Në baltovinën e Lindjes së Mesme

Nëse ka një pikë që i dakordëson të gjithë diplomatët në Riad ajo është pesha që sauditët i japin “kërcënimit iranian”. Një prej këtyre diplomatëve, që ka kërkuar të mbetet anonim, shpjegon: “Qeveria saudite shikon dorën e Teheranit kudo dhe i merr shumë seriozisht deklarimet e shtypit iranian, sipas të cilave Irani kontrollon tashmë 4 kryeqytete arabe: Bagdadin, Sanaanë, Bejrutin dhe Damaskun”. Një tjetër konfirmon: “Riadi është i obsesionuar nga Irani dhe përfundon për të harruar se bëhet fjalë për një fqinj dhe që, pavarësisht nga vlerësimet politike, nuk do të mund të zhduket papritmas”. Të gjithë shikojnë në këtë obsesion arsyen kryesore të ndërhyrjes saudite në Jemen. “Nuk kishin zgjedhje, ishte domosdoshmëri”. Ky pohim i një diplomati saudit ndahet nga pjesa më e madhe e përgjegjësve të takuar në Riad. “Për ne, Jemeni është një problem i brendshëm. Kemi nevojë për një regjim mik dhe të qëndrueshëm në kufijtë tanë”. Diplomati kujton se Jemeni ka një popullsi pak a shumë të barabartë me atë të Arabisë Saudite. Më 23 janar 2015 Salman është ngjitur në fron, duke zëvendësuar Mbretin Abdullah bin Abdulaziz al Saud. Sovrani i ri ka hequr dorë menjëherë nga një politikë e jashtme e matur dhe konservatore për të treguar se mbretëria është e gatshme t’i mbrojë interesat jetike të saj. Kështu, në marsin e 2015, në krye të një koalicioni prej nja 10 vendesh, Riadi ka ndërhyrë ushtarakisht për të rivendosur në Sanaa qeverinë “legjitime” e përzënë nga rebelët houthi dhe nga aleatët e tyre, të akuzuar se ishin instrumentalizuar nga Teherani. Megjithatë operacioni, i quajtur Furtuna Vendimtare, nuk ka qenë aspak vendimtar dhe ka nxjerrë në pah kufizimet e forcës ushtarake (dhe politike) saudite. Pavarësisht pranisë së dhjetëra mijëra ushtarëve në kufi me Jemenin, Arabisë Saudite i është dashur të evakuojë një rrip toke 200 kilometra të gjatë dhe 20–30 kilometra të gjerë. 7000 njerëz janë detyruar që të braktisin fshatrat e tyre nga frika e inkursioneve të houthive, që vazhdojnë të lëshojnë raketa mbi qytetet saudite jugore si Jizani. Këto sulme janë pak efikasë, por gjithsesi krijojnë një klimë pasigurie të përhershme, duke i detyruar shkollat dhe institucionet publike që të mbyllen. Autoritetet pranojnë zyrtarisht humbjen e nja 50 ushtarëve, por në realitet ato janë më shumë se 800. Pjesa më e madhe e këtyre vrasjeve janë kamufluar si “incidente” të thjeshta. Së fundi, iniciativat shumë të rënda të aviacionit saudit – si bombardimi në qendër të Sanaasë i një xhenazeje më 9 tetor 2016, me 140 të vdekur – kanë shkaktuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe i kanë shtyrë Shtetet e Bashkuara që ta pezullojnë dorëzimin Arabisë Saudite të 16000 bombave me preçizion nga ana e kompanisë Raytheon. Pasi ka mohuar për muaj përdorimin e tyre, më 19 dhjetor Riadi ka shpallur zyrtarisht se heq dorë nga bombat me copëzim britanike.

