Qeveria e paaftë, Shqipëria në krizë të thellë pa ujë dhe drita

Mijëra qytetarë kanë filluar të denoncojnë në rrjetet sociale ndërprerjet e energjisë, jo vetëm në kryeqytet, por thuajse në të gjithë vendin. Veçanërisht javën e fundit, kufizimet e energjisë janë bërë të shpeshta dhe nuk kanë kursyer as institucionet e rëndësisë së veçantë. Mbrëmjen e kaluar, Spitali Ushtarak në kryeqytet ka qenë pa energji, duke detyruar pacientët të dalin jashtë për shkak të temperaturave të larta. Tirana, qyteti me konsumin më të madh të energjisë është më e prekura nga kufizimet, por jo e vetmja. Edhe në rrethet e tjera të vendit raportohet se energjia po ndërpritet vazhdimisht, përfshirë rajonet turistike në zonat bregdetare. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë mohon që ndërprerjet të jenë të qëllimshme dhe ja faturon fajin subjekteve që kryejnë punë publike, duke dëmtuar rrjetin. “Është një proces që në një vend në ndërtim të vazhdueshëm cenohen vazhdimisht elementët e sigurisë së furnizimit të rrjetit. OSHEE personalisht në menaxhimin e saj nuk ka kryer asnjë lloj ndërprerje të programuar për qëllim ulje ngarkese, apo qëllim reduktimi të konsumit”, deklaroi Elton Sevrani, drejtor i prokurimeve në OSHEE.

Krizë energjetike

Mungesa e reshjeve të shiut ka çuar me ritme të shpejta drejt tharjes Liqenin e  Fierzës. Sipas statistikave zyrtare nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, uji në basenin e Fierzës bie mesatarisht me 40 cm në ditë. Niveli i Fierzës është afërsisht 274 metër dhe vazhdon të ulet, ndërkohë që prurjet janë rreth 80 metër kub në sekondë, duke qenë mesatarisht 40 për qind më të ulëta se vitet normale. Qeveria preferoi të mos blinte energji gjatë muajve të kaluar. Madje gjatë fushatës elektorale, qeveria preferoi të shkarkonte të gjitha kaskadat, me qëllim që energjia mos mungonte dhe kjo mos i kthehej në kosto elektorale. Por raportimet nga të gjitha zonat e vendit tregojnë për mungesa të zgjatura energjie, dhe në vendet turistike ku sezoni ka filluar. Për shembull, në të gjithë bregun nga Borshi deri në Sarandë energjia elektrike mungon me orë të tëra, në Tiranë energjia ndërpritet pa asnjë paralajmërim. Janë vetëm shenjat e para dhe nuk përjashtohet mundësia që kësaj vere të përjetojmë një krizë energjetike të zgjatur.

Miliona euro për blerje energjie por ndërprerjet vazhdojnë

Situata e vështirë hidrike e ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes të hapë me shpejtësi procedurat për të nisur importet e energjisë. OSHEE-ja ka çelur ankandin për të blerë mbi 285 mijë megavat energji nga importi, për të përballuar furnizimin e vendit me energji për periudhën 28 qershor-31 korrik.
Rezerva hidrike në kaskadën e Drinit ka rënë në nivele minimale. Sipas të dhënave zyrtare nga Korporata Elektroenergjetike, aktualisht niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 15 metra më i ulët sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Paralelisht, prurjet mesatare të ujit për periudhën janar-qershor kanë qenë 40 për qind më të ulëta sesa mesatarja dhjetëvjeçare.
Me sasinë e shpallur për të blerë, OSHEE-ja synon të plotësojë 53 për qind të konsumit, ndërkohë që pjesa tjetër prej 47 për qind do të përballohet nga prodhimi vendas.
Importet e detyrueshme të energjisë janë një goditje jo e vogël për bilancin e Operatorit të Shpërndarjes dhe të të gjithë sistemit energjetik këtë vit. Llogaritë paraprake tregojnë se, me çmimet aktuale të energjisë në bursë, OSHEE-ja do të duhet të shpenzojë rreth 18 milionë euro vetëm për importet e muajit korrik.
Megjithatë, importet nuk cenojnë vetëm anën financiare të kompanisë, por edhe treguesit e sistemit energjetik. Burime nga OSHEE-ja thonë se, për shkak të importeve, kompania do të detyrohet të shkurtojë investimet. Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta në treguesit e sistemit, pasi vështirëson uljen e humbjeve, të cilat këtë vit sipas gjasave nuk do të reduktohen sipas planit.

Artikulli paraprakBerisha: Errësira, për shkak të vjedhjes dhe korrupsionit
Artikulli tjetërErmir Lenjani drejt Sionit