Prona, 400 vendime presin që të gjykohen në Strasburg

Shoqata për “Pronësi me Drejtësi” nuk do të heqë dorë nga kompensimi i pronave me vlerën e tregut edhe pse fatura e lartë perj 1 miliard eurosh që ka deklaruar dje ministri i Financave, Arben Ahmetaj, cenon rëndë sigurinë fiskale të vendit.
Myrshit Vorpsi nga Shoqata “Pronësi me Drejtësi” tha se, situata në të cilën çështja e pronësisë në vend dhe faturat e larta publike që rrjedhin prej saj nuk janë për faj të ish-pronarëve. Vorpsi tha se, që qysh nga viti 1992 politika i përdori pronat e ish-pronarëve për qëllime politike. I tillë që Ligji 7501, por edhe vendime të tjera me karakter korruptiv që politika mori më vonë në favor të saj.
“Prandaj kur bie fjala për sigurinë fiskale dhe publike, gishti nuk duhet të drejtohet nga ish-pronarët. Nuk jemi ne ata që kemi faj. Armiq ishim në komunizëm. Armiq edhe tani”, tha Vorpsi.
Ligji i ri për Trajtimin e Pronës, në themel të të cilit kompensimi vlerësohet me çmimin e shpronësimit të vitit 1944 plus një indeksim të vlerës në vite e ul më shumë se 7 herë vlerën e kompensimit për ish-pronarët. Nga ana tjetër ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka lajmëruar dje se vendimet e Gjykatës së Strasburgut e kanë çuar faturën e pronave në 1 miliard dollarë. Ahmetaj lajmëroi se ky do të jetë risku më i madh që mund t’i kalojë 99% të qytetarëve shqiptarë.
Por zoti Vorpsi tha se, sërish politika po bën politike me çështjen e pronës, ndërsa ish-pronarët kanë vendosur të ndjekin të drejtat e tyre në rrugë ligjore. Vorpsi tha se, ligji i është çuar për ankimin në Kushtetuese dhe pavarësisht vendimit të saj më tej çështja do të ndiqet me Strasburg. Pasi të jetë dhënë vendimi nga kushtetuesja, Gjykata e Strasburgut do të trajtojnë ankimin e ish-pronarëve shqiptare, duke shqyrtuar ligjin e ri të pronave për përputhshmërinë me konventat e të drejtave të njeriut.
Çështjet e pazgjidhura të pronësisë e kanë mbajtur peng zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, pa përmendur konfliktet sociale që kanë krijuar, të drejtat e cenuara të ish-pronarëve dhe miliona eurot që buxheti i varfër i Shqipërisë detyrohet për kompensimin e kësaj shtrese.
Në krye të rrokopujës janë cenuar rëndë interesat e publikut. Faturat mbi 47 milionë euro të paguara dhe në proces nga buxheti i shtetit dhe 1 miliard eurot që priten nga 106 vendimet që janë në proces në Gjykatën e Strasburgut kanë vënë në dilemë aftësinë paguese nga fondet qeveritare.
Veç padive të pranuara për shqyrtim, në Gjykatën e Strasburgut janë depozituar edhe 400 kërkesë-padi të tjera nga pronarët, të cilat presin në radhë nëse do të pranohen për shqyrtim apo jo.
Ndërkohë, vetëm për dy padi të shqyrtuara në katër muajt e parë të këtij viti, gjobat që Gjykata e Strasburgut ka dhënë kundër qeverisë shqiptare arrijnë mbi 15 milionë euro.

Artikulli paraprakMziu pret themeluesen e kolegjeve Cempaka në Malajzi: Interes për ndërtimin e një kampusi arsimor në Kamëz
Artikulli tjetërKontrata për gurore dhe HEC-e në zonat e mbrojtura