Gjykata e Apelit refuzon lirimin nga burgu të Artur Zotos

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda refuzoi lirimin nga burgu të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Artur Zoto, i akuzuar për “korrupsion” në bashkëpunim. Treshja gjykuese, e kryesuar nga gjyqtarja Nure Prendi dhe anëtarët Gjovalin Përnocaj dhe Dhimitër Lara, nuk pranuan kërkesën e të dyshuarit dhe avokatit mbrojtës, që t’i ndryshohet masa e sigurisë. Gjyqtarët, që zhvilluan seancën gjyqësore me dyer të mbyllura, pasi dëgjuan argumentet e prokurorit dhe avokatit, lanë në fuqi vendimin e “Arrestit me burg” të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Vetë ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve nuk u paraqit në sallën e gjyqit, duke kërkuar që të përfaqësohet nga avokati mbrojtës Theodhori Sollaku. Pas vendimit të Gjykatës, avokati Sollaku nuk preferoi të komentoi vendimin edhe pse burimet thonë se brenda sallës së gjyqit, ka pretenduar se klienti i tij është i pafajshëm. Avokati, thonë burimet e ka cilësuar dëshminë e ish-zv/drejtorit të Përgjithshëm Iljaz Labi tashmë me statusin e të penduarit, si jo të vërtetë. Këtë pretendim, mësohet se e ka kundërshtuar përfaqësuesi i akuzës në sallën e gjyqit.
Sipas Prokurorisë, Iljaz Labi ka deklaruar se 10% të vlerës totale të tenderit të ushqimeve për burgjet, të marrë në formën e ryshfetit nga kompanitë fituese, ia ka dorëzuar ish-shefit të tij, Artur Zoto. Ky pretendim, thonë nga prokuroria, provohet edhe me përgjimin e bisedave telefonike të ish-zv/drejtorit Labi, i cili në një nga mesazhet dërguar përfaqësuesit të kompanive fituese të tenderit të ushqimeve, të pandehurit Ylber Kalaj, i thotë mes tjerash se “paratë janë për ata lart”, duke nënkuptuar shefin e tij, tashmë të arrestuar Artur Zoto. Për llogari të kësaj dosje, veç Zotos dhe ish-vartësit të tij, Labi janë arrestuar edhe 4 përfaqësues të kompanive të ndryshme, të cilat janë shpallur fitues për tenderin e furnizimeve me ushqime në të gjithë burgjet.

Artikulli paraprakGomonia me 800 kg drogë nga Durrësi kapet në Itali
Artikulli tjetërProkuroria kërkon nga pala greke dosjet e plota të Klemend Balilit