Qeveria dhe bizneset në konflikt për pagën minimale

Muajt e fundit ka pasur disa deklarata kontradiktore për rritjen e pagës minimale për efekt të pagimit të kontributeve, duke bërë çështjen rreth këtij vendimi shumë konfuze.
Në aktin e dytë normativ për ndryshimin e buxhetit 2016 që tashmë është në Kuvend, thuhet se “paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe ndryshon sa herë që rriten pagat dhe pensionet”. Vitin e ardhshëm është përcaktuar tashmë që do të rriten si pagat ashtu dhe pensionet dhe në këtë linjë duhet të ndryshojë dhe paga minimale për efekt kontributesh.
Më herët në muajin tetor, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka deklaruar se paga minimale për efekt kontributesh në sektorin privat nuk do të rritet. Nga ana tjetër, pak javë më parë, Këshilli Kombëtar i Punës ka lajmëruar rritje 13.6%, nga 22,000 lekë që është sot në 25,000 lekë. Këshilli Kombëtar i Punës, në mbledhjen e radhës, pritet ta diskutojë dhe do ta miratojë atë. Ndërsa burime nga shoqatat e biznesit pohojnë se ata kanë rënë parimisht dakord me ministrin e Financave për një rritje të lehtë të pagës minimale në 23 mijë lekë.
E ndërsa edhe brenda qeverisë nuk kanë munguar zërat e ndryshëm, vijnë edhe opinionet pro e kundër nga sipërmarrja e punëmarrësit.
Biznesi, ekspertët e sindikalistët ndajnë mendime të ndryshme.
Sipërmarrjet janë kundër. Me rritjen e pagës minimale, në kushtet kur ajo nuk është e lidhur me produktivitetin, bizneset pohojnë do të përballen me kosto më të larta, e që mund ta reflektojnë këtë te çmimet. Apo, më keq, siç thonë edhe vetë sipërmarrësit, mund të nxisë, me dëshirë, informalitetin. Florjan Zekja, drejtues i një biznesi fason, thotë se “rritja e pagës minimale për sektorin tonë do të ishte shkatërruese. Kostot e punës do të rriteshin ndjeshëm. Kjo do të bënte që porositësit të largoheshin në vende të tjera, si në Maqedoni apo në Tunizi”.
Edhe Gjergj Liqejza, një tjetër drejtues kompanie fasoni në Shkodër, thotë se në sektorin e fasonit, fondi i pagave zë rreth 60% të kostove dhe se rritja do të cenonte rëndë marzhin e fitimit të kompanive që operojnë. “Nga njëra anë, tatimfitimi 15%, po kaq edhe tatimi mbi dividentin, 9% nga rritja e pagës minimale, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin koston e punës dhe na bëjnë jokonkurrues”, thotë z. Liqejza.
Në anën tjetër, sindikatat kanë kërkuar rritje të pagës minimale. Kol Nikollaj, president i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë thotë se ata kanë miratuar një rezolutë, e cila iu drejtua strukturave qeverisëse dhe vendimmarrjes politike, duke kërkuar një rritje të pagës minimale në masën 30%.
Në vitin 2013, paga minimale për efekt të kontributeve shoqërore, u bë 22,000 lekë nga rreth 19,000 lekë që ishte. Në këtë kohë u përcaktua edhe që paga minimale për efekt të sigurimeve shoqërore do të ishte e barabartë me pagën minimale për efekt punësimi të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Kjo u bë edhe për efekt llogaritjesh për ndryshimet që pësoi sistemi i pensioneve.

Artikulli paraprakBashkia Kamëz vlerëson nxënësit, mësuesit dhe akordon ndihmë për jetimët
Artikulli tjetërShqiptarët ndryshe nga Europa, nevoja për ushqim