Pse miliona euro dalin për investime jashtë Shqipërisë

Kaosi në tregun vendas, monopolet, ekonomia e dobët, korrupsioni dhe mungesa e lehtësirave ka bërë që investitorët të largojnë aktivitetet e tyre nga Shqipëria duke investuar në vendet fqinjë. Rreth 6% e prodhimit kombëtar të Shqipërisë largohet jashtë vendit. Deri tani janë 400 milionë euro, para të kompanive që punojnë dhe shkojnë në vende të tjera dhe 700 milionë euro nga sektori bankar që janë dhënë për bizneset jashtë. E gjithë kjo shumë është transferuar vetëm gjatë 2016-ës. Administratori i Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku, thotë se shkaku kryesor për këtë dukuri është mungesa e mundësisë së investimit në tregun vendas. Për të, qeveria duhet të fillojë nga lufta kundër monopoleve, në mënyrë që tregu të liberalizohet dhe të ketë konkurrencë të ndershme. Sipas Konfindustrisë, një pjesë e mirë e bizneseve të huaja në Shqipëri kanë fituar kontrata koncesionare ose kanë pozita të favorshme në treg, të cilat u sigurojnë fitime të larta, ndërsa paratë e konsumatorëve shqiptarë nuk investohen në ekonominë e tyre. Pasiguritë e shumta që ofron Shqipëria kanë detyruar shumë investitorë të huaj të largohen nga vendi ynë. Rreth 5% e tyre janë larguar vetëm në vitin 2016. Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2016 vetëm 5600 ndërmarrje të huaja janë aktive në një kohë që më 2015 kanë qenë rreth 5940. Pra, mbi 300 ndërmarrje të huaja kanë mbyllur aktivitetin në vitin 2016. Bie në sy se më së shumti janë mbyllur bizneset me orgjinë greke, italiane dhe ato nga Kosova. Numri i bizneseve greke është pakësuar me 22.8 për qind, thënë ndryshe 154 biznese janë larguar. Aktivitetin e kanë mbyllur edhe 74 biznese italiane, 19 biznese nga Kosova, kurse të tjerat janë kineze dhe turke. Sipas ekspertëve shkak i largimit të tyre janë taksat e larta. Ndërsa një tjetër grup edhe pse të paktë në numër që vlerësohen si të larguar ishin biznese të dyshimta, pasi ato vetëm sa regjistronin aktivitetin në Shqipëri dhe nuk kryenin asnjë veprim. Ata dyshohen se bënin evazion ose pastrim parash. Mësohet se bizneset që janë mbyllur i përkisnin sektorëve të call center, prodhim veshje e këpucë dhe aktiviteteve bankare.

Represioni nga shteti

Klima e represionit ndaj biznesit që u nxit nga lufta antiinformalitet në vitin 2015 i dha efektet negative, edhe tek bizneset e huaja një vit më vonë. Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2016 numri i bizneseve të huaja pësoi rënie me 5%. Nga 5939 ndërmarrje të huaja që ishin aktive në vitin 2015, sipas INSTAT më 2016 rezultuan aktive vetëm 5637 ndërmarrje, raporton “Monitor”. Të dhënat e INSTAT tregojnë se 302 ndërmarrje të huaja kanë mbyllur aktivitetin në vitin 2016. Më së shumti janë mbyllur bizneset me origjinë greke, italiane dhe ato nga Kosova. Numri i bizneseve greke është pakësuar me 22.8 për qind. Nga 675 ndërmarrje që raportoi INSTAT në vitin 2015, vitin e kaluar kanë mbyllur aktivitetin 154 biznese. Gjithashtu aktivitetin e kanë mbyllur edhe 74 biznese italiane dhe 19 biznese nga Kosova. Të dhënat e INSTAT për investitorët e huaj përputhen me perceptimet që patën organizatat e huaja të biznesit për klimën e rënduar që pasoi dy vitet e kaluara. Në vitin 2015 numri i bizneseve të huaja në raport me 2014 u rrit me 16%. Sipas aktivitetit ekonomik, 30% e ndërmarrjeve të huaja janë të përqendruara në sektorin e tregtisë dhe 30% të tjera në sektorin e shërbimeve dhe 20% janë në sektorin e industrisë. Një tjetër arsye që ka ndikuar në mbylljen e kompanive të huaja më 2016-n është dhe pastrimi i regjistrave nga tatimet (subjektet që kishin më shumë se 12 muaj pa kryer aktivitet u kaluan si pasive), ku doli në pah që një pjesë e konsiderueshme e sipërmarrjeve italiane vetëm sa regjistronin aktivitetin në Shqipëri dhe më pas nuk kryenin asnjë veprim, një skemë e dyshuar kjo evazioni ose pastrimi parash nga kompanitë italiane. Sipas INSTAT, ndërmarrjet e mëdha me pronarë apo bashkëpronarë të huaj ushtrojnë aktivitetin ekonomik kryesisht në: call center, prodhim veshje e këpucë dhe aktivitetet bankare. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës. Bie në sy që rreth 77% e sipërmarrjeve të huaja janë me 1-4 punonjës, duke treguar nivelin e ulët të kompanive që vijnë në Shqipëri dhe rrjedhimisht edhe të investimeve që ata sjellin.

Artikulli paraprakKonflikti i ri dhe baza amerikane në Katar
Artikulli tjetërMallrat e konsumit me rritjen më të madhe në rang europian