Testi i De Biazit me Ukrainën

Trajneri De Biazi i kombëtares kërkon të përcaktojë përfundimisht formacionin bazë.
“Miqësoret të ndihmojnë të shohësh gjendjen e lojtarëve, ndonëse për mua rezultati është gjithnjë i rëndësishëm, pasi asnjëherë nuk dua të humbas. Luajmë ndaj Ukrainës, një skuadër shumë e mirë që i ka shënuar 4 gola Rumanisë, që e konsideroj si një nga ekipet më të mirë në grup. Dua të shoh gjendjen fizike dhe disa aspekte taktike”.
Përse u zgjodh stadiumi i një qyteti italian si Bergamo, për të luajtur këtë përballje?
“Vendosëm të vinim këtu në Itali, për t’i dhënë mundësi tifozëve që nuk kanë mundësi për të ardhur në Francë, që të vijnë e të përshëndeten me skuadrën, duke pasur parasysh sesa tifozë ka në Itali dhe duke pasur parasysh eksperiencën në Gjenovë”.
Çuditërisht, italiani nuk u nervozua kur u pyet nga gazetarët e vendit të tij, se përse vendosi të mbante Frederik Veselin.
“Veseli ka bërë një sezon të shkëlqyer në ekipin ku luan, e kemi ndjekur prej kohësh, por për arsye burokratike nuk ka qenë në ekip. Lojtar shumë i rëndësishëm qoftë për momentin, qoftë për të ardhmen. Zgjedhjet e mia janë bazuar në formën fizike të momentit”.
Nuk mund të mungonte një pyetje për Gjimshitin.
Më vjen shumë keq për Gjimshitin. Ka qenë me ne në disa ndeshje eleminatore. Ka luajtur mirë në Danimarkë, por që nga muaji tetor deri në 3 ndeshjet e fundit të kampionatit italian nuk ka luajtur dhe kjo është arsyeja kryesore që nuk hyri në 23-she.
Besohet se trajneri e ka fiksuar, pak a shumë në kokë, formacionin, ndonëse pas Ukrainës do të largojë edhe dyshimet e fundit.
Lojtarë si Xhaka apo Abrashi mesa duket janë rikuperuar, ndërsa dyshimi mbetet për të zgjedhur në sulm, mes Sadikut e Cikalleshit.
De Biazi po ashtu dëshiron që lojtarët të shkojnë në Europian me mentalitetin e duhur.
Kualifikimi për në finale ishte realizim i një objektivi të madh, veçse kjo nuk mund të sjellë vetëkënaqësi, por motivim shtesë.
Ndryshe, turneu francez rrezikon të kthehet në dështim.

Artikulli paraprakRezultatet e Euro 2016 në kompjuter
Artikulli tjetërDuka kritikon shqiptarët e Zvirës