Marcelino te Interi

Duket se është drejt zgjidhjes dilema për trajnerin e ri të Interit. Klubi zikaltër e ka ndarë mendjen t’ia besojë spanjollit Marselino Garsia Toral stolin e mbetur bosh pas shkarkimit të Frank de Burit. Lajmin e bën të ditur portali “GianlucaDiMarzio”, duke iu referuar “burimeve të sigurta brenda klubit milanez”. Mësohet se pronarët kinezë kanë vendosur të zgjedhin emrin e sugjeruar nga Kia Jorabçian, duke lënë mënjanë Stefano Piolin, i propozuar nga pjesa italiane e drejtuesve.
51-vjeçari Marselino, i cili gjatë ditës së djeshme ndodhej në Milano, do të kthehet në Spanjë për të rregulluar disa gjëra të fundit. Në Itali do të qëndrojë avokati i tij, të cilit i është deleguar e drejta për të firmosur në emër të trajnerit. Ndërkohë Marselino do të rikthehet në Milano të hënën dhe do të prezantohet të martën ose të mërkurën.
Emërimi duket vetëm çështje orësh, edhe sepse pas darkës me Marcelino-n, drejtuesit zikaltër janë bindur nga tekniku spanjoll. Ish-drejtuesi i stolit të Villarrealit që vendosi të qëndrojë në Milano deri këtë të diel, mbetet në pritje të një telefonate për një tjetër takim me Suning, ku pritet që palët të mbyllin marrëveshjen dhe të firmosin kontratën deri në vitin 2019.
Edhe pse akordi është çështje orësh, asgjë nuk mund të quhet e përfunduar. Me Suning që duket se e ka marrë vendimin e tij, pengesa e fundit për t’u kapërcyer janë detajet e kontratës së trajnerit. Në këtë mënyrë Marcelino do të siguronte një kontratë prej afro 2 vjetësh e gjysmë, ndërsa një prej kërkesave specifike ishte që të kishte të drejtë vendimmarrjeje përsa i takon përforcimeve në merkato.
Ish-trajneri i Villarreal dhe Sevilla-s e ka bindur grupin kinez, duke kaluar Stefano Piolin, që ishte i përzgjedhuri i drejtuesve italianë të klubit zikaltër. Me Marcelinon, Interi pritet të luajë me skemën 4-4-1-1, me Banega-n pas shpinës së Icardit dhe Candreva-n e Perisiç në krahët e mesfushës.
Trajneri spanjoll preferon lojën konkrete dhe të kujdesshme në fazën mbrojtëse, ku kontribuojnë të gjithë, madje edhe sulmuesi. 51-vjeçari nuk është i apasionuar pas qarkullimit të topit, duke preferuar shpejtësinë dhe vertikalizimet. Ide të qarta dhe mentalitet europian. Pikërisht këto do të jenë pikënisjet e Interit të ri.
Ish-tekniku i Vijarealit, i cili e ngjiti “Nëndetësen e Verdhë” nga liga e dytë deri në paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve, do të nënshkruajë për një vit e gjysmë dhe do të përfitojë dy milionë euro, plus një milion shtesë. Vitin e ardhshëm në kontratë mund të futet mundësia për rinovim edhe për një sezon tjetër në rast se fitohet kampionati.
Synimi është të ndërtohet një projekt i ri me trajnerin, ndaj paralelisht është duke u përpiluar edhe një listë me përforcime të mundshme në merkaton e ardhshme, për të afruar lojtarë që i përshtaten skemës 4-4-2 që përdor tekniku.
Sa i takon ish-trajnerit të Bolonjës dhe Lacios, i cili kishte një lloj marrëveshjeje paraprake me Interin, do t’i besohet stoli i Xhiangsu në Kinë. Më herët e njëjta detyrë i qe propozuar pikërisht Marselinos.

Artikulli paraprakBundesliga, Kalou mposht i vetëm Moenchengladbah
Artikulli tjetërRoben kriset me Bajernin për kontratën e re