Rekordi i ri me fjalimin e Presidentit Trump

Dy anketa të sapozhvilluara i japin vlerësime të larta Presidentit Donald Trump për fjalimin e tij mbrëmë para Kongresit.
Një anketë e rrjetit “CBS” dhe shoqatës You Gov arrin në përfundimin se 3/4 e atyre që ndoqën fjalimin në televizor e mbështesin përmbajtjen e fjalimit, ndërsa 82% mendonin se ai u tregua “presidencial”. Ndër shikuesit, 76% dolën me përshtypjen se fjalimi ishte unifikues, përfshirë edhe 36% e të anketuarve që identifikohen si demokratë.
70% e të anketuarve thanë se fjalimi ishte shpresëdhënës për të ardhmen e vendit. Rreth 2/3 besojnë se presidenti radhiti përparësitë e duhura. 57% shfaqën një reagim “shumë pozitiv” ndaj fjalimit, megjithëse rrjeti mediatik “CNN” nënvizoi se ish-presidentët George W. Bush (66%) dhe Barack Obama (68%) morën vlerësime më të larta për fjalimet e tyre të para drejtuar vendit dhe Kongresit.
70% e të anketuarve ishin pro planeve të Presidentit Trump për imigracionin e paligjshëm dhe mbi 3/4 mbështesin planet e tij për forcimin e ekonomisë. Po ashtu, 65% e të anketuarve shprehen pozitivisht ndaj planeve të presidentit kundrejt programit të Presidentit Obama për kujdes shëndetësor.
Ndërkaq, Presidenti Donald Trump ka thyer rekord në Twitter me numrin e komenteve që ka frymëzuar fjalimi i tij para Kongresit.
Sipas një zëdhënësi të kompanisë Twitter, mbrëmë fjalimi i tij u bë fjalimi më i komentuar në këtë platformë.
Zëdhënësi Nick Pacilio tha se 3 milionë vetë bënë komente në Twitter për fjalimin, duke thyer rekordin e 2.6 milionë komenteve për fjalimin e Presidentit Obama drejtuar vendit më 2015.
Twitter u themelua më 2006, pra është një platformë relativisht e re në debatin politik. Momenti më i komentuar në fjalim lidhej me programin e kujdesit shëndetësor Obamacare, pasuar nga komentet e zotit Trump drejtuar të vejës së një anëtari të forcave speciale që u vra muajin e kaluar në Jemen.
Ndërkaq, ndër komentet e Presidentit Trump në Twitter mbrëmë, ai më i ripostuari lidhej me bashkimin e Amerikës për një të ardhme të përbashkët.

Artikulli paraprakInter, Icardi beson te vendi i tretë
Artikulli tjetërHaradinaj i kujton luftën e Kosovës Vuçiçit e Nikoliçit