Qeveri e ububu-llëkut (ose e kotësisë)

Nga Namir Lapardhaja

E gjithë administrata shtetërore është përballur këto ditë me kërkesën për të plotësuar një formular ku të vetëdeklarohet se: a. Kam paguar të gjitha detyrimet kundrejt shoqërisë së ujësjellës-kanalizimeve dhe b. Kam nënshkruar një marrëveshje me shoqërinë e ujësjellësit për pagesën e detyrimeve të prapambetura, me këste.
E gjithë kjo, pasi disa ditë më parë Kryeministri Rama nga ERTV-ja u zotua se 2018, veç të tjerave, do të jetë viti i reformës së ujit, duke ndërprerë të gjithë lidhjet e paligjshme dhe duke penalizuar të gjithë debitorët dhe ata që vjedhin ujin. Administrata shtetërore do të ishte e para, sipas zotit Kryeministër, e cila do të kalonte në sitën e kontrollit. Ashtu siç e do zakoni, administratës iu shpërnda formulari, po ashtu edhe mësuesve, mjekëve dhe infermierëve.
Nëse do të abstragonim për një moment do të kishim këtë situatë: punonjësi i administratës do vejë në punë, do të nisë ditën e punës, do të përgatisë një material apo shkresë zyrtare dhe do të nxitojë tek shefi për të marrë konfirmimin, ndërsa ky i fundit, në vend të konfirmimit, do t’i kërkojë të plotësojë formularin e vetëdeklarimit të pagesës së ujit, pasi, një javë më parë, i ka kontrolluar librezën e ujit të pijshëm.
Po ashtu, e njëjta situatë me mjekët dhe infermierët, të cilët, në vend që të merren me punët e tyre të përditshme, pasi një javë më parë, kanë dorëzuar librezën e ujit, tani duhet të plotësojnë edhe formularin e vetëdeklarimit, sikur të ishte formular i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës. Për të mos folur për mësuesit, këtë kategori shoqërore të friguar dhe të fyer, të cilët, përveçse u përballën me faktin e kryer të një inisiative që në drekë doli në TV dhe në darkë u bë fakt i kryer (asaj të 3 lëndë në 6 orë), tanimë, ashtu të fyer dhe të nëpërkëmbur, duhet të plotësojnë edhe këtë formular.
Se ç’lidhje ka arsimi me pagesën e ujit të pijshëm, këtë vetëm Kryeministri i vendit tim duhet ta dijë! Nuk duhet të diskutojë këtu atë që nëse duhet apo nuk duhet paguar uji i pijshëm, ashtu si energjia elektrike etj. Shërbime që konsumatori duhet t’i përmbahet kontratës me shoqërinë, mirëpo rruga dhe mënyra më duket shumë e gabuar. Ose, më saktë, është në vazhdën e propagandës sikur çoç po bëjnë, por që, në të vërtetë, nuk po bëhet asgjë. Së pari, konsumatori është debitor ndaj shoqërisë së SH.A Ujësjellësit për mospagesën e ujit të pijshëm, kurse marrëdhënia dhe raporti midis tij dhe shoqërisë rregullohet nëpërmjet legjislacionit në fuqi, gjë që do të thotë kur e paguan ujin, ke ujë, ndërsa kur nuk e paguan ujin, të ndërpritet uji.
Nuk po diskutoj këtu rastet kur shumica e abonentëve paguajnë faturën për ujë të pijshëm, ndërkohë që uji nuk vjen, ose e paguajnë për të pijshëm një ujë që nuk është i tillë, por është i ndotur dhe i papërdorshëm. Mirëpo, kjo është histori tjetër, që vlen të trajtohet më vete. Së dyti, pagesa e ujit të pijshëm, në dallim nga energjia elektrike, përfshihet tek taksat dhe tarifat vendore, të cilat administrohen nga pushteti lokal. Përse duhet të kemi mbivendosoje të kompetencave të pushteteve këtu dhe të dalë Kryeministri i vendit e të sillet sikur të ishte kryekomunari i Shqipërisë?!
Së treti, përse duhet mbajtur nën dhunë dhe nën presion administrata, duke i kërkuar një javë librezën e ujit të pijshëm dhe javën tjetër të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit të ujit?! Nuk do të ishte më mirë që këto energji të drejtoheshin diku tjetër dhe jo në punë të kota?! Së katërti, po ata punonjës të rinj administrate, mjek, infermirë, mësues etj., të cilët nuk janë të shkëputur nga trungu familjar dhe këto pagesa janë prindërit ata që ia kryejnë, a do të mbajnë ata përgjegjësi në rast se ndonjë prej prindërve të tyre nuk ka qenë i rregullt për pagesën e ujit të pijshëm?! Së pesti, dhe ajo që është më e rëndësishmja, për lehtësi pune, të gjitha të dhënat e abonentëve të ujit të pijshëm gjenden online pranë SH.A.
Ujësjellësave dhe vetëm me një klik në kompjuter ato mund të siguroheshin dhe të shiheshin se kush është i rregullt dhe kush nuk paguan. Mirëpo, nëse ndodhte kjo, atëherë ku do të dukej që kjo qeveri po punon?! E për t’u dukur se po bëhet nami, krijo përditë nga një budallallëk, përzieje me një maskarallëk, shtoi pak qelbësirllëk dhe shite në fund për ububu-llëk.

Artikulli paraprakHistoria e trishtë e kryefamiljarit të papunë nga Pogradeci
Artikulli tjetërDekalogu i Ibrahim Rugovës