Gara e katërt e kancelares Merkel

Paul Hockenos

Në pamje të parë, zgjedhjet e ardhshme gjermane në fund të shtatorit duken të ngjashme me ato të viteve të kaluara. Deri tani, çështjet që do të mbizotërojnë garën duken ato të përhershmet dhe kryesisht të brendshme: ekonomia gjermane, siguria, emigracioni dhe punësimi, partitë kryesore, Unioni Kristian Demokrat (CDU) dhe Partia Social Demokrate (SPD) nuk kanë shumë distancë nga njëra-tjetra në secilën nga këto fusha, por as në politikën e jashtme, të gjitha shenjat të çojnë drejt hamendësimit të një koalicioni të madh CDU-SPD, të drejtuar nga Angela Merkel në mandatin e saj të katërt si kancelare gjermane.
Megjithatë ka shumë gjëra të tjera që varen nga vota gjermane – dhe nga fushata. Politika e këtyre muajve do të zhvillohet me situatën e rënduar të zhytjes së Bashkimit Europian në krizë të mëtejshme, plagët e eurokrizës nuk janë mbyllur ende dhe liderët e paparashikueshëm në Rusi apo Turqi janë pozicionuar në mes të konflikteve të Europës periferike dhe ekziston frika nga ndërhyrja kibernetike ruse në procesin zgjedhor. Ajo që e trazon më shumë situatën e zgjedhjeve gjermane është shkundja që presidenti Donald Trump është duke i dhënë Aleancës transatlantike, si dhe rritja e populizmit të së djathtës ekstreme nëpër Europë.
Gjermania nuk është e përgatitur për të marrë në dorë lidershipin e Aleancës atlantike nga Shtetet e Bashkuara, aq më pak atë të lidershipit të rendit ndërkombëtar që është mbajtur historikisht nga Washingtoni. Megjithatë, ekonomia më e madhe e Europës është duke e mbajtur përsëri kontinentin e bashkuar. Berlini, jo Brukseli, është kthyer në kryeqytetin e vërtetë të BE-së dhe garantuesi i stabilitetit. Politikat gjermane janë duke u përhapur përtej kufijve dhe Gjermania, aty ku leksionet e regjimit nazist dhe Luftës së Dytë Botërore janë ende të ngulura në imagjinatën publike, vazhdon të jetë shtylla e fortë kundër forcave joliberale që tentojnë të përçajnë Europën. Tani që euroskeptikët po përpiqen të fitojnë terren në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar të lidhur nga Brexit, Gjermania qëndron e vetme në këmbë si gardiane e vlerave europiane – një rol që nuk e ka kërkuar dhe në shumë aspekte, nuk i përshtatet shumë. Çdo vend i Europës ka diçka për të kërkuar nga zgjedhjet gjermane dhe të gjithë do të jetë duke e ndjekur me kujdes fushatën.

