“RD” një “Kalorëse e Urdhrit të Skënderbeut”

Redin Hafizi

Presidenti Nishani vlerëson gazetën “Rilindja Demokratike” me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Në 26-vjetorin e themelimit dhe botimit të numrit të saj të parë si një zë i lirë dhe i pavarur mediatik pas afro pesë dekadash shtypjeje dhe censure të ashpër komuniste, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani dekoroi gazetën “Rilindja Demokratike” me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të vyer e të pazëvendësueshëm si gazeta e parë që vrau frikën e diktaturës dhe hapi rrugën për rivendosjen e shtypit të lirë në Shqipëri, duke përhapur e lartësuar vlerat e patjetërsueshme të lirisë dhe të demokracisë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Presidencës. Dekoratën e dorëzoi Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, zoti Florian Nuri.
Është era e parë që një pjesë e medias në Shqipëri të dekorohet me një titull kaq të lartë. Gazeta “Rilindja Demokratike” është e para që vlerësohet nga numri një i shtetit shqiptar, pasi ishte e para që thyeu akullin e heshtjes së diktuar nga diktatura komuniste dhjetëravjeçare. Ishte kjo gazetë dhe ata që mundësuan daljen e saj që i dhanë shpresë gjithë atyre që kishin nisur që një vit më parë të thërrisnin “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. Ishte kjo gazetë që vrau frikën e kujtdo që nga vuajtjet e panumërta nuk shihte dritën në fund të tunelit, ku diktatura e kishte zhytur. Madje ishte kjo gazetë, vetë drita, e cila që në numrin e parë sfidoi me forcë errësirën. Ishte “Rilindja Demokratike”, e para gazetë pas dhjetëra vjetësh që nuk kishte nevojë të shpërndahej me dhunë, pasi njerëzit kishin zënë radhën që në mëngjes për ta blerë, pasi shqiptarët kishin etje për liri dhe patjetër që në fillim kjo gazetë ua shojti këtë etje dhe ishte e para. Plagët e shpirtit të shqiptarëve ende dhimbnin, por ishte kjo gazetë që nisi terapinë e shërimit të tyre.
Vërtet kjo gazetë e meriton patjetër dekoratën dhe nuk mendoj se ka shqiptar që nuk mendon njësoj, por sapo pashë titullin në mendje më erdhi fjala liri. Një gazetë kalorse e urdhërit të heroit tonë kombëtar që tashmë është njëhsuar me lirinë e kombit dhe me dinjitetin e lartë të shqiptarëve në mbarë botën. Kjo është edhe “Rilindja Demokratike” një kalorëse e lirisë dhe patjetër përmes saj shqiptarët i treguan botës se nuk duan të jetojnë më të shtypur dhe se dinë të shprehen lirshëm e me kulturë. Shqiptarët treguan se dinë të shkojnë me dinjitet drejt ëndrrës europiane dhe kjo gazetë ishte dallëndyshja e parë që e shprehu për një kohë të gjatë dhe me gërma të mëdha këtë.
Dalja e numrit të parë të gazetës “Rilindja Demokratike” tregoi se mes shqiptarëve ishte ende gjallë shpirti i Konicës, Nolit e shumë mjeshtrave të tjerë të fjalës së lirë. Kjo është një tjetër lidhje e kësaj gazete me titullin. Një kalorëse që vjen nga shekujt dhe sjell traditën e gazetarisë dhe shprehjes së lirë të shqiptarëve. Ndaj me të drejtë Presidenti i Republikës zgjodhi “Rilindjen Demokratike” si të parën pjesëmarrëse të një grupi tashmë të madh, medias në vendin tonë për ta dekoruar me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”. Edhe pse kanë kaluar nga ajo kohë ideja e të qënit të parët, në krye dhe aktiv në shërbim të kombit dhe lirisë vjen një ditë e vlerësohet maksimalisht.

Artikulli paraprak26-vjetori ndryshe i “RD”
Artikulli tjetërRilindja Demokratike!