Prokurori i Përgjithshëm i SHBA para Kongresit

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions tha në një letër për Kongresin të shtunën se do të paraqitet përpara Komisionit të Senatit për Zbulimin, i cili po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Zoti Sessions pritet t’u përgjigjet pyetjeve rreth veprimeve të tij, pasi u shfaqën pikëpyetje të reja gjatë dëshmisë së ish-drejtorit të FBI-së, James Comey.
Prokurori i Përgjithshëm tha se ai do të dëshmojë përpara Komisionit të Senatit të martën. Ai nuk specifikoi nëse seanca do të ishte publike apo me dyer të mbyllura.
Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr nga Jeff Sessions, po heton kontaktet midis qeverisë ruse dhe punonjësve të fushatës së Presidentit Donald Trump para zgjedhjeve të nëntorit të kaluar, kur Trump ishte kandidat dhe ende nuk ishte zgjedhur president nga votuesit amerikanë.
Zoti Sessions është vetëtërhequr nga procesi hetimor i Departamentit të Drejtësisë disa kohë më parë, pasi ai ishte një nga zyrtarët e fushatës që ishte takuar me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara përpara zgjedhjeve.
Në janar, kur zoti Sessions ishte ende një senator nga shteti i Alabamës, ai u shfaq në një seancë dëgjimore para konfirmimit të tij si prokuror i Përgjithshëm. Duke iu përgjigjur pyetjeve të senatorit Al Franken, demokrat i Minesotës, Sessions tha se ai nuk ishte takuar me zyrtarët e qeverisë ruse gjatë fushatës.
“Senator Franken, nuk kam dijeni për asnjë nga këto aktivitete. Unë jam cilësuar si ‘përfaqësues’ një apo dy herë gjatë fushatës dhe nuk kam pasur ndonjë komunikim me rusët dhe nuk mund të komentoj”.
Më vonë ai u detyrua ta ndryshonte dëshminë. Zoti Sessions pranoi se kishte patur dy takime me ambasadorin rus, Sergei Kisliak, por tha se nuk kishte qenë nevoja t’i përmendte më parë.
Pyetje rreth prokurorit të Përgjithshëm u rishfaqën javën e kaluar pas dëshmisë së ish-drejtorit të FBI-së, James Comey.
Gjatë gati tre orësh dëshmi më 8 qershor, James Comey u tha anëtarëve të Komisionit të Senatit për Zbulimin se udhëheqësit e FBI-së ishin në dijeni të aktiviteteve nga zoti Sessions që kishin ngritur dyshime, por zoti Comey tha se nuk mund të diskutonte publikisht për natyrën e këtyre aktiviteteve.

Artikulli paraprakPaqartësitë politike në Britani për koalicionin e ri
Artikulli tjetërKriza e Katarit