Mziu pret themeluesen e kolegjeve Cempaka në Malajzi: Interes për ndërtimin e një kampusi arsimor në Kamëz

Kryebashkiaku i Kamëz i dha znj.Dato Freida Pilus certifikatën “Mirënjohja e Qytetit”. Ja fushat e bashkëpunimit dypalësh për të cila u diskutua në takim

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, priti sot në një takim në zyrën e tij themeluesen dhe drejtoren e rrjetit të kolegjeve Cempaka në Malajzi, znj. Dato Freida Pilus. Në qendër të kësaj vizite ishte vijimi i bashkëpunimit në fushën e arsimit ndërmjet dy institucioneve, më konkretisht u shpreh interesi për ndërtimin e një kampusi arsimor në qytetin e Kamzës.

Gjatë takimit, kryebashkiaku Xhelal Mziu dhe themeluesja e njëkohësit drejtorja e rrjetit të kolegjeve Cempaka në Malajzi, znj. Dato Freida Pilus, diskutuan në detaje rreth bashkëpunimit dypalësh. Objekt i kësaj bisede ishte platforma e praktikës së kolegjeve Cempaka në Kamëz, e cila përfshin implementimin e platformës elektronike dhe kurrikulave arsimore të Cempaka-ës në tri shkolla ekzistuese në Kamëz si shkolla-pilot. Stafi i rrjetit Cempaka (10 trajnues) do të vijnë në Kamëz, dhe 2-3 mësues do t’i marrin në Malajzi për t’i trajnuar dhe më pas do të kthehen dhe do të ndjekin implementimin në Kamëz. Kjo fazë përfundon për 3 vjet.

Ndërkaq, me interes gjatë bisedës ishte ndërtimi i një kampusi të ri arsimor në Kamëz i modelit Cempaka, për një periudhë afatmesme, me kurrikula arsimore të këtyre kolegjeve, si: kurrikula ndërkombëtare; kurrikulat arsimore të modelit britanik; teknologjia e edukimit; pedagogjia jo në nivele mësimdhënieje, por në marrëdhënie të gjerë komunikimi; kulturën lokale, sepse bashkëpunimi fillon me qeverisjen lokale. Për të bërë të mundur këtë, po studiohet fizibiliteti fizik, kurrikulat dhe potenciali aktual për të përgatitur një dokument me shumë komponentë. Bashkia Kamëz disponon truallin, i cili ndodhet pranë Shkollës Profesionale, megjithatë në kuadër të studimit të fizibilitetit Bashkia disponon edhe terrene të tjera të lira.

Gjithashtu, në kuadër të këtij studimi, delegacioni malajzian zhvilloi vizita në tri shkolla pilot: në gjimnazin “Ibrahim Rugova”, në shkollën 9-vjeçare “100-vjetori” dhe në Shkollën Profesionale. Në këto tri shkolla pilot do të merren të dhëna në lidhje me klasat dhe mësuesit e TIK, cilësinë e internetit dhe kapacitetet implementuese. Një vizitë miqësore delegacioni zhvilloi edhe në kolegjin turk “Turgut Ozal”.  Për bashkëpunimin e shkëlqyer në fushën e arsimit, kryebashkiaku i Kamëz e nderoi znj. Dato Freida Pilus certifikatën “Mirënjohja e Qytetit”.

Vizita e delegacionit malajzian në Kamëz vjen në kuadër të vijimit të bashkëpunimit të nisur më parë ndërmjet këtyre dy institucioneve dhe pas vizitës që kryebashkiaku Mziu pati zhvilluar në shkurt të këtij viti. Sot ishte dita e dytë e vizitës së delegacionit malajzian në Kamëz. Ditën e djeshme miqve malajzianë iu rezervua një ceremoni pritjeje në Pallatin e Kulturës Kamëz.  Si sipërmarrëse e EDUGIFT-it, znj. Dato Freida Pilus, ka një përvojë të gjatë në fushën e arsimit dhe fillesat janë që në vitin 1983.

Kampusi arsimor i cili do të ndërtohet në Kamëz do të ofrojë një mundësi të jashtëzakonshme arsimi të standardeve ndërkombëtare më të mira për fëmijët në këtë qytet. Ky projekt i madh do të jetë i qëndrueshëm, sepse po planifikohet të ndërtohet dhe menaxhohet në mënyrë profesionale, me kujdes dhe përkushtim.

Gjithashtu në këtë kampus, përveç kurrikulave arsimore, do të ketë programe të ndryshme, të cilat do të kontribuojnë në disa aktivitete sociale dhe ekonomike që do të ndikojnë në zhvillimin e qytetit. Institucioni arsimor Cempaka ka prodhuar studentë të suksesshëm të cilët janë përfitues të gjithanshëm, dijetarë me të dhëna të fuqishme akademike, aktivë në aktivitetet bashkëkurrikulare dhe të përfshirë në përvojat kuptimplota të shërbimit në komunitet.

Ky institucion arsimor është nderuar më parë si Shkollë e Shquar në Azinë Jugore për përdorimin e teknologjisë. Ndër arritjet e tij të shquara janë “World Champions” në shkencë, matematikë dhe letërsi në Konkursin Botëror të Arsimit nga viti 2009 deri në 2013. Kohët e fundit, Kolegji Ndërkombëtar i Vajzave në Cempaka u nderua me çmimin “Kolegji më i mirë për pozicionin udhëheqës në fushën arsimore”. Sot, grupi i shkollave Cempaka është një institucion me famë që ofron arsim të standardit botëror.

Artikulli paraprak20-vjeçari britanik donte të vriste Donald Trump
Artikulli tjetërProna, 400 vendime presin që të gjykohen në Strasburg