Reali harron të fitojë

Seria prej 40 ndeshjesh radhazi pa humbje tashmë është harruar te Real Madrid, i cili ka humbur ndeshjen e dytë radhazi brenda 3 ditësh. Skuadra e drejtuar nga Zinedin Zidan këtë radhë ka njohur shijen e disfatës edhe në Kupën e Mbretit, duke u mundur në “Santiago Bernabeu” nga Selta Vigo. Aspas firmosi avantazhin e miqve në minutën e 64-t, por Marcelo vendosi barazinë vetëm 4 minuta më vonë. Megjithatë, “paqja” zgjati vetëm dy minuta, pasi Selta shënoi golin e fitores përfundimtare 2-1 me Kastron, i cili dërgoi topin në rrjetën e Kiko Kazijas. Realit do t’i duhet që të përmbysë gjithçka në takimin e kthimit që luan të enjten e ardhshme në fushën kundërshtare, por për ekipin e Zidan nuk do të jetë e lehtë, duke pasur parasysh problemet që po shfaq sidomos në fazën ofensive.
Ndërkohë, Zinedine Zidane ka thënë se nuk është i shqetësuar për formën e dobët të skuadrës së tij pas humbjes së dytë në tre ditë. Ai tha se është ai që do të gjejë zgjedhje për këtë situatë. “Nuk jam i shqetësuar për këtë moment të dobët që po kalon skuadra. Jam përgjegjës dhe më duhet të gjej zgjedhje. Humbja ndaj Sevillas ka ndikuar keq te lojtarët”, tha Zidane gjatë konferencës për media.
Lucas Vázquez u shndërrua në fytyrën tragjike të Los Blancos, pasi shkaku i gabimit të tij ekipi i Zidane pranoi golin e dytë, vetëm pak minuta pas golit të barazimit, që e shënoi Marcelo. Zidane largoi Vasquezin menjëherë nga loja pas asaj që ndodhi, por thotë se nuk e bëri këtë për shkak të gabimit. “Nuk e largova atë për gabimin që bëri”, tha Zidane. “Ai dukej i lodhur dhe unë doja lojtar të freskët në të djathtë”, tha ai. “Është ndeshje e dytë që luan pas lëndimit, dhe kjo është pse e larguam atë”, shtoi më tej francezi.
Mbrojtësi brazilian Danilo, është vlerësuar si lojtari më i dobët në sfidën kundër Celta Vigos, i cili nuk arriti të ndalë asnjë aksion, teksa kundërshtarët depërtonin shumë lehtë në krahun e tij. Por, kështu nuk mendon trajneri i Los Blancos, Zinedine Zidane, i cili tha se braziliani bëri paraqitje të mirë. “Ai bëri paraqitje të mirë dhe jam i lumtur me të. Kishte rastin të luajë në këtë ndeshje dhe tani do të shohim nëse do të luajë edhe në atë të vikendit”, tha Zidane.
Mbrojtësi i Real Madridit, Dani Carvajal, përfundoi ndeshjen ndaj Sevillas i lënduar. Fillimisht u mendua se lëndimi i mbrojtësit nuk ishte shumë i rëndë, por raportet mjekësore tregojnë të kundërtën. Tërheqja muskulore që Carvajal kishte pësuar gjatë ndeshjes me Sevillan, do ta lërë jashtë fushave për një muaj, i cili do të humbasë 10 ndeshje: La Liga, Copa del Rey dhe ndeshjen e parë kundër Napolit në Ligën e Kampionëve.

Artikulli paraprakLeo Mesi, drejt PSG apo Interit?!
Artikulli tjetërGaboni rrezikon eliminimin