Cila bankë e ka rradhën? Provat e krimit të policisë

Tirana International Airport (TIA) denoncoi dje publikisht mos reagimin e Policisë së Shtetit në momentin e parë që është njoftuar për futjen e makinës së grabitësve në aeroport.  “Njoftimi i TIA-s për policinë, është bërë në kohën, kur makina bashkë me autorët e krimit ishte ende në vendngjarje. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ky njoftim është kryer nga Menaxheri i Operimit në Detyrë i TIA-s, kundrejt sallës operative të policisë në Rinas”, thuhet në deklaratën e Aeroportit.
Akoma më i rëndë është denoncimi i kësaj drejtorie, ndërsa ajo ka denoncuar dje faktin se, makina e policisë ka qenë vetëm pak metra larg grabitjes dhe nuk ka reaguar. “Theksojmë, se njoftimi i TIA-s për policinë, është bërë në kohën kur makina bashkë me autorët e krimit ishte ende në vendngjarje. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ky njoftim është kryer nga Menaxheri i Operimit në detyrë i TIA-s kundrejt Sallës Operative të Policisë në Rinas. Përveç kësaj, theksojmë se punonjësit e policisë kanë qenë prezent në pistë vetëm pak metra nga ku ndodhi grabitja”, thekson Drejtoria e Aeroportit.

TIA: Të shqetësuar nga deklaratat e policisë

TIA do të kishte dashur që etika e konfidencialitetit e bazuar me ligj të shkruar dhe të pashkruar, të respektohej nga të gjitha organet shtetërore. Nga ana tjetër, TIA ka ndjekur me shqetësim raportimet zyrtare të Policisë së Shtetit, mbi raportimin – më së paku të pasaktë – të ngjarjes në fjalë. Duam të theksojmë se, në zbatim të përgjegjësive dhe detyrimeve të Kontratës së Koncesionit, të Memorandumit të Bashkëpunimit me Policinë Shqiptare, i datës 06/09/2012 me referencë Nr.4613/2, dhe në bazë të Programit Kombëtar të Sigurisë të Aviacionit Civil, TIA ka zbatuar me korrektësi të plotë procedurën e njoftimit në kohë të policisë. Theksojmë, se njoftimi i TIA-s për policinë, është bërë në kohën kur makina bashkë me autorët e krimit ishte ende në vendngjarje. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ky njoftim është kryer nga Menaxheri i Operimit në Detyrë i TIA-s kundrejt Sallës Operative të Policisë në Rinas. Përveç kësaj, theksojmë se punonjësit e policisë kanë qenë prezent në pistë vetëm pak metra nga ku ndodhi grabitja. Këtë e vlerësojmë si saktësi të domosdoshme informacioni. Për qartësinë e publikut, por edhe të autoriteteve shtetërore të përfshira, dëshirojmë të sjellim në vëmendje se kompania ICTS – është përgjegjëse vetëm për shërbimin e sigurisë aeroportuale, shërbim, i cili as nuk e zëvendëson dhe as nuk e zvogëlon detyrën dhe përgjegjësinë e Policisë së Shtetit. ICTS, si kompani ndërkombëtare për ofrimin e sigurisë në aeroporte, si dhe e çertifikuar prej shumë vitesh në mënyrë të vazhdueshme nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar, nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë fizikisht. ICTS operon e paarmatosur. E vetmja forcë e armatosur në aeroport është Policia e Shtetit.

Përgjegjësi e plotë dhe e vetme e policisë

Për sa i takon ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në territorin jashtë gardhit rrethues të aeroportit – nga ku ka hyrë makina – kjo është përgjegjësi e plotë dhe e vetme e forcave të Policisë së Shtetit. Sipas ligjit, Policia e Shtetit duhet të sigurojë patrulla me të gjitha mjetet, përfshirë ato këmbësore, në të gjitha zonat e aeroportit, duke parandaluar çdo incident dhe aktivitet të paligjshëm. TIA është tërësisht në dispozicion të autoriteve që po hetojnë ngjarjen, e gatshme që të ndihmojë në zbardhjen e saj, me prova materiale, por dhe dëshirën unanime në zbulimin e fajtorëve. Më tej, dëshirojmë të sjellim në vëmendje që siguria kombëtare është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha autoriteteve që kanë detyrën e sigurisë në aeroport dhe janë prezente në zonën e aeroportit. Në këtë incident të rëndë, në rast se qëllimi është shfajësimi, pasojat do të jenë shumë më të rënda se grabitja. Aeroporti është i të gjithëve. Nuk është në mendësinë e kompanisë të bëjë gara me deklarata apo të kundërshtojë institucionet që TIA i konsideron të shenjta. Jemi të detyruar të flasim tani – duke përligjur respektin për hetimet, por duke vënë re me shqetësim se po cënohet një kompani që është në shërbim të pasagjerëve, biznesit dhe shtetit shqiptar. Tirana International Airport shpreh keqardhjen e thellë për ngjarjen që tronditi opinonin publik dhe jetën e qindra punonjësve të saj që punojnë me përkushtim, prej më shumë se një dekade, duke vlerësuar se në këto rrethana, fjalët janë të pakta dhe shqetësimi është shumë i madh. Tirana International Airport është pranë punonjësve të saj në këtë moment të vështirë dhe sidomos pranë Z. Vangjel Nikolla, Drejtor i Shërbimeve Aeroportuale të TIA-s, i mirënjohur në fushën e aviacionit për kontributin, profesionalizmin dhe integritetin tejet të lartë njerëzor. Tirana International Airport dëshiron të sigurojë pasagjerët dhe të gjithë partnerët e tjerë, se masat e sigurisë aeroportuale në TIA janë në nivelet e kërkuara të standardeve ndërkombëtare, gjë që është dëshmuar edhe nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e aviacionit. Shprehim besimin se autoritetet përkatëse dhe media do ta vlerësojnë maksimalisht korrektësinë e informacionit, dhe rëndësinë që ka saktësia e tij tek çdo qytetar i Shqipërisë.