Objekti i munguar
Euforia nacionaliste që kishte bashkuar një pjesë të rëndësishme të popullsisë saudite përballë ndërhyrjes në Jemen ka ardhur duke u zbehur dora-dorës që zgjatej lufta dhe rriteshin viktimat civile. “Po shkatërrojmë një vend shumë të varfër”, shprehet me hidhërim një kërkues universitar, “dhe kjo na dhemb, edhe pse nuk provojmë simpati për Iranin”. Dhe shton: “Tashmë po fillon të bëhet lidhja midis politikës së rreptësisë financiare të imponuar nga qeveria dhe kostot e luftës”. Një kosto që e vlerësuar sipas burimeve në 2, 3 apo 7 miliardë dollarë në muaj, teksa rënia e çmimit të naftës i ka tharë rezervat shtetërore. Duke kërkuar që të bëhet më pak negativ ky bilanc, një zyrtar saudit shpjegon: “Kemi shtënë në dorë 80% të raketave të houthive dhe kemi penguar që jugu i Jemenit dhe i gjithë vendi të bien në duart e tyre”. Një ngushëllim i paktë, shumë larg nga objektivat e parapara, domethënë pushtimi i Sanaasë. Riadi po kërkon të dalë nga kjo baltovinë. Por, si gjithmonë, dalja në lufta është më e vështirë se hyrja në të. Arabia Saudite jo vetëm që duhet të mbajë parasysh armiqtë e saj (në fund të nëntorit shtypi saudit evidentonte deklarimet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm iranian që hipotezonte krijimin e bazave detare në Siri e në Jemen), por i duhet të marrë në konsideratë edhe strategjitë autonome të zhvilluara nga aleatët e saj. Për shembull, Emiratet e Bashkuara Arabe, aktivë në Jemen me qindra ushtarë, nuk i besojnë Al Islahit, degës jemenase të Vëllazërisë Myslimane aleate me Presidentin “legjitim” Abd Rabbo Mansour Hadi, i mbështetur nga sauditët. Nga ana e tij, Hadi ka refuzuar muajt e kaluar që të sakrifikohet në kuadër të një marrëveshjeje të negociuar me ndërmjetësimin e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry dhe në të cilin Riadi dukej se mbështeste shumë shpresa për të dalë nga ai që kundërshtarët e tij, ndoshta duke e ekzagjeruar, e quajnë “Vietnami saudit”. Për Mbretin Salman ndërhyrja në Jemen duhej të ishte vetëm etapa e parë e rikthimit të vendit të tij në skenën rajonale. Për herë të parë nga embargoja e vendosur ndaj eksporteve të naftës gjatë luftës arabo–izraelite e tetorit 1973, Arabia Saudite po largohej nga tutela amerikane. Objektivi ishte që të ngadalësohej normalizimi i marrëdhënieve midis Iranit dhe pjesës tjetër të botës, pas nënshkrimit të marrëveshjes lidhur me bërthamoren midis Uashingtonit dhe Teheranit. Ekzekutimi në Arabinë Saudite i liderit shiit Nimr Baqer al Nimr më 2 janar 2016, pasuar nga sulmi ndaj ambasadës saudite në Teheran, ka çuar në prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, një masë e marrë më pas edhe nga vende të tjera të Gjirit Persik. “Tashmë”, shpjegon një diplomat perëndimor, “sistemi është kolauduar mirë: çdo incident midis mbretërisë dhe Iranit çon në një dënim të Teheranit nga ana e Këshillit të Bashkëpunimit të Shteteve të Gjirit, pastaj Lidhjes Arabe dhe së fundi nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik”. Por mjafton t’i hidhet një sy situatës rajonale për të kuptuar limitet e ofensivës saudite.
