Banorët e Himarës në protestë, Gjoni: PD do luftojë kundër grabitjes së pronës

Mbrëmja e së hënës është shoqëruar me protesta në qytetin e Himarës, kjo për shkak të projektit të hartuar nga qeveria vitin e kaluar, për riorganizimin e qytetit të Himarës. Të shqetësuar për këtë çështje, banorët e Himarës kanë protestuar për problemin e pronave, që sipas tyre po i marrin njerëzit e afërt të pushtetit. Këtë ka deklaruar edhe njëri prej organizatorëve të kësaj proteste, Nikollaq Neranxi.
“Mbase kishin parë projektet e Bashkisë së Himarës, të drejtuara kryesisht nga kryeministri Edi Rama, që shtëpitë tona do rrëzoheshin dhe nuk ishin një dy apo 5 shtëpi që talleshin bankat, po ishin lagjja e Varfajve, lagjja e Neranxajve dhe lagjja e Zotajve dhe disa shtëpi të tjera këtu mbrapa që janë shumë të mira për të bërë pallate. Shkuljen dhe çrrënjosjen e njerëzve nga një zonë, e cila ka një identitet, një histori dhe një kulturë të trashëguar e bëjnë vetëm komunistët. Dua t’i them Edi Ramës që ne jemi kundër Shqipërisë që do ti, ti do një Shqipëri që i ke vënë zjarrin, ti do një Shqipëri të mbjellur me drogë, ndërsa ne himarjotët duam një Shqipëri europiane”, është shprehur Neranxi.
Ndërkohë që edhe kreu i Partisë Demokratike për Himarën, Andrea Gjoni u shpreh në lidhje me problematikën e pronave të Himarës. Sipas tij të rinjtë e Himarës po ikin për të punuar jashtë, pasi nuk e kanë të zgjidhur problemin e pronave.
“Meqë jam këtu si kryetari i Partisë Demokratike, dua t’ju bëj të njohur qëndrimin e Partisë Demokratike lidhur me çështjen që jemi mbledhur këtu sot. Partia Demokratike pozicionohet kundër çdo veprimi arbitrar, të paligjshëm për të grabitur dhe për të tjetërsuar pronat e çdo qytetari të Himarës. Ky qëndrim i Partisë Demokratike do të pasqyrohet edhe në seancat e Parlamentit të ri, ashtu si është bërë edhe në Parlamentin e kaluar. Vëllezër dhe motra himarjotë, gëzohem shumë kur ju shoh që jeni këtu, por njëkohësisht trishtohem kur shoh që nuk janë këtu të gjithë himariotët. Kryesisht më vjen shumë keq që brezi i ri, mosha më produktive e Himarës janë të detyruar të derdhin djersë dhe energjitë e tyre në vende të ndryshme të botës. Nëse do të ishte zgjidhur problemi madhor i pronës, të gjithë këta njerëz do të ishin në Himarë”, tha Andrea Gjoni, kreu i Partisë Demokratike të Himarës.

Artikulli paraprakRritja e çmimit të ujit, ERU: Analizë performancës së UKT
Artikulli tjetërMbushën Anglinë me klandestinë shqiptarë, burg për 6 të arrestuarit