Rezultatet e Euro 2016 në kompjuter

“Gracenote” ka simuluar nëpërmjet kompjuterit rezultatet e “Euro 2016” nga faza e grupeve e deri në finale. Titullin e kampionit e ka fituar nikoqiri, Franca. Por, ku përfundoi Shqipëria?
Franca do të triumfojë në “Euro 2016”. Në finale, skuadra nikoqire e garës do ta mposhtë Spanjën, duke ia shuar ëndrrën e triumfit të tretë të njëpasnjëshëm në një Evropian. Ky është parashikimi nga “Gracenote”, që ka simuluar nëpërmjet kompjuterit rezultatet e “Euro 2016” nga faza e grupeve e deri në finale.
Por, ai urojmë ta ketë gabim rezultatin e Shqipërisë. Skuadra e selektorit Gianni de Biasi ka përfunduar në pozitën e fundit në Grupin A ku gjendet “kampioni” Franca, së bashku me Zvicrën dhe Rumaninë. Skuadra e Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës u kualifikua si e dyta, së bashku me Rumaninë me bilanc të mirë në pozitën e tretë, transmeton zëri.info.
Nga grupet tjera u kualifikuan për në fazën eliminatore Anglia, Rusia, Sllovakia, Gjermania, Polonia, Ukraina, Spanja, Kroacia, Turqia, Belgjika, Italia, Portugalia dhe Austria. Së bashku me Shqipërinë, kompjuteri eliminoi edhe Gareth Balen në skuadrën e Uellsit dhe Zlatan Ibrahimoviçin me Suedinë, në mesin e skuadrave me futbollistë të mëdhenj në radhët e tyre.
Por, ai nuk parashikoi rrugëtim të gjatë për Zvicrën që në rrethin e dytë u mposht nga një prej favoritëve, Spanja. Në çerekfinale së bashku me Spanjën u plasuan edhe Polonia, Anglia, Portugalia, Gjermania, Belgjika, Franca dhe Rusia. Por, në rrugëtimin drejt gjysmëfinales, Spanja e mposhti Poloninë, kurse Anglia i dha fund rrugëtimit të Portugalisë së udhëhequr nga Cristiano Ronaldo.
Gjermania u kualifikua tutje pas fitores ndaj Belgjikës. Kurse, nikoqiri i garës, Franca doli fituese ndaj Rusisë, që megjithatë arriti mjaft shumë deri në mesin e tetë skuadrave më të mira të kontinentit.
Në dy super ballafaqime në gjysmëfinale, Spanja përfundoi ëndrrën e Anglisë për titull të kampionit, kurse duelin e madh mes Francës dhe Gjermanisë e fitoi ekipi i selektorit Didier Deschamps. Në finale, Franca mposhti Spanjën për trofeun e kampionit të Evropës. Por, këto janë vetëm parashikimet nga “Gracenote”, rezultatet e vërteta do t’i mësojmë së shpejti, duke filluar nga 10 qershori deri më 10 korrik.
Rezultatet:
Grupi A: 1. Francë, 2. Zvicër, 3. Rumania, 4. Shqipëria.
Grupi B: 1. Angli, 2. Rusi, 3. Sllovaki, 4. Uellsi.
Grupi C: 1. Gjermani, 2. Poloni, 3. Ukrainë, 4. Irlandë e V.
Grupi D: 1. Spanjë, 2. Kroaci, 3. Turqi, 4. Republika çeke.
Grupi E: 1. Belgjikë, 2. Itali, 3. Republika e Irlandës, 4. Suedi.
Grupi F: 1. Portugali, 2. Austri, 3. Hungari, 4. Islandë.
1/8 e finales: Polonia fiton kundër Rumanisë, Spanja fiton kundër Zvicrës, Anglia fiton kundër Turqisë, Portugalia fiton kundër Italisë, Gjermania mposht Sllovakinë, Belgjika mposht Kroacinë, Franca mposht Ukrainën, Rusia mposht Austrinë.
Çerekfinale: Spanja fiton kundër Polonisë, Anglia eliminon Portugalinë. Gjermania mposht Belgjikën, Franca triumfon ndaj Rusisë.
Gjysmëfinale: Spanja mposht Anglinë, Franca fiton ndaj Gjermanisë.
Finale: Franca fiton kundër Spanjës.

Artikulli paraprakMediat botërore: Mos e nënvlerësoni Shqipërinë
Artikulli tjetërTesti i De Biazit me Ukrainën