Në Siri, pushtimi i Alepit në dhjetor të 2016 nga ana e ushtrisë siriane me ndihmën e aviacionit rus, e këshilltarëve iranianë dhe të milicive shiite libaneze ka konsoliduar pushtetin e Bashar al-Assad, të cilin Riadi do të donte ta përmbyste. Në Irak, tentativat për të rilidhur raportet me qeverinë e formuar në gusht të 2014 nga Haidar al Abadi nuk kanë përfunduar mirë. Ambasadori saudit Thamer al Sabhan, i caktuar në dhjetor të 2015 në një post që ishte vakant qysh nga lufta e Gjirit (1990-1991), i ka shtuar kritikat lidhur me rolin e milicive shiite në Irak, fajtore për rëndimin e tensioneve me sunitët. Kjo e ka çuar Bagdadin që ta kërkojë largimin e ambasadorit më 28 gusht 2016. Një diplomat saudit siguron se, “marrëdhëniet me Irakun mbesin të mira, edhe pse do të donim që qeveria të ishte më e hapur. Grupi Shteti Islamik i lindur nga politika e mbylljes dhe e përjashtimit të sunitëve”. Sipas tij, largimi i Nuri al Maliki (ish-kryeministri që kish adoptuar një politikë fetare të favorshme ndaj shiitëve) ishte i domosdoshëm, “edhe pse influenca e tij mbetet ende e fortë”. Në Liban, sauditët janë mënjanuar, pasi kanë bllokuar në shkurt të 2016 një donacion prej 3 miliardë dollarësh për blerjen e armëve franceze, me objektivin që të ndëshkojnë Bejrutin pse nuk ka nënshkruar një deklaratë të Lidhjes Arabe që denonconte Hezbollahun si organizatë terroriste dhe pasi i kishte ndërprerë fondet kryeministrit Saad Hariri, një investim që nuk kish rezultuar mjaft i dobishëm. Kështu, kur kristiani Michel Aoun, i afërt me Hezbollahun, është zgjedhur president më 31 tetor 2016, për t’u përshëndetur me të kanë ardhur në Bejrut ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif dhe i dërguari special i Bashar al Assad Mansur Azzam, ndërsa ambasadori saudit e kishte lënë qytetin qysh prej 2 muajsh. Është dashur të pritej 21 nëntori për ta parë më së fundi Princin Khalid al Faisal al Saud, Guvernator i Mekës, që të takonte Presidentin Aoun.

Një bashkëjetesë e vështirë
Në fasadën e Ministrisë së Jashtme saudite mund të lexohet ku varg i Kur’anit: “O njerëz! Ju kemi krijuar nga një burrë e një grua dhe ju kemi bërë popuj dhe tribu me qëllim që të mësoni të na njihni”. Një thënie që mesa duket liderët sauditë kanë zor ta bëjnë realitet edhe me vendet sunite. Duhet thënë se jo për faj të tyre situata rajonale nuk ka qenë kurrë kaq e paqëndrueshme, për shkak të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara, të fuqizimit të grupeve të armatosura dhe të aleancave fluide në të cilat armiku i djeshëm bëhet aleati i sotëm. Kështu, pasi kanë riskuar të ndesheshin 3 vite më parë, Katari dhe Arabia Saudite tani janë riafruar, ndërsa marrëdhëniet midis Riadit dhe Kajros kanë vazhduar të përkeqësohen gjatë muajve të fundit. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kërkuar më kot të shërbejnë si ndërmjetës. Udhëtimi i një këshilltari të Mbretit Salman në Etiopi në dhjetor – pasuar nga ai i ministrit të Jashtëm të Katarit – dhe vizita e tij në digën mbi Nil kanë përfaqësuar një mesazh indirekt për Egjiptin, që e konsideron këtë ndërtim si një kërcënim për furnizimin e vet me ujë. Veç kësaj, Këshilli i Bashkëpunimit i Vendeve të Gjirit (GCC) i ka dënuar deklaratat egjiptiane që akuzojnë Katarin për fajësi në atentatin kundër kishës kopte të Kajros më 11 dhjetor 2016. Siç vëren komentatori saudit