Rikthimi i fantazmës Grexit

Yannos Papantoniou
Rreziku i daljes së Greqisë nga eurozona ose Grexit, është duke u rikthyer gradualisht për të përndjekur sërish politikën europiane. Frika buron më shumë nga mjedisi i sigurisë ndërkombëtare, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara shkojnë drejt izolimit dhe Rusia kërcënon të rikthejë rivalitetet e fuqive të mëdha. Nëse Europa kërkon të mbijetojë si një lojtare globale, do të duhet të qëndrojë në këmbët e saj duke zhvilluar politikën e sigurisë bazuar në standardet e shpenzimit për mbrojtjen dhe të rrisë prezencën e saj ndërkombëtare. Kjo kushtëzohet së tepërmi nga ekonomia e fortë europiane, e cila përkohësisht nuk është aspak e garantuar.
Bashkimi Europian duhet t’i japë prioritet përfundimisht ndërtimit të lënë përgjysmë të bashkimit monetar, duke forcuar strukturat fiskale dhe financiare dhe duke përmirësuar sistemin e qeverisjes. Duke qenë se nocioni i zgjerimit europian nuk është më aq popullor, nuk mund të parashikohen ndryshime afatgjata në të ardhmen e afërt. Megjithatë, Franca dhe Gjermania nuk kanë mundësi tjetër përveçse ta rihapin procesin pas zgjedhjeve respektive të vitit 2017, pasi integrimi monetar, kur nis si proces, nuk mund të ndalet më dhe ecën vetëm në një drejtim.
Në mes të kësaj trazire, Greqia përsëri nuk ka zënë mend dhe vazhdon ta trajtojë ekonominë e saj në mënyrën më të keqe të mundshme. Gjatë dekadës së fundit, qeveritë greke njëra pas tjetrës kanë bërë gabime të pafalshme financiare që, së bashku me politikat egoiste të partnerëve të eurozonës, kanë shkaktuar pothuajse falimentimin e vendit.
Partia konservatore e Demokracisë së Re, e cila mori pushtetin në mes të viteve 2000, lejoi që deficiti fiskal i Greqisë të arrinte deri në 15,2 për qind të GDP-së në vitin 2009, duke e çuar vendin një hap larg falimentimit. PASOK, Partia Socialiste, u rikthye në pushtet me një lider të ri, George Papandreou, i cili premtoi lëshime fiskale teksa pretendonte, në mënyrë të pabesueshme, se Greqia kishte para mjaftueshëm për ta arritur këtë. Besimi natyrisht u shua shumë shpejt dhe në prill të vitit 2010 qeveria u detyrua të pranonte borxhin e shpëtimit nga eurozona dhe FMN-ja. Bankat franceze dhe gjermane ishin të mbrojtura nga procedurat e falimentimit, ndërsa Greqia u penalizua me një program ekstremisht të egër të reformës fiskale, pa asnjë masë kompensuese për të mbajtur kërkesën.
Qeveritë e tjera pasuese nuk arritën të përmbushnin sfidat e procesit të shpëtimit. Koalicioni aktual i të majtës radikale dhe të djathtës ekstreme ka arritur vetëm t’i përkeqësojë perspektivat e Greqisë për shkak të taktikave të çmendura të negociatave dhe refuzimit për të ndërmarrë reformat e duhura. Greqia ka humbur një të katërtën e GDP-së, papunësia qëndron në 23 për qind dhe borxhi publik përbën 176,9% të GDP-së, më i lartë se në fillimin e krizën në vitin 2009 kur shifra arrinte në 126,78 për qind.
Me pak fjalë, reformat po implementohen në mënyrë jo eficente, pra nuk prodhojnë rezultatet e pritura dhe as konkurrueshmërinë e ekonomisë greke apo mjedisit të investimit. Privatizimi ecën shumë ngadalë. Administrata shtetërore dhe sistemet e edukimit, kujdesit shëndetësor dhe gjyqësor janë në gjendjen më të keqe të historisë së kohëve të fundit në Greqi.
Gjermania vazhdon të këmbëngulë në politikën e shtrëngimit fiskal dhe refuzon të lejojë një lehtësi sado të vogël të borxhit. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se targeti fiskal i imponuar nga Gjermania është i paarritshëm dhe se pa lehtësimin e borxhit, gjë që Berlini nuk pranon kurrsesi të miratojë apo masa të reja fiskale, që Athina nuk pranon të miratojë, situata nuk ka për të ndryshuar, madje do të përkeqësohet për Greqinë.
Kompromisi i mundshëm mund të jetë një version i zbutur i reformës së tregut të punës, të cilën e kërkojnë huadhënësit e Greqisë, si dhe zotimi për të nisur miratimin e reformave fiskale kur të lindë nevoja. Por nëse negociatat tërhiqen zhvarrë deri në këstin tjetër të borxhit të shpëtimit dhe ky i fundit pezullohet, Greqia mund të ketë nevojë për ndihmë të mëtejshme që në verën e vitit 2017. Huadhënësit mund të vendosin ta refuzojnë këtë ndihmë dhe të propozojnë fillimin e bisedimeve të daljes së Greqisë nga eurozona. Nga ana tjetër, qeveria greke mund të zgjedhë të mbajë zgjedhje parlamentare për të eklipsuar pyetjen nëse Greqia duhet të mbajë euron apo të rivendosë dhrahminë.
Mundësia e Grexit duket si një alternativë joshëse për rrethin konservator europian. Durimi i partnerëve europianë me Greqinë është duke u sosur gradualisht dhe ideja e një bashkimi monetar më të kufizuar, të çliruar nga anëtarët më të dobët, mund ta bëjë më të lehtë integrimin fiskal.
Megjithatë, Grexit ka rreziqet e veta. Do të shkaktonte pa dyshim tronditje të madhe për ekonominë greke, të nxitur nga rritja e inflacionit për shkak të zhvlerësimit të madh të monedhës së re dhe do të dëmtonte së tepërmi reputacionin e Greqisë përballë investitorëve. Pakënaqësia sociale dhe destabilizimi politik do të vijonin, duke ngritur pikëpyetje serioze gjeopolitike në një kohë kur Rusia dhe Turqia janë duke sfiduar sigurinë europiane dhe problemi i refugjatëve nuk është zgjidhur akoma.
Stabilizimi i Greqisë jashtë eurozonës do të kërkonte një mbikëqyrje pothuajse të përhershme dhe një injektim domethënës mbështetjeje financiare nga liderët botërorë. Kështu, shpresohet që të gjitha palët të ndërgjegjësohen që arritja e një marrëveshjeje është zgjidhja optimale. Më tej, mbajtja e zgjedhjeve të reja është kthyer në një nevojë imediate në mënyrë që qeveria e re të marrë në dorë pushtetin përpara se situata të dalë jashtë kontrollit.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakNë baltovinën e Lindjes së Mesme
Artikulli tjetërGara e katërt e kancelares Merkel