Dekalogu i Ibrahim Rugovës

Sabri HAMITI

1.Ngrica
“Sa herë merr ngricë kujtojmë emrin Tënd”, tha poeti. Ibrahim Rugova erdhi në dhjetor e shkoi në kallnor; nga bora në akull. Kaloi një jetë njerëzore duke ngrohur zemrat e duke ndritur mendjet, për t’u bërë ikonë e bashkimit të popullit të Kosovës, për ta fituar lirinë, dhe një yll që ndriçon në yllësinë e historisë shqiptare. Kujtimi në dhjetëvjetorin e tij është kohë për të rimarrë identifikimin me Njeriun e Prijësin e këtij vendi që i thonë Kosovë, Dardani antike.
2. Trashëgimi
Nëse e marrim politikën si veprim e si vizion, atëherë cili është mirasi i filozofisë politike e i praktikës politike të udhëheqësit të Pavarësisë së Kosovës, sot e këtu, jo vetëm për rugovianët e rugovistët, por për të gjithë qytetarët e Kosovës?
Politika me premisa morale e humane;
Politika e hapjes e jo e izolimit;
Politika e jodhunës, e mirëkuptimit dhe e mirëbesimit;
Politika e dialogut me kundërshtarët si hapësirë e alternativës demokratike;
Politika e sundimit të ligjit, e barazisë para ligjit, si detyrim demokratik;
Politika e lirisë së individit si themel i lirisë kolektive e nacionale;
Politika e konsensusit për interesa nacionale e vizion zhvillimor strategjik;
Politika e tolerancës edhe në kohë të krizave, me lëvizje pragmatike për qëllime strategjike;
Politika e nderit, e integritetit dhe e përgjegjësisë të përfaqësuesit e të prijësit të qytetarëve;
Politika e vullnetit për drejtim nëpërmjet programit e konkurrencës që prodhon alternativë (zgjedhje) përbashkuese e jo shoqëri konfliktuale, shkatërrimtare e likuiduese.
3. Perëndimi
Shqiptarët në Perëndim të Lindjes; shqiptarët në Lindje të Perëndimit; lakohen tezat e hipotezat gjeografike, historike e kulturore, dikur, dje, sot, duke i parë shqiptarët në zonën gri të kapërcimit.
Rugova krijues, empirik e fantastik, shqiptoi kokrrën e djersës si kokrrën e mendimit, kur tha: “Shqiptarët në Perëndim, dikur, dje, sot e përherë”.
4. Besimi
Midis legjendash e besëtytnish, të flijuar nga kodi i kryengritjes e i nënshtrimit, me sëmundje trashëguese të veçimit, lundrojnë shkretëtira e kalërojnë dete… u thanë gjykime e paragjykime për popullin e tij.
Rugova bëri lidhjen e re me besë e shpresë, se tha Dalzotësi i Vendit “Bashkimi e Besimi janë shpëtimi”. Se shtoi poeti “Një fé e re e besimit në vete”.
5. Plaknia
Gjuha nuk është vetëm stili, gjuha është karakteri, është identiteti i kombit: shqipja e shqiptarëve. Ajo është te Buzuku, te Bogdani e te Pashku, po vlen të kërkohet edhe të Platoni, te Aristoteli e te Xhojsi. Sepse historia është kujtesa e shkrimit.
Rugova pranoi çka tha poeti “Pisha është laps që shkruan në errësirë”; përsëriti çka tha latini “Fjalët i merr era, mbetet gjallë shkrimi”; e tha më vete “Kthimi në Antikë është përparim”.
6. Dardania
Në Prizren e në Prishtinë, ku bukës i thonë bukë e ujit ujë, në fusha, në male e përtej malesh, rreth lumenjve e buzë detit, kudo të parët ligjëruan shqipja e shqiptari. Rugova shtoi: Kosova (Dardania antike) qe vendi ku u bë Kuvendi si mbrohet jeta e fitohet liria.
7. Fjalimi
Njëri ka lapsin, tjetri shigjetën; njëri ka fjalën, tjetri ka plumbin; njëri ka nderin, tjetri ka mëninë; njëri ka gjakun e nxehtë, tjetri ka gjakun e ngrirë; që lehtë mund të pjellin mosmarrëveshje, si te Babilonia.
Rugova kërkoi barin për varrë: për gjëra të mëdha duhet pajtimi i mbrendshëm e mirëkuptimi, sepse e thotë urtia e vjetër “Lisi më fort çahet nga pyka e vet”.
8. Dashuria
Dashuria njerëzore pajton gjaqet, lidh miqësitë, i bën të kuptohen moshat, të mbijetohen fatkeqësitë; ashtu si mirëkuptimi e toleranca rrisin durimin e qëndresën për punën e dijen.
Dhe Rugova shtoi: për të mbajtur gjallë shpirtin e për të mbrojtur njeriun (njerëzinë) përherë janë të lidhur Shpëtimtari e Çlirimtari. – Në shkretëtirën njerëzore, kend e shpëton Shpëtimtari, kend e çliron Çlirimtari.
9. Vetja
Rugova, para se të shkonte, krijoi Trupin e Përbashkimit, e shtoi për veten në trajtë të testamentit: “Do të mbahem në mend për atë që kam bërë. Do të kujtohem për atë që kam shkruar”.
I kanë thënë: Gandi i Kosovës, Kolosi i brishtë, Duruesi i padurueshëm, Njeri me pushtet moral. I kanë thënë edhe: Ëndërrimtar, Lakmues i lirisë, Kërkues i lirisë, madje i Shenjtë. Por, duket që Rugova ishte (është) vetëm një mishërim i shqiptarit të përhershëm, që jeton në kohën e re, duke përqendruar subjektivitetin kulturor dhe idealet e popullit të tij.
10. Mësimi
Meditoi për brezat e lidhjen e tyre, për harmoninë njerëzore, për të rinjtë e plakur e për pleqtë fëmijnorë; e tha sa herë: është tepër keq me u plakë keq.
Mësimin e tij mund ta marrë secili veç e veç, apo ta marrin të gjithë të përbashkuar. Ai e dinte, por duhet ta kuptojnë edhe bashkëkohësit, që edhe vogëlushi në krah të divit mund të shohë më larg. Edhe pak më shqip: trimi i mirë me shokë shumë.
Lavdi Ibrahim Rugovës!

Artikulli paraprakQeveri e ububu-llëkut (ose e kotësisë)
Artikulli tjetërForumi Ekonomik Botëror: Rama varfëroi shqiptarët