Qëndrimi i Merkel
Rrethanat e jashtëzakonshme të Europës janë ndoshta arsyeja përse Merkel ka vendosur të kandidojë për herë të katërt, pavarësisht se ka shërbyer si kancelare për plot 12 vite. Ajo vazhdon të jetë shumë popullore, pavarësisht kritikave që i janë bërë për qëndrimin e saj lidhur me emigracionin. Ajo nuk ka asnjë pasardhës të mundshëm për ta konkurruar si kreu i CDU-së, madje edhe sikur të zëvendësohej, pasardhësi i CDU-së mund të mos mbajë qëndrimet e saj liberale për çështjet më të rëndësishme rajonale, si emigracioni dhe pozicioni i islamit në Gjermani.
Partia simotër bavareze e CDU-së Unioni Social Demokrat (CSU) ka filluar të notojë në ujërat e populizmit, duke kritikuar politikën e refugjatëve të Merkelit. Për fushatën elektorale, edhe pse Merkel gëzon mbështetjen e CSU, gjërat duken të tensionuara. Merkel kërkon të jetë e sigurt që CDU dhe CSU të mos bëjnë gabimin që bënë konservatorët austriakë disa dekada më parë duke i hapur dyert Partisë së Lirisë, partisë populiste të së djathtës ekstreme që shërbeu si anëtar i koalicionit në Vjenë nga viti 2000 deri në vitin 2004 dhe pothuajse e shkatërroi presidencën austriake vitin e kaluar.
Kudo tjetër në Europë, në vendet si Danimarka, Italia, Polonia dhe Sllovakia, grupet e së djathtës ekstreme kanë marrë pushtet formal dhe informal me partnerët e koalicionit. Ndryshe nga këto vende, asnjë nga partitë gjermane nuk e merr në konsideratë mundësinë e futjes së AfD-së në koalicion, qoftë në Bundestag apo çdo nivel tjetër qeverisjeje. “Partitë nacionaliste mund të lulëzojnë në çdo vend tani”, thotë Norbert Frei, një historian i Universitetit Jena. “Por në Gjermani ne jemi duke u përpjekur të largojmë sa më shumë këtë element të kulturës politike, pikërisht nga frika e racizmit dhe nga e shkuara problematike gjermane naziste”.
AfD edhe pse ka lindur si një parti “populistësh të sjellshëm” e formuar për të protestuar euron dhe paketat e shpëtimit të miratuara nga Gjermania për vendet e Europës Jugore, gjatë viteve të fundit ka rrëshkitur drejt nacionalizmit të egër, me radhët e saj të mbushura me gjermanë të shtresës së mesme (kryesisht meshkuj) së bashku me ideologjitë e të djathtës ekstreme. Ka arritur të shfrytëzojë fluksin e madh të refugjatëve për t’u mbijetuar përçarjeve të brendshme – shumë nga akademikët liberalë që kundërshtonin euron në fillimet e partisë tani e kanë braktisur – duke hyrë në legjislaturën e vendit dhe duke marrë rreth 20 për qind të votave në vendet lindore gjermane. Liderët e kësaj partie mbështesin Putinin dhe pozicionet antieuropiane. Numri i votave nëse fiton AfD në zgjedhjet federale do të jetë e rëndësishme për të matur nivelin e shëndetit të demokracisë gjermane – si dhe aftësinë e Berlinit për ta mbajtur Europën e bashkuar.
Tani për tani, AfD nuk ka ndonjë mbështetje të madhe. Partia është më radikale se Partia e Lirisë në Austri, thotë Hajo Funke, një dijetar gjerman i ekstremizmit të djathtë. “Në formën aktuale nuk ka mundësi që AfD të fitojë mbështetje në Gjermani njëlloj si Partia e Lirisë apo Fronti Kombëtar në Francë”. Funke mendon se partia do të arrijë diku tek 8 deri në 12 për qind të votave, ndoshta pak më tepër vetëm nëse ndodh një tjetër sulm terrorist. Ajo që do ta mbajë të djathtën ekstreme të izoluar është aleanca e votuesve kristandemokratë të Merkelit. CDU vazhdon të jetë partia dominante e vendit, aktualisht me 33 për qind të votave në sondazhe, por CDU pritet të jetë më e dobët se katër vite më parë kur mblodhi 41,5 për qind të votave. Që nga zgjedhjet e fundit partia ka pësuar disa disfata dhe një pjesë e votuesve kanë rrëshqitur drejt AfD-së.

Kritika dhe kompromise
Përsa i përket përmbajtjes së fushatës, “çështjet më të mëdha do të gjendjen në anën e djathtë të spektrit politik”, thotë Mariam Lau, një reportere e “Dei Zeit”, duke iu referuar emigracionit, por edhe euros, krizës së euros, sigurisë dhe marrëdhënieve me Rusinë. Pyetja është se deri ku do të arrijnë CDU dhe CSU për të tërhequr votuesit që në të kundërt mund të mbështesnin AfD-në.
A do të bëjë kancelarja shtrëngime të mëtejshme për çështjet e emigracionit dhe integrimit, siç ka bërë shumë herë të tjera, për shembull duke imponuar ndalimin e burkave apo do të mbështesë fuqimisht politikat e saj të emigracionit dhe shoqërisë së diversifikuar siç ka bërë kohët e fundit? A do ta mbështesë ajo Bashkimin Europian apo do ta distancojë veten me takt? A do t’i bëjë lëshime Greqisë apo do ta lërë të fundoset në problemet e saj? Do të promovojë një koncept më të ngushtë të shtetit gjerman apo do ta hapë atë për të gjithë qytetarët jo gjermanë? A do të mbështesë politika më të egra të përgjimit? Me pak fjalë zgjedhjet varen shumë nga qëndrimi që do të mbajë ajo për këto çështje thelbësore.
Së bashku, çështjet e sigurisë dhe emigracionit, ka shumë gjasa të jenë më të rëndësishmet dhe vendimtaret e zgjedhjeve, pozicioni i kancelares në lidhje me fluksin e refugjatëve në Gjermani është distancuar disi nga qasja e dyerve të hapura që ndoqi në verën e vitit 2015, kur qindra mijë refugjatë të dëshpëruar zbarkuan në brigjet e Europës. Me marrëveshjen me Turqinë për të shtrënguar kërkesat ligjore mbi refugjatët dhe refuzimi për të pranuar azil për aplikantët që vinin nga vendet e sigurta të Ballkanit, Gjermania ka arritur ta shkurtojë normën e njerëzve që hyjnë çdo ditë në vend pothuajse me 75 për qind. Javën e kaluar, Merkel mori një tjetër hap për të qetësuar kritikët duke vendosur një plan për të rikthyer azilkërkuesit që nuk i ishte miratuar kërkesa.
Kompromiset e Merkel, duket se nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’i mbyllur gojën kritikëve. Megjithatë, edhe pse ndodhet përballë presioneve të mëdha brenda partisë së saj dhe sfiduesve populistë, Merkel nuk ka pranuar në asnjë moment të mbyllë kufijtë apo të shkurtojë më tej numrin e azilkërkuesve që do të pranohen në Gjermani. Ajo i reziston me këmbëngulje qëndrimit të saj dhe i ka bërë thirrje vendeve të tjera europiane që të pranojnë azilkërkues sipas madhësisë dhe mundësive të vendit të tyre. Ajo e ka afruar të drejtën e azilit në kontekstin e të drejtave të njeriut, si shtyllë mbajtëse e rendit liberal europian, pasi rënia e këtyre shtyllave mund të fshinte kredencialet demokratike të kontinentit dhe t’i shtynte disa shtete drejt rrugës së autoritarizmit.