Nuk kapet asnjë prej grabitësve

Prokuroria dhe Policia e Shtetit ndërtojnë identikitin e tre autorëve të grabitjes së miliona eurove brenda pistës së avionëve në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Sipas të dhënave paraprake, policia ka arritur të ndërtojë imazhet fizike të 3 grabitësve. Dy nga grabitësit janë të moshës nga 25 deri 35 vjeç, me fizik të dobët dhe me gjatësi nga 1.65 cm deri 1.80 cm. Ndërsa personi i tretë, është i shkurtër rreth 1.60 deri 1.70 cm, me trup të shëndoshë dhe moshës mbi 35 deri 40 vjeç. Identikiti i 3 të dyshuarve, sipas policisë është ndërtuar falë kamerave të sigurisë së dy furgonëve të blindit, të cilët janë të pajisur me kamera sigurie. Kjo pasi koncesionari dhe kompania private ICTS nuk kishte vendosur kamera sigurie në zonën e ngarkimit të dërgesave postare dhe parave në avion.

Kamerat e munguara

Konstatimi është bërë edhe nga Prokuroria e Krujës, e cila nuk ka arritur të sigurojë pamjet filmike të momentit të grabitjes, pasi vendi nuk ishte i monitoruar nga kamerat e sigurisë. Mungesa e monitorit të kësaj zone, për hetuesit ka vështirësuar punën për të fiksuar ndonjë detaj të rëndësishëm për identifikimin e autorëve të grabitjes. Në këto pamje, të fiksuar nga kamerat e furgonave të blindit, autorët kishin të veshura doreza, paruke dhe maskë në fytyrë si dhe jelekët që ngjanin me të kompanisë private që kishte për detyrë ruajtjen dhe sigurinë e perimetrit të aeroportit.

Parukja e gjetur ku u dogj makina

Policia në vendin ku është djegur makina, që u përdor nga autorët për grabitje, mësohet se ka gjetur njërën prej parukeve të përdorura nga grabitësit. Parukja, e cila është sekuestruar dhe dërguar për ekzaminim biologjik në Laboratorin e Policisë Shkencore, ku po punohet për të gjetur ndonjë gjurmë apo fije floku për të krijuar një profil gjenetik të përdoruesit të kësaj parukeje.
Gjithashtu në vendin braktisjes së makinës, policia ka gjetur edhe një bidon plastik, i boshatisur, por që dyshohet se ka qenë i mbushur me benzinë që është përdorur për të djegur makinën e tipit “Benz”. Për hetuesit autorët e grabitjes, dyshohet se janë njohës të mirë të zonës dhe ishin të mirë-informuar për çdo lëvizje në Rinas. Dyshohet se ndonjëri prej grabitësve, mund të ketë qenë i punësuar në aeroport, pasi e njihte shumë mirë zonën e perimetrit të rrethimit. Ajo që ka rënë në sy për hetuesit është fakti se, porta 3 nga ku kanë hyrë grabitësit nuk ishte e monitoruar nga kamera dhe nuk kishte as sensor alarmi, siç ishin të pajisura portat e tjera të aeroportit. Edhe pas grabitjes, në portën nr.3 nuk ka ndryshuar asgjë, përveç se një zinxhirit të ri të portës dhe nga jashtë që ruhet nga efektivë të policisë.

Dyshimet për 2 bashkëpunëtorë të tjerë

Grupi hetimor i ngritur për grabitjen spektakolare të gati 1 milion eurove dyshon se numri i autorëve mund të jetë më shumë se 3. Hetuesit dyshojnë se pas djegies së “Benz-it” me të cilin u realizua vjedhja, autorët janë pritur nga një person tjetër, i cili i ka ndihmuar për t’u larguar me një tjetër automjet. Po ashtu ka dyshime se pranë kargos mund të ketë qëndruar një tjetër person, i cili ka sinjalizuar futjen e blindit me para drejt pistës së avionëve duke sinkronizuar në këtë mënyrë grabitjen e paprecedentë. Nëse 3 autorët që qëndronin në makinën tip “Benz” janë konsideruar si krysorë, dyshimet janë se ata janë ndihmuar nga të paktën edhe 2 persona të tjerë.

Artikulli paraprakMashtruesi i Bashkisë, inspekton tri objekte në Tiranë dhe Sauk nga Moska
Artikulli tjetër“Zuckerbergu” shqiptar, nga klandestin në Itali, sot me biznes 25 milionë euro