Khalid al Dakhil, “kjo krizë vjen pas 3 vitesh shkëmbimesh, vizitash, ndihmash. Kjo do të thotë se nuk kishte një marrëveshje të vërtetë lidhur me çështjet rajonale. Megjithatë, një kërcënim ndaj njërit prej dy vendeve është edhe për tjetrin. Rënia e Egjiptit do të ishte shumë e rëndë për Arabinë Saudite dhe anasjelltas”. Tentativa për të krijuar një koalicion të madh me vende myslimane sunite kundër terrorizmit, i shpallur me ngut më 15 dhjetor 2015 – disa qeveri as nuk qenë informuar – nuk ka shkuar përtej shpalljes të thjeshtë. Edhe projekti për ta transformuar GCC-në në një bashkim më solid dhe efikas ndeshet jo vetëm me refuzimin kategorik të Omanit, por edhe me mosbesimin e vendeve të tjera që i frikësohen hegjemonisë saudite. Nga kjo pikëpamje, samiti i GCC-së që është mbajtur në dhjetor në Bahrein në prani të Mbretit Salman nuk ka dhënë asnjë rezultat konkret. Edhe pse është ende shumë shpejt për të vlerësuar domethënien e aderimit në fund të dhjetorit të Omanit në koalicionin kundër terrorizmit, nuk duket se kjo mund të tregojë një ndryshim domethënës në politikën e jashtme të Sulltanatit. Në përplasjen me Iranin, Mbreti Salman mund të gëzojë vetëm një sukses të rëndësishëm: afrimin e tij me Ankaranë, i nisur më 2015 dhe i kurorëzuar nga vizita e Presidentit Recep Tayyip Erdogan në Arabinë Saudite në fund të dhjetorit të 2015. Turqia është një aleat i fortë, që disponon kapacitete ekonomike të rëndësishme dhe një ushtri që mund të ndikojë ndjeshëm në raportet e forcës me Iranin. Megjithatë, gjatë muajve të fundit Turqia është afruar me Rusinë, me të cilin kishte arritur të prekte luftën më 2015.

Ambicia e Mbretit Salman
Ky bilanc aspak bindës ka rinisur debatin në gjirin e familjes mbretërore, siç dëshmon një incident për të cilin është folur shumë në Riad. Më 2 qershor 2016 uebsajti i së përditshmes saudite “Al Watan” kishte botuar deklarata të atribuara Princit Trashëgimtar dhe ministrit të Brendshëm, Mohammed bin Nayef gjatë një mbledhjeje të vendeve të Gjirit në Xhedah. Por pak orë më vonë çdo referim ishte fshirë, me pretekstin se uebsajti ishte piratuar dhe se gazeta nuk kishte shkruar kurrë gjëra të kësaj natyre. Natyrisht që asnjeri nuk e ka besuar. Princi kishte thënë se operacioni “Furtuna Vendimtare”, edhe pse i përgjigjej apelit legjitim në Jemen, ishte “zgjatur shumë në kohë” dhe “kishte dalë dore, sidomos prej refuzimit të vendeve të koalicionit për t’i përmbushur detyrimet e tyre”. Kritika indirekte i drejtohej Egjiptit, që nuk kishte dërguar trupa tokësore. “Në Siri”, vazhdonte Princi, “do të donim një ndryshim regjimi me ndihmën e Turqisë dhe të Shteteve të Bashkuara”, gjë që nuk ka ndodhur. Dhe konkludonte: “Duhet t’i rishikojmë politikat dhe kalkulimet tona” dhe të bëjmë “lëshime konkrete dhe të dhembshme”, për të shmangur që bota arabe të përfshihet në konflikte të pafundme. Në një vend ku arrestimet e “terroristëve të supozuar” janë të përditshëm (më 30 tetor është njoftuar kapja e celulave terroriste që përgatisnin atentate kundër funksionarëve dhe stadiumeve të futbollit) dhe ofrohen shpërblime për të denoncuar “terroristët”, Princi Trashëgimtar është i preokupuar sidomos me luftën kundër grupeve transkombëtare si Al Qaeda dhe Shteti Islamik (IS), dhe privilegjon një zgjidhje politike të konflikteve rajonale në frikën se përhapja e tyre i favorizon këto grupe.