Sfidat nga e majta
Kundërshtari kryesor i Merkelit në zgjedhje është gjithashtu aleat i saj – dhe me siguri do të jetë zëvendëskancelari i saj pas votimit. Një prurje e re në politikën gjermane, Martin Schulz, një socialdemokrat, i cili çuditërisht për politikën gjermane, e ka ngritur emrin e tij në Parlamentin Europian, duke marrë në dorë presidencën në vitin 2012. Schulz ndoqi një rrugë të pazakontë drejt Brukselit: i rritur në një familje të thjeshtë punëtore, në vend të mbaronte shkollën e mesme, vendosi të luante futboll profesionist dhe më pas u trajnua për t’u bërë librashitës.
Pasi u bashkua me SPD-në, Schulz shërbeu për një dekadë si kryetar i një bashkie të vogël përgjatë kufirit holandez, posti i fundit gjerman që ka mbajtur. Që në mesin e viteve 1990, ai i është drejtuar mjediseve të Parlamentit Europian dhe ka ngritur një karrierë duke u njohur si fytyra e një politikani që gjermanët e njohin, por nuk e kanë testuar. Pavarësisht kredencialeve të tij në PE, shumë gjermanë e konsiderojnë Schulz si një avokat të fuqisë punëtore.
Ka pasur një sërë socialdemokratësh që kanë tentuar dhe kanë dështuar për ta frenuar gjakderdhjen elektorale të partisë së tyre gjatë dekadave të fundit. Tani Schulz po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë dhe sondazhet e fundit tregojnë se ai i afrohet Merkelit. Pas kandidaturës së papritur të Schulz, SPD-ja u rrit me tre pikë në sondazhe dhe ka vazhduar të rritet. Megjithatë, e majta gjermane ka shumë pak gjasa të arrijë të fitojë mazhorancën që i nevojitet. CDU ka vetëm SPD në dispozicion për të formuar koalicion dhe qeverinë, nëse nuk e formon atë me dy parti të tjera, të Gjelbërit dhe Partia Demokratike e Lirë.
Ka disa evente që mund të ndodhin deri në shtator dhe që mund të lëkundin llogaritë. Fitorja e mundshme e Frontit Kombëtar në zgjedhjet e ardhshme franceze, rruga që do të ndjekë CDU gjatë fushatës, një sulm i mundshëm terrorist, përkeqësimi i krizës së refugjatëve, rritja e trazirave në Ukrainë apo përçarje të mëtejshme brenda CDU-së që mund ta fundosin atë në sondazhe. Një administratë e drejtuar nga Merkel dhe Schulz nuk është aspak mundësi e keqe për Gjermaninë. Nëse nisin të qeverisin së bashku, të dy duhet të jenë të ndërgjegjshëm që kanë edhe pjesën tjetër të Europës mbi shpatulla.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakRikthimi i fantazmës Grexit
Artikulli tjetërBibi, Donald dhe Jared