarrësit e huaj të hapin kompanitë e tyre, gjë që dëmton edhe Silicon Valley.

Artikulli paraprakSenati amerikan hap rrugën e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO
Artikulli tjetërNjë investim i dyshimtë shkatërrues për Parkun Kombëtar të Divjakës