Prokuroria kërkon nga pala greke dosjet e plota të Klemend Balilit

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon më shumë të dhëna dhe prova konkrete për dosjen e Klemend Balilit, të njohur si “Escobari i Ballkanit”. Bëhet e ditur se, me anë të një letër-porosie dërguar pranë autoriteteve të drejtësisë greke, Prokuroria kërkon që t’i vihen në dispozicion disa prova materiale, të cilat janë administruar dhe sekuestruar nga Prokuroria e Athinës. Në kërkesë, mes tjerash prokurorët kërkojnë dosjen e plotë të përgjimeve të personave të tjerë, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me Klemend Balilin kanë trafikuar disa tonelata hashash e kokainë drejt vendeve të BE-së.
Në materialet e ardhura në Shqipëri, thuhet në kërkesën e Prokurorisë, për Balilin janë sjellë vetëm provat për dy raste të trafikut të drogës. Ndërkohë nga komunikimet zyrtare, pala greke thonë burimet, kanë njoftuar prokurorinë shqiptare se Balili dyshohet edhe për 8 raste të tjera të trafikut të kokainës, herionës dhe hashashit. Por për këto raste, Prokuroria shqiptare nuk ka asnjë provë dhe për këtë fakt është kërkuar të dërgohen në Shqipëri të dhënat shtesë ku emri i Balilit është i përfshirë. Në mesin e provave të kërkuara, sipas akuzës, janë edhe akt-ekspertimet e kryera të drogës së sekuestruar në të gjitha rastet ku dyshohet se është përfshirë Klemend Balili, i cilësuar nga media greke si “Eskobari i Ballkanit”.
Gjithashtu, në letër-porosinë që tashmë është përkthyer dhe dërguar autoriteteve greke, prokurorët kërkojnë edhe deklarimet e personave të arrestuar gjatë operacionit të muajit maj të vitit të kaluar. Në veçanti, dëshmi të dy skafistëve shqiptarë Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, pasi janë edhe personat që kanë komunikuar vazhdimit me Balilin. Komunikime këto që kanë vazhduar nga data 1 deri 8 maj 2016 ditën edhe kur janë arrestuar nga pala greke. Një pjesë e këtyre përgjimeve të komunikimeve mes tyre janë sjellë në Shqipëri, por dëshmitë e tyre, mund të japin detaje të tjera për hetimin e nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Për llogari të kësaj dosje, veç Balilajt të shpallur në kërkim pala greke ka arrestuar edhe 16 persona të tjerë, mes tyre shtetas shqiptar në Greqi e Belgjikë e shtetas të tjerë bullgar, italian dhe grekë.

Artikulli paraprakGjykata e Apelit refuzon lirimin nga burgu të Artur Zotos
Artikulli tjetërAutoriteti i Konkurrencës akuzon kompanitë për çmimet e siguracioneve