Kriza e Katarit

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson ka biseduar në telefon me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu lidhur me mosmarrëveshjet mes Katarit dhe fqinjëve të tij arabë në Gjirin Persik.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Bahreini dhe Egjipti kanë prerë marrëdhëniet me Katarin, të cilin e akuzojnë si sponsorizues të ekstremizmit islamik dhe mbështetës i Iranit. Katari i ka hedhur poshtë akuzat. Presidenti Donald Trump u shpreh me kritika të forta në adresë të Katarit.
Zoti Tillerson foli mbrëmë me homologun turk, pasi i bëri thirrje Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera në Gjirin Persik të mos e acarojnë më tej krizën dhe të lehtësojnë bllokadën ndaj Katarit. Zoti Tillerson tha se masat e vendeve arabe po shkaktonin një krizë me pasoja humanitare, si dhe po ndikonin tek operacionet e Shteteve të Bashkuara për të luftuar Shtetin Islamik.
Në Katar ndodhet baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme, nga ku nisen shumë prej avionëve që kryejnë goditje kundër bazave të ISIS në Irak dhe Siri.

Artikulli paraprakProkurori i Përgjithshëm i SHBA para Kongresit
Artikulli tjetërKatari, 2.5 milionë USD Ashcroftit për konfliktin