Protestat e Navalnit: “Rusia pa Putinin!”

Në të gjithë Rusinë njerëzit demonstrojnë kundër rizgjedhjes që pritet të Presidentit Vladimir Putin. Kritikun e njohur të Kremlinit, Aleksej Navalni, policia e ka arrestuar sërish. Nga Moska Miodrag Soric.
“Qytetare dhe qytetarë, ju lutem hapni rrugën. Po pengoni kalimtarët”. Zëri i policit ushton herë pas here nga makina me altoparlant e në Sheshin Pushkin në qendrën e Moskës. Por rreth 2000 pjesëmarrësit e demonstratës së pamiratuar, kryesisht të rinj i injorojnë forcat e sigurisë. Ata thërrasin parulla si “Rusia do të jetë e lirë” ose “Rusia pa Putinin”.
Njëri prej tyre e quan veten Vasilij – emrin e vërtetë ai nuk ka dëshirë ta thotë për shkak të raprezaljeve. “Që prej 18 vjetësh gjithmonë i njëjti President – boll”, shan ai. Një grua pranë tij e mbështet: “Ne duam një alternativë ndaj pushtetmbajtësve të tanishëm dhe kërkojmë liri mendimi”. I zemëruar është edhe një i ri, i mbështjellë në një pallto të zezë. “Zgjedhjet e tanishme presidenciale janë një lloj teatri”. Një president i fortë nuk do të kishte frikë nga zgjedhje të reja, thotë një 14-vjeçare, e cila ka ardhur në demonstratë me shoqen e saj. “Dua që në vendin tonë të veprohet me ndershmëri dhe në përputhje me ligjin”. Ajo thotë se Kremlini u ndalon njerëzve që të votojnë për atë kandidat, për të cilin donin të votojnë shumë njerëz.

Protesta në të gjithë Rusinë
Me këtë ajo ka parasysh Aleksej Navalnin, i cili në fakt donte të drejtonte demonstratën. Por pak pasi ai u largua nga shtëpia e tij në Moskë, policia e arrestoi në një aksion të papritur në rrugë. Kur demonstruesit në rrugë e mësojnë këtë, ata zemërohen edhe më shumë dhe e shajnë Presidentin Putin. Njëri prej tyre është një burrë që e quan kriminel Putinin, i cili e qeveris Rusinë me shokët e tij të Shërbimit të Fshehtë. Njerëzit përreth tij tundin kokën me miratim. Deri sa dikush thërret me zë të lartë: “Zabastovka”, gjë që do të thotë pak a shumë “grevë”, “protestë”, “bojkotim i zgjedhjeve”.
Demonstruesit vihen sërish në lëvizje. Policia tregohet e përmbajtur. Dyzina ekipesh televizive shoqërojnë vargun e protestave. Të dielën në të gjithë Rusinë pati demonstrata në mbi 100 qytete ruse, për solidaritet me Navalnin. 41-vjeçari ka bërë thirrje për të bojkotuar zgjedhjet e afërta presidenciale, pasi autoritetet ia ndaluan për shkaqe jotransparente që të kandidojë në zgjedhje.
Në një kohë kur në shumicën e vendeve autoritetet kanë lejuar demonstrata, policia i ka ndaluar midis të tjerash në Sankt Petersburg dhe në Moskë protestat publike. Megjithatë, demonstruesit nuk tremben nga dispozita të tilla administrative. Policia bëri të ditur se, deri në mbrëmjen e së dielës në të gjithë Rusinë u arrestuan gjithsej 185 demonstrues, duke përfshirë edhe Navalnin vetë.

Artikulli paraprakTrump: Nuk ka bisedime me talebanët
Artikulli tjetërForcohen kriteret për hyrjen e refugjatëve në SHBA