Mallrat e konsumit me rritjen më të madhe në rang europian

Inflacioni për muajin maj u rrit lehtë në 2%, pasi kishte pësuar rënie për tre muaj radhazi. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, luhatja e lehtë nga niveli 1.9% i muajit prill tregon se inflacioni ka gjetur një lloj stabiliteti pranë kufirit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në një afat më të gjatë krahasimi, inflacioni ka një tendencë të qartë në rritje, po të kemi parasysh se një vit më parë ishte në nivelin 0.7%. Kontributin kryesor në inflacion vazhdon ta japë grupi i ushqimeve, që për muajin maj regjistroi një rritje të inflacionit në 3.8%, nga 3% që kishte qenë për muajin prill. Produktet me rritjen më të lartë të çmimeve krahasuar me një vit më parë janë fruta-zarzavatet, sheqeri, vezët dhe prodhimet e bulmetit. Shtrenjtimi i produkteve ushqimore, megjithatë, u balancua nga zbutja në grupin “Transporti”, ku inflacioni ra në 2.6%, nga 4.3% që kishte qenë në muajin prill. Rënia e inflacionit në këtë grup i detyrohet kryesisht një rënieje të lehtë të çmimeve të shitjes me pakicë të karburanteve. Në parashikimin e saj të fundit, Banka e Shqipërisë pret që inflacioni për këtë vit të jetë në nivelin 2.3%, në rritje të ndjeshme nga niveli prej 1.3% i regjistruar në vitin e kaluar. Rritja graduale e inflacionit po mbështetet nga rimëkëmbja e kërkesës së brendshme, por edhe nga përmirësimet në mjedisin e jashtëm ekonomik, që përcillen në çmime më të larta të lëndëve të para dhe rritje të inflacionit të importuar. Sidoqoftë, një faktor që po jep efekt të kundërt në inflacion është forcimi i lekut kundrejt valutave kryesore dhe veçanërisht ndaj euros. Mbiçmimi i lekut ndaj euros zbut presionet e rritjes së çmimeve nga mallrat e importit. Shqipëria shënoi ritmet më të larta të rritjes së çmimeve të ushqimeve në rang europian edhe gjatë muajit prill. INSTAT publikoi indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për prillin 2017, i cili ndryshe nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) mat ndryshimin e çmimeve për familjet shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Ky indeks rezultoi 3.6 për Shqipërinë në muajin prill, niveli më i lartë në Europë sipas INSTAT. Sipas INSTAT, ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 8,0%, pasuar nga grupet “Transport” me 3,5%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2%, “Argëtim dhe kulturë” me 3,0%, etj. Ndërsa çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 2,1%, pasuar nga grupi “Mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,2%. Në muajin prill 2017, ndryshimi mujor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të konsumit është -0,7%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike”. Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, janë ndërmarrë hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Evropian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995. Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së.

Artikulli paraprakPse miliona euro dalin për investime jashtë Shqipërisë
Artikulli tjetërShembet manastiri mbi 400-vjeçar, paratë për luksin e zyrave