Haradinaj i kujton luftën e Kosovës Vuçiçit e Nikoliçit

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas shtyrjes së vendimit nga Gjykata e Colmar-it iu është drejtuar bashkatdhetarëve atje.
Haradinaj ka thënë se krerët e shtetit serb, Aleksandar Vuçiç, Tomislav Nikoliç dhe Ivica Daçiç, gjithmonë do ta kenë përgjigjen e njëjtë nga shqiptarët, atë të vitit 1998.
“Unë veç i kam bërë dy muaj këtu e po dua t’ju them që edhe pse është një situatë jo e mirë jam ndi shumë i përkrahur, shumë i nderuar prej popullit, prej bashkatdhetarëve. Ne e kemi dhënë një betim si shqiptarë, e Vuçiçit, Nikoliçit e Daçiçit atë përgjigje që ua kemi dhënë më ’98-n, atë kanë me marrë gjithë prej shqiptarëve. Kanë me u mësua të gjithë me jetu me shqiptarët e me të drejtën e shqiptarëve sepse jemi në të drejtën tonë”, është shprehur Haradinaj.
Ai më tej ka treguar se kur do të mbahet seanca e radhës dhe kur do të merret vendimi.
“Gjykata vendosi që të kërkojë më shumë shpjegime në disa pika prej Serbisë. Ky vendim po tregon se është lojë politike. Ia kemi jep shansin ligjit, por për fat të keq politika i ka futur duart thellë në këtë temë. Unë do të mbetem këtu deri më 6 prill, ashtu po thonë, pasi deri më 31 mars i kanë dhënë kohë Serbisë që t’i dërgojë ato shpjegime. Ndërsa më 6 prill ballafaqohemi edhe një herë me prova e me fakte, e tek pastaj vendimi kah gjysma e prillit”, ka deklaruar Haradinaj.

Reagime të ashpra në Prishtinë pas vendimit
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se mbajtja e Haradinajt në Francë, nën masën e lirimit me kusht, është e pakuptimtë.
“E konsiderojmë krejtësisht të papranueshme mbajtjen e Haradinajt dhe moskthimin e tij në Kosovë. Prandaj presim nga institucionet e Francës që të mundësojnë që ai sa më shpejt të kthehet në Kosovë, ndërkaq para gjykatave të tilla duhet të përgjigjen ata që kanë bërë krime në Kosovë”, ka thënë Mustafa.
Kurse partia e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate thotë se shtyrja e vendimit përbën një përpjekje për mënjanimin politik të Haradinajt.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se gjykata franceze mori vendim abuzues për rastin Haradinaj.
“Kjo që sot e pamë nga Colmari, nuk është asgjë më shumë sesa një kidnapim për interesa të Serbisë dhe të gjithë atyre që janë në krahun e saj”, ka thënë Lekaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës tha se gjykata franceze në Colmar mori një vendim zhgënjyes. Këto qëndrime, Hoxhaj tha se ia ka shprehur edhe ambasadorit të Francës në Prishtinë dhe ministrit të Jashtëm francez.
“Unë kam biseduar në telefon me Haradinajn pas vendimit që ka marrë gjykata në Francë. Si Ministri e Punëve të Jashtme edhe ambasada jonë në Paris, do të ofrojë përsëri garanci shtetërore për akuza, të cilat janë qesharake dhe të papranueshme, të cilat i ka ngritur Serbia në rastin Haradinaj”, ka theksuar Hoxhaj.
Ndërkohë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shteti i Kosovës duhet të reflektojë dhe të marrë masa ndaj veprimeve të tilla të Serbisë.
“Më lejoni që të shpreh solidarizim me Ramush Haradinajn në këtë situatë tërësisht të pakuptimtë pas vendimit të sotëm, njëjtë siç është i pakuptimtë çdo negocim me shtetin e Serbisë, përderisa nuk tërhiqen fletarrestet ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë bërë gjatë kohës së Millosheviçit”, ka deklaruar Osmani.
Ramush Haradinaj është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit.
Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte. Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.
Pas seancave gjyqësore më 9 shkurt dhe 2 mars, tani vendimi për rastin Haradinaj është shtyrë për 6 prill.
Haradinaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndalimi i tij nga autoritetet franceze nuk është dashur të ndodhë fare, ngase fletarrestet serbe, ka vijuar ai, janë të pakuptimta. Urdhërarrestet serbe, ka thënë ai, nuk po respektohen tashmë nga shumë shtete, si Gjermania, Britania e Madhe e vende të tjera.
Ndalimin e tij në Francë, Haradinaj e ka cilësuar si mbajtje peng, që vjen si pasojë e veprimeve politike të lidershipit të Serbisë.
“Nikoliç, Vuçiç e Daçiç kanë qenë pjesë e strukturave të Millosheviçit që u kanë shkaktuar tragjedi popujve të Ballkanit, prej Bosnjes, Kroacisë dhe Kosovës. Asnjëri nga ta nuk ka kaluar nëpër ndonjë gjykatë, qoftë vendore apo ndërkombëtare. Ndërkaq unë kam kaluar para (nën një proces gjyqësor) një gjykate ndërkombëtare, e cila e ka filtruar, pra e ka dhënë pafajësinë time, për luftën gjatë viteve 1998–1999”, ka thënë Haradinaj.
“Jam shqiptar. Kam lindur shqiptar. I detyrohem popullit dhe vendit tim dhe për këtë jam krenar. I mbetem besnik popullit dhe vendit tim dhe nuk njoh juridiksion serb mbi mua”, është shprehur Haradinaj.
I bindur se do të shpallet vendimi për lirimin e tij, Haradinaj ka thënë se në Kosovë e presin shumë punë.
“Nuk e kemi mirë gjendjen me qeverisjen, me rendin e ligjin dhe me shumë aspekte të jetës dhe unë besoj se kemi shumë punë”, ka theksuar Haradinaj.
Edhe avokati i tij, Arianit Koci ka shprehur bindjen e tij se Haradinaj do të lirohet, më 6 mars.
Ndërkaq, ekspertë të çështjeve penale, kanë deklaruar se ka ende gjasa që procesi të zvarritet, për shkak se organet kompetente të drejtësisë në Francë, nisur nga gjykatat, duhet të shqyrtojnë qëndrueshmërinë, vlefshmërinë dhe vërtetësinë e provave që Serbia i ka deponuar për këtë rast.
Pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për Krime Lufte në territorin e ish-Jugosllavisë, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga posti më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.
Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet më pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.
Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UÇK-së. Kurse pas luftës, ai ishte themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetar i të cilës është edhe sot.

Artikulli paraprakRekordi i ri me fjalimin e Presidentit Trump
Artikulli tjetërBE i heq Le Penit imunitetin parlamentar