Putin kërkon bisedime me Korenë e Veriut

Presidenti rus, Vladimir Putin u bashkua me komunitetin ndërkombëtar në dënimin e provës së fundit bërthamore të Koresë së Veriut. Presidenti rus, i cili dje zhvilloi një takim me homologun e tij koreanojugor, tha se sanksionet dhe trysnia diplomatike nuk janë të mjaftueshme për zgjidhjen e krizës në Gadishullin Korean.
Duke folur pas takimit me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-inin në portin rus të Vladivostokut, zoti Putin bëri thirrje për bisedime me Korenë e Veriut, duke thënë se sanksionet nuk janë një zgjidhje për çështjen e programit bërthamor dhe raketor të Phenianit:
“Në të njëjtën kohë është e qartë se është e pamundur të zgjidhësh problemet e Gadishullit Korean vetëm me sanksione dhe presione. Ne nuk duhet të biem pre e emocioneve dhe ta vendosim Korenë e Veriut në një situatë pa rrugëzgjidhje. Të gjithë duhet të veprojnë me gjakftohtësi dhe të shmangin hapat që çojnë në shkallëzimin e tensioneve. Është shumë e vështirë të bëhet përparim në situatën aktuale pa mjete politike dhe diplomatike, në fakt unë besoj se në këto kushte përparimi është i pamundur”.
Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dje tha se programi bërthamor i Koresë së Veriut është një nga kërcënimet më serioze të botës dhe bëri thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën:
“Duhet të nxisim dialogun dhe komunikimin e nevojshëm për të shmangur kalkulimet e gabuara dhe keqkuptimet. Retorika konfrontuese mund të sjellë pasoja të paparashikuara. Zgjidhja duhet të jetë politike. Pasojat e një veprimi ushtarak janë shumë të tmerrshme”.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-inin po i bën thirrje Moskës të mbështesë vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Phenianit.
Rusia dhe Kina, partneri kryesor tregtar i Koresë së Veriut, pajtohen se ashpërsimi i sanksioneve kundër Phenianit nuk do të ulë tensionet në Gadishullin Korean.

Artikulli paraprakRrënjët e urrejtjes së Koresë së Veriut ndaj SHBA
Artikulli tjetërGjykata Evropiane e Drejtësisë vendos detyrim për emigrantët