Ermir Lenjani drejt Sionit

Ermir Lenjani në radarin e Sionit. Mesfushori i kombëtares shqiptare mund të rikthehet në kampionatin zviceran pas aventurës jo të suksesshme në Ligue 1 me Rennes. Lajmin e bën të ditur gazeta “Blick” sipas së cilës, klubi i Sion ka shfaqur interes për të afruar 27-vjeçarin e lindur në Prishtinë. Dy klubet kanë nisur bisedimet dhe po studiojnë terrenin për një marrëveshje të mundshme që mund të finalizohet gjatë ditëve të ardhshme. Lenjani është një njohje e vjetër e kampionatit zviceran, pasi e ka nisur karrierën në vitin 2006 me skuadrën e Winterthur. Më pas ai është aktivizuar me skuadrën e Grasshopers dhe në vitin 2013 u transferua te St. Gallen. Lenjani u largua nga Zvicra në vitin 2015 duke u tranferuar te Rennes, ku nuk gjeti hapësira të mëdha dhe u zhvendos në formë huazimi te Nantes për një sezon, duke mos lënë gjurmë as te “Kanarinat”. Me rikthimin e tij tek Rennes ai nuk arriti të përshtatej me klubin francez duke menduar seriozisht largimin nga francezët. Në këtë mënyrë, Zvicra mund të jetë një opsion i rëndësishëm për rilindjen e 27-vjeçarit pasi Sion drejtohet nga një emër që i njeh shumë mirë cilësitë e mesfushorit kuqezi. Paolo Tramezzani ka marrë drejtimin e skuadrës përpara pak javësh dhe me shumë mundësi ka qenë ideja e ish/zv-trajnerit të kombëtares për ta pasur në dispozicion.

Artikulli paraprakQeveria e paaftë, Shqipëria në krizë të thellë pa ujë dhe drita
Artikulli tjetërBologna blen lojtarin e Shpresave