Debati lidhur me strategjitë fsheh edhe një luftë për pushtet. Ardhja në fron e Mbretit Salman ka sjellë me vete ngjitjen e vetëtimtë të të birit Mohammed bin Salman, 31 vjeç, i emëruar më parë ministër Mbrojtjeje dhe më pas zëvendësprinc Trashëgimtar, domethënë i treti në linjën e suksesionit. “Ambicia e Mbretit Salman”, vërente me ironi një diplomat egjiptian në Kajro, “është të krijojë një Arabi salmaniane”, domethënë të heqë qafe Princin Trashëgimtar. Praktikisht, Mohammed bin Nayef është margjinalizuar, duke qenë se lufta në Jemen dhe reformat e rëndësishme ekonomike i janë besuar Mohammed bin Salman, promotori kryesor i një plani ambicioz të quajtur “Vision 2030”. I shpallur në prill të 2016, plani duhet të reformojë ekonominë saudite mbi bazën e parimeve që do t’i kishin pëlqyer Margaret Thatcher. Problemi është se, për të frenuar rënien e të ardhurave nga nafta, ka bërë rritjen e çmimeve, sidomos ato të ujit dhe të elektricitetit – dhe ka ulur fuqinë blerëse të klasës së mesme, nëpërmjet shkurtimeve të paprecedent të rrogave dhe shpërblimeve për funksionarët. Më të goditurit kanë qenë pedagogët universitarë dhe ushtarakët, që kanë humbur deri 50% të rrogës së tyre.
Më 2016 ekonomia ka pësuar recesionin e parë nga 2009 dhe deficiti i bilancit i ka kaluar 85 miliardë dollarët (më 2017 duhet të reduktohet në 53 miliardë). Veç kësaj, përqendrimi i pushtetit në duart e Mbretit dhe të djalit të tij e bën procesin vendimmarrës më opak dhe më të paqartë, duke e komplikuar aktivitetin e biznesmenëve tashmë të destabilizuar nga vonesa e shtetit në pagesa. Për të mos folur për paqëndrueshmërinë e qeverisë, në të cilën poste të ndryshme janë inkorporuar dhe ka pasur zëvendësime të shumta: në 2 vjet kanë pasuar njëri-tjetrin 4 ministra Arsimi. Një diplomat europian shpjegon se, “Princi Trashëgimtar ka pasur mirësinë që të qëndrojë larg si nga lufta në Jemen, ashtu edhe nga reformat ekonomike. Tani fillon të mbledhë frytet e durimit të tij dhe është rikthyer në skenën politike dhe në gazeta e televizione”. Mohammed bin Nayef e kish manifestuar skepticizmin e tij ndaj kësaj politike nëpërmjet rrjeteve të dendura të informimit që karakterizojnë shoqërinë saudite, një përzierje marrëdhëniesh familjare dhe fisnore që përdorin shumë Twitter – koeficenti i përhapjes së tij në mbretëri është 35–40%, ndër më të lartat në votë – dhe WhatsApp. Në vend më shumë se 90% e popullsisë futet në internet me smartfon. Në Riad të gjithë i njohin për mrekulli këto lojëra pushteti, edhe pse në mjetet e informimit nuk del asgjë. Për momentin Mbreti, pavarësisht moshës së shtyrë (është 81 vjeç), i mban fort frenat e pushtetit. Por cilat janë mundësitë që të imponojë djalin e tij si pasues? Shumë do të varet nga pasojat e reformës ekonomike, nga mënyra sesi do të evoluojë situata në rajon, por edhe nga administrata e re që ka ardhur në Shtetet e Bashkuara më 21 janar. Riadi e ka pritur midis frikërave dhe shpresave ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në nivelet e larta saudite asnjeri nuk do ta qajë Barack Obamën, i akuzuar se ka braktisur ish-presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, se u ka lëshuar shumë iranianëve dhe se ka dështuar në Siri. Dhe duke harruar deklarimet islamofobike dhe simpatitë për Izraelin, shpresohet që Trump dhe administrata e tij do të rreshtohen fuqimisht kundër Iranit, spektrit që obsesionon monarkinë saudite.
(Alain Gresh për Orient XXI)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakBota e errët e fluturimit low cost
Artikulli tjetërRikthimi i fantazmës Grexit